Polipet intestinale (Polipet e zorrës)
Kontribuesit (Dr. med. Fritz Grossenbacher, Doris Zumbühl, Dr. Yllka Themeli)

Polipet intestinale janë tumore që zhvillohen në gjendrat e mukozës (shtresës së brendshme) të zorrës. Ata mund të jenë të vetëm ose të shumtë, me forma dhe madhësi të ndryshme.
Tek pjesa më e madhe e pacientëve polipet konstatohen në rektum (në pjesën fundore të zorrës së trashë). Në 95% të rasteve bëhet fjalë për adenoma, që janë tumore beninje (të parrezikshme) të zorrës.
Përgjithësisht polipet e vogla janë beninje, ndërkohë që kur ato arrijnë një madhësi të caktuar mund të shndërrohen në malinje (kancer). Për këtë arsye, ato duhet të ekzaminohen, të trajtohen me kujdes nga mjeku, dhe të mbahen nën kontroll lidhur me madhësinë.
Polipet janë të pranishme tek 10% e njerëzve në përgjithësi, dhe shpeshtësia e tyre rritet me kalimin e moshës.
Shkaqet e mirëfillta të shfaqjes së polipeve të zorrës nuk janë ende të njohura plotësisht. Disa sëmundje të trashëgueshme, të rralla, mbartin një shkallë të lartë të rrezikut për kancer të zorrës. Si të tilla mund të përmendim: polipet adenomatoze familjare (PAF), sindroma Gradner, sindroma Petz-Xhegers dhe sindromat Lynch I dhe Lynch II.
Ushqyerja duket se ndikon në shfaqjen e polipeve, por ende nuk ka argumente të sigurta në këtë drejtim.
Faktorët e rrezikut:
- Ushqyerja e pasur me yndyrna, veçanërisht me yndyrna shtazore.
- Konsumi i pamjaftueshëm i ushqimeve që përmbajnë fibra.
- Konsumi i alkoolit
- Duhanpirja

Simptomat janë në varësi të madhësisë së polipit. Polipet e vogla janë përgjithësisht asimptomatike (pa shqetësime) dhe më shpesh diagnostikohen rastësisht gjatë kolonoskopisë.
Simptomat mund të jenë:
- Diarre me origjinë të panjohur
- Feçe të përziera me gjak dhe mukus (sekrecione)
- Dhimbje të stomakut me origjinë të panjohur
- Anemi e shkaktuar nga humbja e vazhdueshme e gjakut, pas gjakosjes së polipeve.

Për diagnostikimin e polipeve të zorrës, janë të nevojshme:
- Njohja e mjekut specialist gastro-enterolog me simptomat e pacientit, si dhe historinë familjare të tij lidhur me sëmundje të veçanta.
- Analiza e gjakut dhe ekzaminimi i feçeve (jashtëqitjeve), për të evidentuar gjakun në to.
- Ekzaminimi endoskopik i rektumit (rektoskopia).
- Ekzaminimi endoskopik i zorrës së trashë, në të gjithë gjatësinë e saj (kolonoskopia): për realizimin korrekt të tij nevojitet zbrazja paraprake e të gjithë zorrës së trashë.
- Radiografia: kryhet pas marrjes së lëndës së kontrastit, që i bën të dukshme polipet në formën e zonave të errëta.

Për arsye parandalimi, polipet duhet të hiqen me rrugë kirurgjikale dhe t`i nënshtrohen ekzaminimit histologjik (biopsisë). Polipet e mëdha duhet të hiqen domosdoshmërisht, për shkak të rrezikut të madh për kancer që ato mbartin. Gjithsesi, edhe pas kësaj proçedure, ato mund të rishfaqen në 30-50% të rasteve.
Polipet e mëdha mund të pengojnë kalimin e feçeve (jashtëqitjeve) dhe të shkaktojnë bllokim të zorrës së trashë. Rreth 2-10% e polipeve kanë ecuri malinje. Nga ana tjetër, rreth 90% e kancereve të zorrës e marrin origjinën nga polipet malinje.

Parandalimi i zhvillimit të polipeve konsiston në ushqyejen e ekuilibruar, me sa më pak yndyrna shtazore dhe sa më shumë fibra (perime, fruta, produkte që përmbajnë grurë). Ndërprerja e alkoolit dhe duhanit ndikon në uljen e shkallës së rrezikut për kancer të zorrës.
Në rastet e trashëgimisë familjare ose të diagnostikimit dhe heqjes kirurgjikale të polipeve të zorrës, rekomandohet kryerja e kolonoskopisë së kontrollit në intervale të rregullta kohore, sipas rekomandimit të mjekut specialist gastro-enterolog.