Testi i hidrogjenit (H2) (Testi i H2 për intolerancën ndaj laktozës, Testi i hidrogjenit në frymën e nxjerrë, Testi respirator i hidrogjenit)
Kontribuesit (Dr. med. Fritz Grossenbacher, Doris Zumbühl, Dr. Yllka Themeli)

Çfarë është testi i hidrogjenit?
Testi i hidrogjenit, shkurt testi i H2, shërben për të nxjerrë në pah intolerancën ndaj laktozës. Ai verifikon nëse zorrët mund ta zbërthejnë ose jo laktozën (sheqerin e qumështit). Për t'u tretur, laktoza (që gjendet psh. në qumështin e kafshëve) duhet të ndahet në zorrën e hollë në dy përbërës, glukozë dhe galaktozë, nga enzima laktazë. Në praninë e intolerancës ndaj laktozës, kjo e fundit mbetet në zorrë dhe shpërbëhet nga bakteret në zorrën e trashë. Pastaj prodhohet hidrogjeni, i cili nëpërmjet gjakut arrin në mushkëri, nga ku edhe eleminohet nëpërmjet frymënxjerrjes. Kur laktoza tretet normalisht, përmbajtja e hidrogjenit në ajrin e nxjerrë nuk rritet. Testi i hidrogjenit është testi më i shpeshtë për intolerancën ndaj laktozës. Ekziston edhe testi i tolerancës ndaj laktozës, në të cilin matet niveli i sheqerit në gjak pas administrimit të laktozës. Këto dy teste shpesh kryhen paralelisht.
Testi i hidrogjenit është një ekzaminim i gastroenterologjisë, që është degë e mjekësisë interne (të organeve të brendshme).
A kërkon ky ekzaminim ndonjë përgatitje paraprake specifike?
Para se të kryeni testin e hidrogjenit nuk duhet të keni konsumuar ushqim për të paktën 4 orë. Përveç kësaj, dy ditë para testit nuk duhet të konsumoni produkte me laktozë. Është mjeku ai që jep informacionet dhe udhëzimet përkatëse.
Çfarë duhet të sqarohet përpara ekzaminimit?
Asnjë sqarim i veçantë nuk është i nevojshëm përpara këtij ekzaminimi.
Si realizohet testi i hidrogjenit?
Përmbajtja e hidrogjenit në ajrin që nxjerrim gjatë proçesit të frymënxjerrjes (ekspirimit) matet me një pajisje respiratore, që në fillim jep një vlerë fillestare. Pastaj pacienti pi një solucion me përmbajtje laktoze, dhe përmbajtja e hidrogjenit matet përsëri çdo 30 minuta për tre orë. Nëse përqendrimi i hidrogjenit në frymën e nxjerrë ngrihet mbi një vlerë të caktuar, konfirmohet intoleranca ndaj laktozës. Nëse nuk rritet, nuk ka intolerancë ndaj laktozës.
Kur kryhet testi i hidrogjenit?
Testi respirator i hidrogjenit shërben për diagnostikimin e intolerancës ndaj laktozës dhe kryhet në rastet me çrregullime të tretjes.
Arsyet më të shpeshta për kryerjen e testit të hidrogjenit janë:
A paraqet testi i hidrogjenit ndonjë rrezik apo efekte të padëshiruara?
Ky test është i sigurt. Në prani të një intolerance efektive ndaj laktozës, çrregullimet prej saj mund të shfaqen disa orë pas testit për shkak të solucionit të laktozës së gëlltitur (fryrje barku, diarre dhe dhimbje barku).