logo
Përgatitur dhe përshtatur nga sprechzimmer.ch.
Kontribuesit (Dr. med. Gerhard EmrichDoris Zumbühl)
Alopecia: humbje e flokëve.
Alopecia: humbje e flokëve.

Flokët përbëhen nga qimja, e cila është pjesa e dukshme e tyre, si dhe folkuli i flokut, që është rrënja e tij. Folikuli i flokëve është një zgavër në formën e një qeseje, prej vetëm disa milimetrash, që gjendet në fund të rrënjës, ku flokët formohen dhe rriten. Flokët e zeza apo kafe kanë rreth 100.000 folikuj; individët me ngjyrë të hapur flokësh (bjondë) kanë pak më shumë, flokët e kuq pak më pak.

Rritja e flokëve është ciklike: flokët rriten, qëndrojnë dhe bien. Pra, ne humbim rreth 50 deri në 100 qime në ditë, gjë që është normale. Nëse, megjithatë, ndodh një rënie më e madhe e flokëve, cikli i flokëve është prishur. Në këtë rast, duhet të konsultoheni me një dermatolog.

Ka dy tipe të humbjes së flokëve: alopecia e shërueshme dhe alopecia e pashërueshme. Shkaqet e shërimit të alopecisë mund të jenë inflamatore ose prania e një sëmundjeje tjetër. Nëse rrënja e flokëve është shkatërruar, si në rastin e alopecisë të pashërueshme, humbja e flokëve është e pakthyeshme. Shkaqet janë të shumta: gjenetike dhe hormonale (në 95% të rasteve), infeksione ose sëmundje të tjera. Marrja e medikamenteve të caktuara, mangësitë në ushqyerje, çrregullimet mendore ose higjiena e keqe e flokëve gjithashtu mund të shkaktojnë humbjen e tyre.

Alopecia është e vështirë për t’u përballuar psiqikisht. Për këtë arsye, personat që e kanë këtë problem shpesh humbasin besimin në vetvete.

Alopecia androgjenetike 

Alopecia androgjenetike është një humbje graduale e flokëve për shkak të ndikimit të hormoneve mashkullore. Ajo është përgjegjëse për humbjen e flokëve në 95% të meshkujve, por gjithashtu prek edhe gratë, edhe pse ato janë shumë më pak të prekura sesa meshkujt. Kjo është një humbje e flokëve me bazë gjenetike edhe hormonale. Mekanizmi është si vijon: folikujt e flokëve dobësohen nën ndikimin e dihidrotestosteronit, që është një hormon mashkullor. Si rezultat, ato tkurren, prodhimi i flokëve pakësohet dhe flokët bien më shpejt.

Përveç kësaj, dihidrotestosteroni nxit rritjen e qimeve të mjekrës dhe shtimin e gjëndrave dhjamore të kokës, të cilat nxisin humbjen e flokëve në këtë zonë zonë. Kjo manifestohet tek burrat si mungesë e pjesshme ose e plotë e flokëve; tek gratë, me rrallim të flokëve.

Alopecia areata

Alopecia areata zhvillohet në një hapësirë të shkurtër kohore dhe karakterizohet nga një rënie e flokëve në zona të veçanta (në formë pullash), me madhësi të ndryshme, në një ose më shumë vende të kokës. Shkaku mbetet i panjohur. Një humbje e flokëve në formë pullash, e cila mund të prekë burrat dhe gratë, shpesh shoqërohet me proçese inflamatore të trupit. Një hipotezë sugjeron që sëmundja të jetë me origjinë autoimune (që do të thotë se përfshihen faktorët imunologjikë gjatë mbrojtjes imune të trupit tonë), duke supozuar se qelizat T, përgjegjëse për imunitetin qelizor, sulmojnë folikujt e flokëve. Sëmundja duket se ndikon në disa anëtarë të së njëjtës familje, duke sugjeruar trashëgiminë si shkak. 

Alopecia difuze

Gjatë alopecisë të përhapur (difuze), flokët bëhen gjithnjë e më të rrallë. Ajo është më shpesh simptomë e një sëmundjeje, qoftë metabolike apo mangësi ushqimore. Nuk është e pazakontë që alopecia e përhapur të shkaktohet nga kujdesi i pakët për flokët ose nga forca mekanike të ushtruar në to. Kjo alopeci është më e kufizuar në kohë: me fjalë të tjera, nëse shkaku trajtohet, flokët nuk do të bien më dhe rritja e flokëve normalizohet. Shembulli më i mirë është alopecia medikamentoze, e shkaktuar nga kimioterapia. Shumë shpesh pas trajtimit, flokët dalin përsëri normalisht.

Shkaqet e zakonshme të alopecisë difuze:

  • Periudha pas lindjes ose pas pubertetit (ndërmjet 16 dhe 20 vjeç)
  • Sëmundjet ngjitëse: për shembull herpesi ose erizipela (infeksion bakterial i lëkurës)
  • Çrregullime metabolike (p.sh. diabeti i sheqerit, çrregullimet e metabolizmit dhjamor ose sëmundjet e mëlçisë)
  • Çrregullimet e funksionit të tiroides ose hormoneve seksuale (më shpesh e kombinuar me çrregullime të tjera, si trashja e zërit ose shtimi i qimeve në trup)
  • Mangësitë ushqimore, që rezultojnë në mangësi të hekurit, zinkut, acidit folik ose vitaminës B12
  • Regjimi ditor
  • Stresi
  • Ndotësit e ndryshëm
  • Medikamentet (p.sh. kimioterapia)
  • Humbja sezonale e flokëve: në përgjithësi, zhduket spontanisht
  • Qëndrimi në shtrat, palëvizshshmëria (vërehet edhe tek foshnjat)
  • Dëmtimi i strukturës së flokëve

Humbja e flokëve mund të ndodhë edhe si pasojë e faktorëve të jashtëm, si:

  • Mbajtja e vazhdueshme e kapeles
  • Dëmtimi mekanik: krehja e flokëve me furçë shumë të fortë, drejtimi i flokëve me tharëse të nxehtë, kapja bishtalec shumë shtrënguar  ose vendosja e kapëseve të flokëve tepër të forta në kokë.
  • Dëmtimi kimik, qoftë gjatë ngjyrosjes ose çngjyrosjes (dekolorimit) së flokëve, ose përdorimi i shpeshtë i shampove alkaline.
  • Dëmtimi fizik: ekspozimi i flokëve në nxehtësi të tepruar kur thahen me tharëse flokësh ose në diell (duke përfshirë solarin)

Alopecia androgjenetike

Meqenëse humbja e flokut për shkaqe androgjenetike shpesh fillon që në periudhën e pubertetit, rreth 50% e meshkujve preken nga kjo alopeci në moshën e pjekur.
Kjo formë e humbjes së flokut zakonisht fillon në pjesën e përparme dhe të pasme të kokës, duke çuar gradualisht në mungesë të pjesshme ose të plotë të flokëve (tullacllëk). Nga ana tjetër, tek gratë, flokët bëhen gjithnjë e më të rralla. Për shkak të shkakut hormonal të alopecisë androgjenetike, burrat në të njëjtën kohë përjetojnë shtim të theksuar të qimeve të mjekrës. Nga ana tjetër, gratë që vuajnë nga alopecia androgjenetike zhvillojnë një shtim të papëlqyeshëm të qimeve (si tek meshkujt), në zonën e këmbëve, kofshëve, krahëve ose fytyrës. 

Alopecia areata

Karakteristike për këtë formë të alopecisë janë pullat e shumta, me madhësi të ndryshme, që shfaqen dukshëm në disa vende të kokës. Njëherësh bien flokët e pigmentuar, ndërsa flokët e tjerë vazhdojnë;  flokët e pacientëve të prekur bëhen gri në një kohë të shkurtër. Në raste të rralla, humbja e flokëve mund të shihet edhe në të gjithë trupin - kjo quhet alopecia universale. Në shumë raste, flokët rishfaqen spontanisht pas disa muajsh. Rreziku i një rikthimi të mundshëm të rënies së flokëve është gjithsesi i lartë, gjë që pengon zhvillimin e një prognoze të saktë për evoluimin e sëmundjes. 

Alopecia difuze

Flokët pakësohen në të gjithë kokën ose vetëm në disa vende të caktuara. Nëse shkaku është hormonal, mund të shfaqen edhe simptoma të
tjera, si trashja e zërit ose shtimi i qimeve të trupit.
Në përgjithësi, kjo humbje e flokëve është e kthyeshme, dmth. kur shkaku i çrregullimit, pavarësisht nëse është një sëmundje, mangësi ushqimore ose rrethana të tjera, është çrrënjosur, flokët rikthehen. I vetmi kusht është që folikujt e flokut nuk duhet të jenë shkatërruar.

Çdo person me problemin e rënies së flokëve, si të menjëhershme ashtu edhe graduale, duhet të konsultohet me specialistin mjekësor, në këtë rast Dermatolog, për të përcaktuar shkakun e problemit.

Anamneza (marrja e informacionit mjekësor)

Mjeku mund të bëjë pyetjet e mëposhtme:

  • Pyetje mbi histori familjare për alopeci
  • Pyetje të lidhura me ushqyerjen (mungesa ushqimore)
  • Pyetje të qarta lidhur me rënien e flokëve:
Fakte Vlerësimi
Rënie e mejëhershme e flokëveLidhja me fenomene të caktuara, si fjetja, marrja e medikamenteve, një trajtim hormonal ose sëmundje të shoqëruara me ethe
Kohëzgjatja dhe ecuria Kohëzgjatja e rënies së flokëve dhe sëmundjet bashkëshoqëruese
Lloji i alopecisë Mënyra e rënies së flokëve: shtim i shkallës së rënies, rrallim i flokëve, dobësim i flokëve (të thyeshëm), rënie e flokëve me tufa
ZonaModeli i rënies së flokëve, psh. me pulla, vetëm në zonën mbi ball, rrallim i të gjithë flokëve.

 

Ekzaminimi fizik

  • Vlerësimi i flokëve: infeksione, ekzema, dermatoza të tilla si psoriasis
  • Klasifikimi i rënies së flokëve: rritja e shkallës së rënies së flokëve, duke tejkaluar rënien normale ose alopecia (humbje jonormale e flokëve). Rënia normale e flokëve nuk përparon domosdoshmërisht në alopeci.
  • Testi i flokëve: mjeku merr në duart e tij një tufë flokësh dhe e tërheq atë; flokët e përftuar i nënshtrohen ekzaminimit mikroskopik, si dhe analizave kimike.

Ekzaminime të tjera *

  • trikograma: ekzaminimi mikroskopik i rrënjës së flokëve (gjendja, faza e zhvillimit)
  • ekzaminime mikroskopike të disa kampioneve kapilare
  • testet e gjakut (parametrat inflamatore, mangësitë ushqimore, etj)

* Analiza e flokëve për mineralet e gjendura në to, si metalet e rënda dhe elementët gjurmë; këto ekzaminime në përgjithësi sjellin më shumë konfuzion sesa qartësi për diagnozën.

Masat e përgjithshme

Alopecia e shërueshme dallon nga e pashërueshme. Kur rrënja e flokëve është shkatërruar, ato janë të pakthyeshme, që do të thotë se flokët nuk rriten përsëri. Në rastet kur bëhet fjalë vetëm për një çrregullim të rritjes së flokëve, flokët do të rriten përsëri, duke ditur se ato mund të bien ose të jenë më të theshëm në fund të ciklit të flokëve. Për trajtimin e alopecisë përhapur, objektivi i mjekut është kryesisht zbulimi i shkakut dhe trajtimi i tij.

Trajtimi i alopecisë androgjenetike

Kjo humbje e trashëguar e flokëve nuk mund të parandalohet, edhe duke siguruar higjenën e duhur ose duke aplikuar shampo për rritjen e flokëve. Të ashtuquajturat mjete përforcuese, si vitaminat, majaja e birrës, aminoacidet ose regjimi i veçantë ushqimor janë gjithashtu joefektive. Së paku, deri më sot, asnjë studim shkencor nuk ka qenë në gjendje të provojë efektivitetin e tyre në luftën kundër rënies së flokëve. Ka medikamente që mund të ndalojnë rënien e flokëve. Megjithatë, meqë gjatë alopecisë gjenetike folikujt e flokëve tkurren, këto trajtime medikamentoze nuk lejojnë flokët të rriten përsëri në vendet tashmë pa flokë (tullace).

Trajtimi i alopecisë së trashëguar dhe asaj medikamentoze

Trajtimet janë shumë të ndryshme për femrat dhe burrat. Disa substanca aktive mund të aplikohen vetëm tek meshkuj dhe anasjelltas, disa përbërës aktivë janë efektiv për të dy gjinitë.

Trajtimi për meshkujt

Për disa kohë, një përbërës aktiv i quajtur Finasteride është përdorur tek meshkuj. Finasteridi përdoret për të trajtuar hipertrofinë beninje të prostates, por ai ndikon edhe në metabolizmin e testosteronit dhe kështu mund të ndalojë rënien e flokëve. Megjithatë, ky medikament duhet të merret rregullisht dhe gjatë një periudhe të gjatë kohore. Një nga efektet anësore të mundshme të tij është impotenca seksuale. Përdorimi i Finasteridit nuk lejohet tek gratë. Kjo mund të jetë veçanërisht toksike për fetusin.

Trajtimi për femrat

  • Pilulat kontraceptive: Pilula kontraceptive që kombinon estrogjenin dhe progesteronin e konkuron efektin e testosteronit dhe prandaj mund të përdoret tek femrat me alopeci androgjenetike. Gratë në periudhën pas menopauzës mund të marrin trajtime hormonale të kombinuara.
  • Solucionet me bazë estrogjeni: aplikimi lokal në lëkurën e kokës. Megjithatë, këto zgjidhje kanë ndikim vetëm në kohën e aplikimit.

Mundësitë e trajtimit për meshkujt dhe femrat

  • Solucion që përmban substancën aktive Minoksidil; doza është më e ulët tek femrat sesa tek meshkujt.
  • Transplantimi i mikro-flokëve ose përdorimi i parukeve: nëse vuajtja psikologjike e pacientit është e rëndësishme dhe asnjë medikament tjetër nuk ka qenë efektiv, mjeku mund të përshkruajë përdorimin e një parukeje, apo edhe të konsiderojë një transplant të flokëve.

Alopecia areata

Trajtimi i alopecia areata është shumë i vështirë pasi edhe shkaqet e saj janë të panjohura.

Shumica e trajtimeve janë joefektive, flokët nuk rriten më ose bien përsëri në fund të trajtimit. Pacientët me këtë diagnozë nuk kanë zgjedhje, por thjesht duhet të pranojnë alopecine e tyre. Një shërim spontan është i mundshëm dhe i shpeshtë. Kjo është arsyeja pse mjekët, pasi përshkruajnë të gjitha trajtimet e tjera të mundshme që kanë qenë të pasuksesshme, këshillojnë që pacientët të mbajnë një parukë, duke mbajtur parasysh që flokët mund të rriten përsëri vetë.

Nëse në origjinën e alopecia areata është një infeksion i rrënjës së flokut, është i nevojshëm  trajtimi korrekt i tij.

Kjo mund të bëhet si më poshtë:

  • Përzierje që stimulojnë perfuzionin e gjakut dhe medikamente anti-inflamatore (zakonisht kortizon pomadë ose likid)
  • Trajtimi i zonës së prekur duke përdorur një acid të veçantë, ekspozimi ndaj dritës UV ose azotit të lëngët (krioterapia).
  • Në forma të rënda të alopecisë, mund të merret në konsideratë edhe imunoterapia lokale. 40% e pacientëve të trajtuar janë duke përjetuar rezultate të qëndrueshme prej saj. 
  • Paruket mund të mbulojnë pjesët pa flokë të kokës
  • Sot, transplantimi i flokëve është metoda e vetme e trajtimit që lejon një rezultat të kënaqshëm në afat të gjatë. Megjithatë, flokët e transplantuara nuk janë të natyrshme në shumë meshkuj. Një proçedurë e tillë kirurgjikale duhet të kryhet vetëm nga specialistë me përvojë dhe të kualifikuar. Kirurgët këshillojnë pacientin lidhur me transplantimin artificial të flokëve dhe e paralajmërojnë atë për efektet anësore të mundshme, siç janë refuzimi i transplantit nga trupi dhe infeksionet kronike.

Alopecia difuze

Nëse dihet shkaku i alopecisë difuze, trajtimi bazohet kryesisht në trajtimin ose evitimin e tij. Si rregull, rënia e flokut ndalet. Sëmundjet infektive dhe mangësitë e hekurit mund të trajtohen lehtësisht. Nëse rënia e flokëve shkaktohet nga marrja e një medikamenti, ndryshimi i medikamentit mund të jetë zgjidhja e problemit, për sa kohë që konsultoheni rregullisht me mjekun.

Një shënim i rëndësishëm për të gjitha llojet e alopecisë: pacientët që vuajnë nga alopecia (veçanërisht nëse janë të rinj) kanë nevojë për mbështetje psikologjike; një psikoterapist mund të sigurojë ndihmën e nevojshme në çdo rast. 

Dr. med. Gerhard Emrich

Gerhard Emrich ka studiuar Mjekësi në Vjenë. Ai është një gazetar mjekësor me shumë vite përvojë në shkrime mjekësore.

Doris Zumbühl

Doris Zumbühl është një asistente klinike e diplomuar në Mjekësi. Ajo ka kryer disa kurse trajnimi te avancuara në gazetari, IT dhe përpunim grafik.