Endometrioza
Kontribuesit (Dr. med. Fritz Grossenbacher, Dr. med. Gerhard Emrich, Dr. med. Daniel Desalmand, Doris Zumbühl)

Endometri përfaqëson shtresën e brendshme të mitrës dhe në kushte normale zhvillohet vetëm në këtë organ.
Termi "Endometriozë" përdoret për një sëmundje gjinekologjike, në të cilën indi I endometrit zhvillohet jashtë hapësirës së mitrës. Në të tilla raste, ai vendoset më shpesh në legen, në vezore, në tubat dhe ligamentet që mbështesin mitrën, dhe më rrallë në zorrë ose në fshikëzën e urinës.
Gjithashtu, indi i endometrit mund të zhvillohet edhe në organe të tjera, si zemra, mushkëria ose uretra. Është konstatuar që rreth 20% e femrave që mund të realizojnë shtatzani, shfaqin endometriozë. Pas menopauzës shfaqja e saj është tepër e rrallë.
Endometrioza konsiderohet si një nga shkaqet më të shpeshta të sterilitetit (pamundësisë për të mbetur shtatzanë) tek femrat.

Kjo sëmundje gjinekologjike është përshkruar për herë të parë nga një mjek në vitin 1861. Megjithatë, edhe pse bëhet fjalë për një sëmundje të vjetër, gjithmonë shkaktarët e saj kanë qenë të paqartë.
Teori të shumta tentojnë të shpjegojnë fenomenin e endometriozës:
- Një nga teoritë konsiston në konceptin e menstruacionit retrograd (në drejtim të kundërt), që do të thotë kthim i gjakut menstrual nga tubat e mitrës për në bark. Ky tip menstruacioni mendohet të jetë i trashëguar, i bazuar në një anomali të sistemit imunitar, në një infeksion të indit të endometrit gjatë një operacioni, në një përhapje të indit endometrial nëpërmjet rrugëve të gjakut ose atyre limfatike.
- Një teori tjetër thekson që qelizat normale të organizmit shndërrohen në qeliza endometriale, nëpërmjet proçesit të metaplazisë. Megjithatë, shkaku i këtij shndërrimi nuk shpjegohet. Dyshohet që kjo mund të jetë një anomali që egziston që në embrionin e femrës.
- Faktorët e lidhur me ambientin janë gjithashtu të rëndësishëm në zhvillimin e endometriozës.
- Endometrioza konsiderohet një fenomen, në zhvillimin e të cilit ndikojnë njëkohësisht disa faktorë.

Simptomat e endometriozes jane:
- Menstruacionet e dhimbshme, ku dhimbjet fillojnë të shfaqen disa ditë përpara menstruacioneve të radhës.
- Dhimbje të përsëritura në fund të barkut
- Menstruacione të çrregullta dhe në sasi të mëdha
- Çrregullime të koagulimit (mpiksjes së gjakut)
- Dhimbje gjatë urinimit ose jashtëqitjes
- Çrregullime të humorit, të shkaktuara nga dhimbjet e shpeshta
- Ndjesia e fryrjes, dobësi e përgjithshme trupore, plogështi
- Pamundësi për të mbetur shtatzanë (sterilitet)
Simptomat mund të shkaktohen gjithashtu edhe nga zhvillimi i indit fibroz dhe cikatriceve në brendësi të organeve të tjera, duke çrregulluar funksionet e tyre.
Në fakt, duhet treguar vëmendja e duhur përpara simptomave të mësipërme, pasi ato shumë shpesh ngatërrohen me çrregullime të karakterit psiqik. Këto simptoma janë shpesh shfaqje e një sëmundjeje të vërtetë, dhe përmirësohen vetëm pas menopauzës. Studimet kanë treguar që edhe një femër që paraqet menstruacione të rregullta, vuan nga dhimbjet menstruale gjatë, të paktën, 5 vjetëve (në total) të jetës së saj.

- Njohja e mjekut me historinë e sëmundjes dhe me simptomat e pacientes
- Egzaminimi gjinekologjik
- Ekografia gjinekologjike
- Laparoskopia, e shoqëruar me marrjen e materialit për egzaminim mikroskopik (biopsi)

Trajtimi i endometriozës bëhet në varësi të vendit ku ajo është zhvilluar dhe të shkallës së simptomave. Përgjithësisht, rekomandohet kombinimi i disa mënyrave të trajtimit.
Trajtimi medikamentoz
Në varësi të shkallës së simptomave të shfaqura, mund të përdoren hormone të ndryshme, si:
- Hormonet progestative: nxisin shtatzaninë, vënë vezoret në qetësi dhe lehtësojnë dhimbjet.
- Danazoli: hormon sintetik që bllokon prodhimin e estrogjenëve nga vezoret, duke qetësuar kështu simptomat e endometriozës. Ai mundëson tharjen dhe tkurrjen e endometriozës. Përmes efekteve të padëshiruara të tij, mund të përmendim: mashkullizimin e femrës nën trajtim, me shfaqjen e mustaqeve, trashjen e zërit, etj.
- Danazoli i kombinuar me analogët e GnRH (faktorit nxitës të vezoreve, që prodhohet në tru) bllokon hipofizën. Meqenëse vezoret nxiten nga hipofiza për prodhimin e hormoneve të tyre (estrogjen dhe progesteron), bllokimi i hipofizës krijon një gjendje të ngjashme me menopauzën.
- Tek pacientet e reja, të cilat nuk dëshirojnë shtatzani për momentin, dhe në prani të endometriozës relativisht të lehtë, mund të rekomandohen pilulat kontraceptive. Duke bllokuar ovulacionin (formimin e vezës), ato bllokojnë çlirimin e hormoneve të trurit, që normalisht nxisin vezoret për prodhimin e hormoneve.
- Trajtimi i dhimbjes: shumë femra përdorin spazmolitikë (lirues të spazmave) për qetësimin e dhimbjeve. Ashtu si për të gjitha dhimbjet kronike, përdorimi i qetësuesve të dhimbjeve (antialgjikëve) duhet të jetë i kufizuar në kohë, për të evituar rrezikun e krijimit të varësisë prej tyre. Ky trajtim duhet të kryhet nën këshillimin e rregullt nga mjeku specialist.
Trajtimi kirurgjikal
Ndërhyrja kirurgjikale është shpesh e paraprirë nga trajtimi me medikamente, por edhe nëse operacioni kryhet i pari, ai nuk e përjashton mundësinë e trajtimit medikamentoz pasues. Pra, parimi i trajtimit në rastin e endometriozës bazohet në kombinimin e këtyre dy mënyrave.
- Laparoskopia: është një ndërhyrje e lehtë, që përdoret për konfirmimin e diagnozës së endometriozës. Gjatë ndërhyrjes, mjeku mund të heqë edhe pllakat e endometriozës, nëpërmjet djegies elektronike, lazerit ose bisturisë.
- Ngjyrosja blu: konsiston në dhënien përpara kryerjes së laparoskopisë, të një substance blu që fiksohet në qelizat e endometrit. Kjo metodë është ende në nivel eksperimental. Në sajë të ngjyruesit blu të përdorur, ajo mundëson dallimin e vatrave shumë të vogla të endometriozës, të cilat hiqen më pas nëpërmjet laparoskopisë.
- Laparotomia: është një metodë që rezervohet vëtëm për rastet shumë të rënda, ose kur pllakat e endometriozës janë shumë të mëdha dhe mbulojnë organet e legenit.
Mjekësia alternative
Përveç mënyrave të mësipërme të trajtimit medikamentoz dhe kirurgjikal, janë të mundshme edhe metodat e mjekësisë alternative. Efekti i tyre është i ndryshëm në pacientë të ndryshëm, por e rëndësishme është që çdo pacient të gjejë trajtimin optimal, që i përshtatet më mirë. Më poshtë paraqiten disa mënyra trajtimi alternativ:
- Masazhet për lehtësimin e kontrakturave muskulare
- Mjekësia kineze tradicionale: Shiatsu, akupunktura, akupresura
- Banjat, kompresat dhe balta: për lehtësimin e kontrakturave muskulare
- Kompresa ose jastikë të ngrohtë
- Teknikat e çlodhjes dhe relaksimit, si joga, trajnimi autogjenik, biofeedbacku (reagimet e shëndetshme)
Steriliteti është ndërlikimi më i shpeshtë i endometriozës, që shfaqet në rreth 50% të pacienteve të prekura prej saj. Ka shumë të ngjarë që ai krijohet nga formimi i ngjitjeve dhe cikatriceve në brendësi të organeve që luajnë rol thelbësor gjatë shtatzanisë, siç janë vezoret dhe tubat e mitrës.
Fillimi sa më herët i trajtimit dhe kryerja e tij në mënyrë korrekte, rrit mundësinë e realizimit të shtatzanisë në këtë kontigjent pacientesh.
Edhe pas trajtimit efikas të endometriozës, rishfaqja e saj është e mundshme, madje e shpeshtë. Përgjithësisht simptomat e saj zhduken pas instalimit të menopauzës, në momentin kur ndërpritet plotësisht cikli menstrual.