Dekubituset (Plagët nga qëndrimi në shtrat)
Kontribuesit (Dr. med. Fritz Grossenbacher, Doris Zumbühl, Dr. Yllka Themeli)

Plagët nga qëndrimi në shtrat (dekubituset) janë plagë kronike me madhësi të ndryshueshme, që shkaktohen nga një shtypje e vazhdueshme. Ato prekin si shtresat e sipërme të lëkurës, ashtu edhe ato të thella, si edhe kockat.
Zonat e lëkurës veçanërisht të ndjeshme për të zhvilluar dekubituse janë ato të vendosura direkt mbi sipërfaqen e kockave, të tilla si: thembra e këmbës, kyçi i këmbës, gjuri, çapoku, shpatullat, pjesa e dalë e rruazave të shtyllës kurrizore, bërrylat dhe zverku.
Ky fenomen është më i shpeshtë tek personat e moshuar, krahasuar me të rinjtë.
Shtypja e ushtruar mbi lëkurë, e shoqëruar me irritimin e saj, provokojnë dëmtim të lëkurës. Për shkak të rritjes së shtypjes, veçanërisht tek personat që qëndrojnë në shtrat për periudha të gjata kohore, gjaku nuk mund të qarkullojë normalisht në zonat e dëmtuara, duke çuar në pakësimin e oksigjenit dhe lëndëve ushqyese që furnizojnë indet. Për pasojë, lëkura në këto zona vdes, e shoqëruar edhe nga indet që gjenden poshtë saj.
Faktorët e rrezikut që favorizojnë dekubituset:
- Qëndrimi pa lëvizur (në pozicionin ulur ose shtrirë) për periudha të gjata kohore
- Diabeti i sheqerit
- Mosha
- Çrregullimet e qarkullimit (shpesh në nivelin e këmbëve, veçanërisht tek këmbët e duhanpirësit)
- Lëkura e lagur (në rastin e urinimit të pavullnetshëm)
- Prania e një shtypjeje nga jashtë, si në rastin e një allçie apo materiali tjetër mjekësor.
Dekubituset klasifikohen në katër stade, sipas rëndesës në rritje:
- Stadi I: me skuqje të përhershme dhe ndonjëherë ndjesinë e nxehtësisë në zonën e skuqur të lëkurës. Lëkura është ende e paprekur.
- Stadi II: me formimin e fshikëzave në lëkurë, rrjepje (gërryerje) të lëkurës dhe ndonjëherë mund të konstatohet plagë sipërfaqësore në lëkurë.
- Stadi III: janë prekur të gjitha shtresat e lëkurës, si dhe indi lidhor nën lëkurë. Në këto raste shfaqet një plagë e thellë.
- Stadi IV: plaga e thellë përhapet deri në nivelin e muskujve dhe kockave.
Simptomat e lidhura me plagët nga qëndrimi në shtrat (dekubituset) janë të ndryshme në varësi të stadit të tyre. Kështu:
- Në fillim, në stadin I, skuqja nuk zhduket gjatë shtypjes, dhe është e pranishme ndjesia e djegies.
- Në stadin II: konstatohet formimi i fshikëzave, gërryerje (rrjepje) sipërfaqësore të lëkurës dhe dhimbje (nëse pacienti nuk vuan nga asnjë sëmundje tjetër që shkakton dhimbje më të lehta, siç është psh. diabeti i sheqerit).
- Në stadet e avancuara (III dhe IV): prania e plagës së thellë që mund të shoqërohet me dhimbje të forta.


Trajtimi konservator (me medikamente)
Trajtimi i plagëve të formuara nga qëndrimi në shtrat (dekubituseve) është një proçes i gjatë dhe i vështirë, që kërkon shumë durim nga ana e pacientit dhe familjarëve të tij. Pikërisht për këtë arsye është tepër i rëndësishëm parandalimi i shfaqjes së tyre (shih më poshtë).
Skuqjet e lëkurës dhe ndjesia e nxehtësisë duhet të konsiderohen si një sinjal alarmi, që tregon se lëkura duhet të lehtësohet nga shtypja, duke e zhvendosur shpesh nëpërmjet ndryshimit të shpeshtë të pozicionit trupor. Gjithashtu, edhe përdorimi i pomadave dhe kremrave evitojnë irritimin e saj. Zonat e lëkurës me plagë të hapura trajtohen me pomada dhe fasho kundër inflamacionit, që favorizojnë qarkullimin e gjakut. Nëse është e mundur, në këto raste duhet të hiqen indet e vdekura.
Ndërhyrja kirurgjikale
Nëse dekubituset nuk shërohen dhe pacienti paraqet zona të mëdha me lëkurë të vdekur, është e domosdoshme ndërhyrja kirurgjikale. Për këtë qëllim, fillimisht ulçerat duhet të pastrohen dhe të përgatiten. Më pas, në nivelin e plagës transplantohet një pjesë lëkure e marrë në një zonë tjetër të trupit të pacientit. Plaga mbahet e fashuar për disa ditë me qëllim që të mos pengohet shërimi (cikatrizimi) i indit të transplantuar.
Plagët e shkaktuara nga qëndrimi në shtrat (dekubituset) mund të shkaktojnë këto ndërlikime:
- Infeksioni i plagës dhe ndonjëherë i indeve që gjenden poshtë saj (osteomieliti).
- Përsëritje e një dekubitusi pas shërimit të tij.
- Pas ndërhyrjes kirurgjikale ekziston rreziku i mospranimit të lëkurës së transplantuar, e cila më pas vdes.
Tek personat që qëndrojnë pa lëvizur, në pozicionin ulur ose shtrirë, për periudha të gjata kohore, parandalimi i plagëve (dekubituseve) është një nevojë absolute! Kjo realizohet duke respektuar masat e mëposhtme:
- Vendosja e personit në një sipërfaqe më të madhe
- Ndryshimi i pozicionit në çdo dy orë tek pacientët që nuk mund të lëvizin.
- Lëvizja e pacientit sa më shumë të jetë e mundur
- Kujdesi për lëkurën, veçanërisht kur ajo është e thatë
- Kryerja e ushtrimeve gjimnastikore sapo gjendja e pacientit ta lejojë.
- Mospërdorimi i ujit të nxehtë për larjen e lëkurës
- Ushqyerja e ekuilibruar që përmban mjaftueshëm vitamina dhe kripëra minerale.
- Tek personat e rrezikuar duhet treguar kujdes i veçantë për zonat vazhdimisht të skuqura dhe të nxehta.