logo
Përgatitur dhe përshtatur nga sprechzimmer.ch.
Kontribuesit (Dr. med. Fritz GrossenbacherDoris ZumbühlDr. Yllka Themeli)
Radiografia: ekzaminim imazherik që bën të mundur përftimin e pamjeve të pjesës së brendshme të trupit, me ndihmën e rrezeve X.
Radiografia: ekzaminim imazherik që bën të mundur përftimin e pamjeve të pjesës së brendshme të trupit, me ndihmën e rrezeve X.

Çfarë është radiografia?

Radiografia është një ekzaminim që bën të mundur përftimin e pamjeve të pjesës së brendshme të trupit, me ndihmën e rrezeve X. Ekzaminimet radiografike përdoren kryesisht për diagnostikimin dhe kontrrollin e efektit të trajtimit në sëmundjet e zemrës dhe të mushkërive, të kraharorit, të barkut, si dhe të kockave dhe kyçeve. Aparatet radiografike bashkëkohore punojnë me të dhëna dixhitale, në mënyrë që pamjet të regjistrohen elektronikisht (radiografia dixhitale) dhe, nëse nevojitet, edhe të printohen. Radioskopia është një proçedurë e veçantë radiografike, me ndihmën e të cilës jo vetëm që përftohet një imazh «fiks», por edhe një seri e shpejtë e imazheve të transmetuara në monitor. Kjo metodë bën të mundur që të ndiqen saktësisht fazat e lëvizjeve në kohë reale, siç është psh. proçesi i gëlltitjes. Në varësi nga problemi, radiografia ose radioskopia kryhen me ose pa lëndë të kontrastit.

Rrezet X janë valë elektromagnetike të ngjashme me rrezet e dritës. Gjatë ekzaminimit, një tub me rreze X lëshon një rrezatim të dobët X, i cili drejtohet për në trup nga një pllakë speciale fotografike ose nga një detektor dixhital me rreze X. Me ndihmën e diafragmës, rrezet X përqendrohen specifikisht në zonën e trupit që do të ekzaminohet, në mënyrë që rrezatimi të jetë shumë i dobët për pjesët fqinje. Radiografia zgjat vetëm disa sekonda dhe është plotësisht e padhimbshme. Rrezet X nuk janë as të dukshme dhe as të perceptueshme. Ato gjenden edhe jashtë mjekësisë. Për shembull, pasagjerët në një aeroplan ekspozohen ndaj rrezatimit X natyral, i cili gjatë një fluturimi të gjatë korrespondon afërsisht me dozën e një radiografie të mushkërive.

A nevojitet ndonjë përgatitje e veçantë para këtij ekzaminimi?

Nëse do të ekzaminohen organet e barkut dhe të legenit, pacienti duhet të jetë esëll. Përveç kësaj, nuk nevojitet asnjë përgatitje tjetër e veçantë.

Çfarë duhet të sqarohet përpara ekzaminimit?

Së pari, duhet të përjashtohet prania e një shtatzënie. Përdorimi i lëndës së kontrastit është i ndaluar ose mund i mundshëm vetëm pas marrjes së masave paraprake, në këto raste:

  • Alergji e njohur ndaj lëndës së kontrastit
  • Sëmundje të veshkave me dëmtim të funksionit të tyre
  • Hipertireozë (lëndët e kontrastit me përmbajtje të jodit mund ta përkeqësojnë këtë sëmundje)
  • Shtatzënia

Si realizohet radiografia?

Në fillim, pacienti vendoset pranë aparatit të radiografisë, në pozicionin ulur ose shtrirë. Zona e trupit që do të ekzaminohet zakonisht duhet të zhvishet dhe bizhuteritë duhet të hiqen. Radiografia zgjat vetëm disa sekonda. Ndonjëherë është e nevojshme që të mbani frymën për disa sekonda, për të shmangur imazhet e paqarta. Përgjithësisht, realizohen dy imazhe në pozicione të ndryshme, ndonjëherë edhe tre, si në rastin e radiografisë së kockave.

Gjatë radioskopisë, pacienti vendoset pranë tavolinës të palosshme të ekzaminimit, në pozicionin në këmbë ose shtrirë. Mbi tavolinë është një tub me rreze X që lëshon, gjatë gjithë kohës së ekzaminimit, një rrezatim të dobët, të përqendruar vetëm në zonën e trupit që do të ekzaminohet, si në radiografinë klasike. Detektorët matin rrezatimin në hyrje dhe në vazhdim realizohen radiografitë e transmetuara direkt në monitor.

Kur nevojitet radiografia?

Ekzaminimi më i shpeshtë radiografik është radiografia e kraharorit (toraksit), që ka për qëllim të vlerësojë zemrën dhe mushkëritë. Përveç saj, të shpeshta janë edhe radiografitë e skeletit, ndërsa më të rralla janë ato të stomakut dhe të zorrës. Mamografia është gjithashtu një ekzaminim radiografik, që gjithsesi realizohet me një aparat radiografik të veçantë.

Shkaqet më të shpeshta që kërkojnë kryerjen e një radiografie ose një radioskopie janë:

A paraqet radiografia rreziqe ose efekte të padëshiruara?

Ky ekzaminim është i padhimbshëm dhe përgjithësisht pa rreziqe. Gjatë kryerjes së tij, pacienti është i ekspozuar për një kohë të shkurtër ndaj rrezatimit X. Në parim, rrezet X mund të dëmtojnë genet, por gjithsesi rreziku është jashtëzakonisht i pakët për shkak të pajisjeve moderne që disponohen aktualisht. Megjithatë, radiografia nuk duhet të kryhet gjatë periudhës së shtatzënisë, me përjashtim të rasteve kur është absolutisht e nevojshme.

Dr. med. Fritz Grossenbacher

Fritz Grossenbacher ka studiuar Mjekësi në Bern. Ai zotëron një master në Edukim Mjekësor (Medical Education) nga universitet e Bernës dhe Çikagos dhe një Çertifikatë në "Teaching Evidence based Medicine" nga Qendra e Mbretërisë së Bashkuar Cochrane në Oksford.

Doris Zumbühl

Doris Zumbühl është një asistente klinike e diplomuar në Mjekësi. Ajo ka kryer disa kurse trajnimi te avancuara në gazetari, IT dhe përpunim grafik.

Dr. Yllka Themeli

Yllka Themeli ka studiuar Mjekësi të përgjithshme në Tiranë. Është specializuar në Endokrinologji, fushë në të cilën ka kryer edhe studimet pasuniversitare, si Masterin dhe Doktoraturën. Prej 18 vitesh specialiste Endokrinologe dhe njëkohësisht Pedagoge në Universitetin e Mjekësisë së Tiranës.

Përdoruesit kanë vizituar po ashtu...