logo
Përgatitur dhe përshtatur nga sprechzimmer.ch.
Kontribuesit (Dr. med. Fritz GrossenbacherDoris ZumbühlDr. Yllka Themeli)
Kolikat e foshnjes: kriza të forta të qarash.
Kolikat e foshnjes: kriza të forta të qarash.

Kolikat e foshnjës janë kriza të forta të dhimbjeve të barkut, të shoqëruara me të qara të forta dhe të vazhdueshme, që shfaqen zakonisht gjatë tre muajve të parë të jetës. Ato konsiderohen si dhimbje të tipit shtrëngues në zonën e barkut.
 
Veçori karakteristike e këtyre krizave është që ato shfaqen pasdite ose në mbrëmje, zakonisht pas ushqyerjes. Këto situata janë të vështira për t’u përballuar, si për beben, ashtu edhe për prindërit, sepse fëmija qan për orë të tëra dhe ata janë të pafuqishëm për ta qetësuar.

Shkaku i këtyre kolikave është ende i panjohur, por supozohet se kanë origjinë ushqimore ose organike. Çrregullimet që shfaqen në një moshë kaq të hershme mund të jenë shprehje e një mbingarkese psikologjike të bebes, që reflekton mbingarkesën e prindërve ose problemet e marrëdhënieve ndërmjet tyre.

Edhe pse dhimbjet mund të jenë të forta, foshnja zakonisht gëzon shëndet të plotë. Këto kriza ndërpriten pas disa muajsh. Gjithsesi, në çdo rast, kur foshnja paraqet kriza dhimbjesh, të shoqëruara nga të qara të vazhdueshme, ai duhet të kontrollohet menjëherë nga mjeku pediatër neonatolog ose mjeku i këshillimores së fëmijëve, me qëllim që të përjashtohet çdo sëmundje tjetër që mund të jetë e pranishme.

Si të tilla mund te jenë sëmundja e refluksit (kthimi mprapsht në ezofag i lëngut acid të stomakut), që konstatohet në rreth 2% e bebeve, dhe alergjinë nga proteinat e qumështit, që konstatohet tek rreth 15% e tyre.

Shkaqet e krizave të dhimbjeve të barkut tek foshnjat janë të shumta dhe ende të paqarta plotësisht.

Supozohet se shkaqet më kryesore janë:

Shkaqet ushqimore

  • Kur bebja pi shumë shpejt, fryrja e dhimbshme e barkut shkaktohet nga thithja e ajrit që shkon në nivelin e zorrës
  • Kur kalueshmëria e ushqimit në nivelin e zorrës është e çrregulluar, pra e përshpejtuar ose e ngadalësuar, mund të çojë në grumbullimin e gazrave në të, duke shkaktuar dhimbje.
  • Kur foshnja është e uritur, në kushte kur nëna nuk prodhon mjaftueshëm qumësht, shfaqen dhimbjet e barkut nga uria.
  • Kur foshnja është i kequshqyer, dhimbjet e barkut janë pasojë e urisë ose e mbingarkesës me ushqim.
  • Kur foshnja paraqet alergji ose mostolerancë ndaj disa ushqimeve, kjo mund të provokojë fryrje të barkut (si psh. në rastin e alergjisë ndaj proteinave të qumështit të lopës ose mostoleranca e laktozës së qumështit).

Shkaqet psikologjike

Këtu përfshihen situatat e vështira për t’u përballuar në planin psikologjik, si psh. mbingarkesa e prindërve, refuzimi i bebes nga ana e tyre, problemet e marrëdhënieve ndërmjet prindërve, situatat e konkurrencës ndërmjet fëmijëve brenda familjes, etj. 

Shkaqet organike

Si të tilla konsiderohen: infeksionet e veshit (otitet), infeksionet e rrugëve të frymëmarrjes, infeksionet e rrugëve urinare, sëmundja e refluksit (kthimi mbrapsht i lëngut acid të stomakut, në nivelin e ezofagut), çrregullimet e tretjes (diarrea, kapslliku), inflamacioni i zorrës për shkak të parazitëve (krimbave) dhe invaginacioni i zorrës (futja e një pjese të zorrës në një pjesë tjetër të saj).

Kolika e foshnjës karakterizohet nga simptomat e mëposhtme:

  • Të qara të forta, që nuk qetësohen për 2-3 orë, disa ditë në javë për rrreth 3 muaj.
  • Barku paraqitet i tendosur dhe i ndjeshëm ndaj prekjes. Këmbët mblidhen me forcë.
  • Lëkura është e zbehtë ose e skuqur, tepër e djersitur.
  • Përgjithësisht krizat fillojnë menjëherë pas ushqyerjes, pasdite ose në fillim të mbrëmjes.
  • Foshnja paraqet gromësira të shumta nga stomaku dhe fryrje të barkut
  • Gjithashtu konstatohen çrregullime të gjumit dhe të ushqyerjes.

Mjeku pediatër neonatolog ose i këshillimores së fëmijëve, që konsulton rastin e bebes me kolika, duhet të përcaktojë diagnozën, duke përjashtuar mundësinë e pranisë së sëmundjeve të tjera, që janë të shpeshta në tremujorin e parë të jetës së foshnjes. Për këtë qëllim:

  • Ai duhet të informohet në mënyrë të detajuar nga prindërit e bebes rreth simptomave të shfaqura, lidhjes së mundshme të krizave me ushqyerjen, orën e shfaqjes së krizave dhe zgjatjen e tyre.
  • Duhen kryer testet neurologjike për të përjashtuar ndonjë sëmundje të mundshme të trurit.
  • Duhet bërë ekografia e barkut për evidentimin ose përjashtimin e një refluksi  apo të ndonjë problemi të lindur të barkut.
  • Duhet bërë analiza e feçeve (jashtëqitjeve) të bebit, për të përjashtuar një infeksion të mundshëm ose praninë e krimbave.
  • Duhen bërë analizat e gjakut të bebes, për të përjashtuar sëmundje të tjera të mundshme.
  • Videot e regjistruara të foshnjes gjatë veprimtarisë së tij ditore mund ta orientojnë më mirë mjekun për vendosjen e diagnozës, pasi ato i japin atij informacion të rëndësishëm lidhur me marrëdhëniet ndërmjet prindërve dhe fëmijëve, pozicionin e kokës së foshnjes gjatë ushqyerjes, etj.
  • Prindërit nuk duhet të ndihen fajtorë  për situatën, përkundrazi ata duhet të flasin menjëherë me mjekun pediatër. Nëse shkaku i vërtetë i kolikave të foshnjes është mbingarkesa e prindërve, veçanërisht e nënës, evitimi i saj mund të çojë në zgjidhjen e situatës.
 Kolikat e foshnjes: trajtime të ndryshme janë të mundshme.
Kolikat e foshnjes: trajtime të ndryshme janë të mundshme.

Trajtimi i kolikave të foshnjës varet nga shkaqet e tyre, nëse ato janë përcaktuar. Kështu:

  • Në rastin e alergjisë dhe/ose mostolerimit të ushqimeve, rekomandohet modifikimi i regjimit ushqimor të bebes.
  • Gjatë periudhës së ushqyerjes së fëmijës me gji, nëna duhet të evitojë konsumin e ushqimeve që mund të shkaktojnë fryrje të barkut, veçanërisht qepën, lakrën, frutat si mollët dhe kumbullat, ushqimet pikante, produktet që përmbajnë kafeinë si çokollata, kafja, çaji dhe produktet e gazuara.
  • Në rastin e pranisë së sëmundjeve të tjera, si infeksionet apo krimbat, ato duhet të trajtohen menjëherë, përkatësisht me antibiotikë ose medikamente që eleminojnë krimbat.
  • Në rastet e lehta të invaginacionit të zorrës, rekomandohen masazhe të lehta në zonën e barkut. Nëse masazhet nuk e zgjidhin situatën, mund të jetë e nevojshme ndërhyrja kirurgjikale.
  • Është mjaft e rëndësishme që prindërit të flasin hapur për problemet e tyre dhe konfliktet familjare. Në këto situata mund të jetë i dobishëm konsultimi i njërit ose të dy prindërve me një psikolog. Gjithashtu mund të jetë efikas edhe këshillimi me një mjek ose infermiere të këshillimores së fëmijëve, ose me një grup mbështetës për problemet psikologjike.

Gjatë episodeve të krizave, rekomandohet: mbajtja e foshnjes në pozicionin ngritur, në kraharorin e nënës, aplikimi i banjave me ujë të ngrohtë dhe masazhet e lehta në zonën e barkut. Gjithashtu, është mjaft i rëndësishëm komunikimi i vazhdueshëm i nënës me foshnjën, nëpërmjet të folurit me ëmbëlsi, të kënduarit, vendosja e një muzike të lehtë dhe të gëzueshme, si dhe nxjerrja e foshnjes për shëtitje në ajër të pastër (në kohë të përshtatshme).

Kujdes: një foshnje që qan pa pushim dhe duket se ka dhimbje barku nuk duhet të neglizhohet në asnjë rast, sepse në varësi të shkakut, gjendja mund të përkeqësohet në mënyrë tragjike për jetën e saj.

 

Simptomat e kolikës së foshnjës zhduken përgjithësisht pas 3-6 muajsh. Mbingarkesa e prindërve është një problem i rëndësishëm, që mund të çojë në keqtrajtimin ose nënvlerësimin e problemeve të foshnjes.

Dr. med. Fritz Grossenbacher

Fritz Grossenbacher ka studiuar Mjekësi në Bern. Ai zotëron një master në Edukim Mjekësor (Medical Education) nga universitet e Bernës dhe Çikagos dhe një Çertifikatë në "Teaching Evidence based Medicine" nga Qendra e Mbretërisë së Bashkuar Cochrane në Oksford.

Doris Zumbühl

Doris Zumbühl është një asistente klinike e diplomuar në Mjekësi. Ajo ka kryer disa kurse trajnimi te avancuara në gazetari, IT dhe përpunim grafik.

Dr. Yllka Themeli

Yllka Themeli ka studiuar Mjekësi të përgjithshme në Tiranë. Është specializuar në Endokrinologji, fushë në të cilën ka kryer edhe studimet pasuniversitare, si Masterin dhe Doktoraturën. Prej 18 vitesh specialiste Endokrinologe dhe njëkohësisht Pedagoge në Universitetin e Mjekësisë së Tiranës.