Aneurizma e aortës (Zgjerimi i aortës)
Kontribuesit (Dr. med. Fritz Grossenbacher, Doris Zumbühl, Dr. Yllka Themeli)

Aorta përfaqëson arterien më të madhe të trupit, që e ka origjinën në barkushen e majtë të zemrës, ku merr gjakun e pasur me oksigjen dhe e shpërndan atë në të gjitha indet e organizmit.
Aneurizma përkufizohet si një zgjerim në formën e qeses, i lokalizuar në nivelin e një arterieje.
Në rastin e aneurizmës së aortës, ky zgjerim lokalizohet në nivelin e murit të aortës, në pjesën ngjitëse të saj (aorta ascendente), në harkun e saj, në pjesën zbritëse (aorta descendente), në pjesën e kraharorit (aorta torakale), të barkut (aorta abdominale), ose të arterieve të tjera të trupit që rrjedhin prej tyre. Rritja e tensionit arterial në një person me aneurizëm të aortës rrit shkallën e rrezikut për çarje të saj, që vë në rrezik jetën e pacientit.
Për aneurizmat e vogla, është i mjaftueshëm trajtimi konservator (me medikamente), ndërkohë që për aneurizmat e mëdha është e domosdoshme ndërhyrja kirurgjikale.
Njihen tri forma kryesore të aneurizmës, shkaqet e të cilave janë si më poshtë:
1. Aneurizma e vërtetë
Aneurizma e vërtetë është forma më e shpeshtë e saj. Bëhet fjalë për një fryrje të të gjithë murit të arteries në një zonë të veçantë (si tullumbace). Shkaqet:
- Dëmtimi i lindur i murit të arterieve.
- Dëmtimi i murit të arterieve për shkak të një arterioskleroze (kalcifikimi i arterieve).
- Më rrallë, dëmtimi i murit të arterieve për shkak të sëmundjeve infektive, siç ndodh në rastin e sifilizit.
2. Aneurizma e çarë
Çarja e aneurizmës ndodh në nivelin e pjesës së brendshme të murit të arteries. Për shkak të presionit të lartë që ushtrohet në arterie, gjaku rrjedh dhe grumbullohet në brendësi të murit të saj. Të predispozuar për këtë ndërlikim janë personat që paraqesin defekte të lindura të mureve të arterieve. Gjithsesi, hipertensioni arterial përfaqëson një faktor të rëndësishëm të rrezikut, ndërkohë që arterioskleroza luan një rol dytësor. Shkaqet:
- Dobësia e lindur e indit lidhor.
- Disa sëmundje të lindura, si Sindroma Marfan, me dëmtime të indit lidhor.
3. Aneurizma e rreme
Nuk karakterizohet nga fryrja e murit të arteries, por nga rrjedhja e gjakut në të, si pasojë e një dëmtimi të murit. Ky dëmtim “riparohet” nga gjaku i mpiksur, që i mbivendoset duke bllokuar në këtë mënyrë gjakrrjedhjen, dhe që ngjan me një aneurizëm. Aneurizmat e rreme mund të jenë ndërlikime dytësore të ndërhyrjeve kirurgjikale ose punksioneve (shpimeve) të arterieve.
Faktorët e tjerë të rrezikut, të dyshimtë për të shkaktuar dëmtime të arterieve dhe për pasojë edhe aneurizma, janë:
- Mbipesha trupore
- Varësia nga nikotina (duhanpirja)
- Diabeti i sheqerit
- Niveli i lartë i yndyrnave në gjak
- Mungesa e aktivitetit fizik
- Niveli i lartë i acidit urik në gjak (guta)
- Mosha
- Stresi psikologjik dhe fizik

Shpesh aneurizma e aortës nuk shkakton simptoma (shqetësime) dhe zbulohet rastësisht gjatë një ekzaminimi të zakonshëm (të rutinës). Simptomat e para mund të manifestohen nga një ndjesi e trupit të huaj ose një ndjesi shtypjeje në nivelin e aneurizmës. Simptomat që rezultojnë kryesisht nga presioni i ushtruar mbi organet e afërta mund të jenë të ndryshme, në varësi të lokalizimit dhe madhësisë së aneurizmës.
Në rastin e aneurizmës së aortës së kraharorit (torakale), pacienti shfaq këto simptoma:
- Vështirësi në gëlltitje
- Kollë
- Ngjirje të zërit
- Çrregullime të qarkullimit në krahë ose në tru
- Vështirësi në frymëmarrje
Në rastin e aneurizmës së aortës së barkut (abdominale), pacienti shfaq këto simptoma:
- Dhimbje në shpinë
- Dhimbje që përhapet në këmbë
- Urinime të detyrueshme
- Çrregullime të tretjes, me fryrje të barkut dhe alternime të diarresë me kapsllëkun.
Në rastin e aneurizmës së arterieve të trurit, pacienti shfaq këto simptoma:
- Paraliza në zonën e fytyrës
- Në rastin e çarjes së aneurizmës, goditje në tru ose hemorragji cerebrale.
Rëndësia e një aneurizme në këto raste varet nga madhësia e saj.
Aneurizmat diagnostikohen shpesh rastësisht, gjatë një ekzaminimi të zakonshëm ose për shkak të problemeve neurologjike (paralizave). Tek personat e hollë, aneurizma e aortës së barkut mund të evidentohet nëpërmjet palpacionit, si një masë që pulson në bark. Në përgjithësi, për vendosjen e diagnozës së aneurizmës së aortës janë të nevojshme të kryhen:
- Ekzaminimi fizik i pacientit
- Ekzaminimi ekografik i enëve të gjakut (eko Dopler)
- Skaneri i enëve të gjakut (angioskaneri).
- Radiografia e enëve të gjakut me lëndë kontrasti (angiografia).

Mënyra e trajtimit të aneurizmës së aortës varet nga madhësia e saj. Kështu, për aneurizmat e vogla, që nuk kërcënojnë jetën e pacientit, mund të fillohet trajtimi konservator që konsiston në:
- Përdorimin e medikamenteve që ulin tensionin arterial (antihipertensive) dhe që reduktojnë rritjen e tij (beta-bllokuesit)
- Evitimin e sforcimeve të mëdha fizike
- Rregullimin e kalueshmërisë së ushqimit në zorrë. Kjo për faktin se, në rastin e kapsllëkut, aneurizma e aortës rrezikon të çahet gjatë shtrëngimit të ekzagjeruar për nxjerrjen e feçeve.

Aneurizma e aortës mund të shkaktojë ndërlikime të ndryshme. Kështu:
- Edhe aneurizmat e vogla mund të shkaktojnë simptoma (shqetësime) për shkak të shtypjes që ato ushtrojnë mbi organet e afërta. Simptoma të tilla janë: ngjirja e zërit, veshtirësia në gëlltitje, vështirësia në frymëmarrje, deri në paraliza nga dëmtimi i nervave.
- Mund të shkaktojë çrregullime të qarkullimit të gjakut në nivelin e organeve të tjera, të krahëve ose këmbëve.
- Nëse formohen koagula (copa të mpiksura) të gjakut, në rastet e rënda ato mund të shkaktojnë goditje në tru ose hemorragji cerebrale.
- Çarja e aneurizmës është ndërlikimi më i rëndë, pasi bëhet fjalë për një urgjencë mjekësore, që është përgjithësisht fatale për pacientin.
Mënyra më e mirë e parandalimit të aneurizmës së aortës konsiston në parandalimin e shfaqjes së sëmundjeve të enëve të gjakut. Për këtë, duhet të evitohen faktorët që dyshohet se mund të shkaktojnë dëmtime të tyre (faktorët e rrezikut).
Nga ana tjetër, këto masa nuk vlejnë për rastet me dëmtime të lindura, të cilat nuk mund të trajtohen as me medikamente dhe as me ndryshimin e mënyrës së sjelljes.