Shtatzënia tubare (Shtatzënia intersticiale)
Kontribuesit (Dr. med. Fritz Grossenbacher, Dr. med. Gerhard Emrich, Dr. med. Daniel Desalmand, Doris Zumbühl)

Në rreth 1% të të gjitha shtatzanive, veza strehohet jashtë mitrës, në zgavrën e barkut ose në tubat e Fallopit. Pikërisht në këto raste bëhet fjalë për shtatzaninë që zhvillohet jashtë zgavrës së mitrës.
Më e shpeshta prej formave të saj është ajo tubare, pra në tubat e Fallopit. Një shtatzani jashtë mitrës mund të rrezikojë jetën e gruas shtatzanë. Në sajë të teknikave të reja të egzaminimit, shtatzania jashtë mitrës tashmë diagnostikohet shumë shpesh në kontrollin e parë të shtatzanisë, duke i dhënë mundësinë mjekut obstetër-gjinekolog të fillojë menjëherë trajtimin.
Në rreth gjysmën e rasteve, shtatzania tubare shkaktohet nga një çrregullim që ndodh gjatë transportit të vezës në tubat e Fallopit. Kështu, veza nuk arrin në mitër, por fiksohet në këto tuba. Shkaqet e mundshme të kësaj situate mund të jenë: infeksioni i tubave të Fallopit (shpesh nga Klamidia), ose çrregullime të lidhura me vetë vezën.
Faktorët e rrezikut që mund të shkaktojnë një shtatzani tubare:
- Ndërhyrjet kirurgjikale në zonën e barkut, veçanërisht në pjesën e poshtme të tij.
- Histori personale për shtatzani abdominale (në bark) ose në tubat e Fallopit.
- Kontracepsioni me sterile ose dispozitivë intrauterinë (pajisje që vendosen brenda mitrës për të ndaluar shtatzaninë
- Inseminimi artificial (shtatzania e realizuar në mënyrë artificiale)
- Dëmtimet e tubave të Fallopit, të shkaktuara nga ndërprerjet vullnetare të shtatzanisë, ligaturat (lidhjet) ose ndërhyrjet kirurgjikale
- Pilulat kontraceptive (që parandalojnë shtatzaninë)

Në fillim, një shtatzani jashtë mitrës zhvillohet si një shtatzani normale. Shpesh, shenjat e një shtatzanie kalojnë plotësisht pa u vënë re. Ato përfshijnë: mungesën e menstruacioneve, dhimbje në fund të barkut dhe testin e shtatzanisë pozitiv.
Egzaminimi mjekësor duhet të kryhet menjëherë në rastet kur:
- Dhimbjet e barkut janë të forta dhe me origjinë të papërcaktuar, veçanërisht në rast se dyshohet për shtatzani (mungesë e menstruacioneve dhe test i shtatzanisë pozitiv).
- Gjakrrjedhje nga vagina, që mund të jenë në formën e sasive të vogla të gjakut ose të ngjashme me ato të menstruacioneve.
- Dobësi e përgjithshme trupore, marrje mendsh
- Çarja e tubit të Fallopit përfaqëson një urgjencë mjekësore.
Simptomat që mund të tregojnë për këtë fenomen janë:
- Dhimbje që shtohen dhe me origjinë të papërcaktuar në fundin e barkut
- Bark i fryrë
- Marrje mendsh, që mund të arrijnë deri në gjendje të fikëti (nga hemorragjia e brendshme)
- Dobësi e përgjithshme trupore

Për diagnostikimin e shtatzanisë tubare, janë të nevojshme:
- Njohja e mjekut me simptomat e pacientes
- Testi i shtatzanisë
- Egzaminimi gjinekologjik
- Ekografia gjinekologjike transvaginale (nga vagina)
- Analizat e gjakut për dozimin e hormonit të shtatzanisë (gonadotropina korionike humane)

Shtatzania jashtë mitrës duhet të diagnostikohet dhe trajtohet sa më shpejt nga personeli mjekësor, me qëllim që të eleminohet embrioni i vendosur gabimisht jashtë hapësirës së mitrës.
Trajtimi medikamentoz
Në disa raste rekomandohet perfuzioni me Metotreksat që pengon rritjen e embrionit. Në këtë rast, embrioni vdes dhe eleminohet në mënyrë spontane. Gjithsesi, kjo metodë është e mundur vetëm në fillim të shtatzanisë.
Operacionet
Në rastin e një shtatzanie tubare, mund të nevojitet:
- Laparoskopia, që konsiston në një prerje të vogël, në vendin ku është lokalizuar embrioni, duke realizuar heqjen e tij. Ajo kryhet në pjesën më të madhe të rasteve.
- Laparotomia, që konsiston në hapjen e zgavrës së barkut dhe kryhet në rastet kur rrezikohet për çarje të tubit të Fallopit ose kur ajo ka ndodhur (me humbje të sasive të mëdha të gjakut). Gjithashtu, laparotomia bëhet e domosdoshme në rastet kur mjeku nuk arrin ta eleminojë embrionin me anën e laparoskopisë, siç ndodh për shembull në rastin e aderencave (ngjitjeve).
Në pjesën më të madhe të shtatzanive tubare, embrioni nuk vazhdon të zhvillohet. Kjo përfundon shpesh me abort spontan.
Vazhdimi i një shtatzanie jashtë mitrës mund të vërë në rrezik jetën e gruas shtatzanë. Në rastet më të rënda, çarja e tubit të Fallopit shoqërohet me hemorragji të brendshme. Në këtë rast, jeta e gruas rrezikohet seriozisht (gjendje shoku, kolaps qarkullues).
Pas ndërlikimeve akute, fertiliteti i pacientes shpesh ulet dhe rreziku për një shtatzani tjetër jashtë mitrës është i lartë.