Rakitizmi (Mungesa e viaminës D, Osteomalacia)
Kontribuesit (Dr. med. Fritz Grossenbacher, Doris Zumbühl, Dr. Yllka Themeli)

Rakitizmi është një sëmundje e kockave, që ndodh në fëmijëri për shkak të mungesës së vitaminës D. Vitamina D prodhohet kryesisht në lëkurë nga rrezet e diellit (rrezatimi ultraviolet), vetëm një pjesë e vogël e saj sigurohet nga ushqimet. Vitamina D rregullon nivelet e kalciumit dhe fosforit në gjak dhe siguron thithjen e këtyre substancave minerale nga kockat. Kjo bën të mundur forcimin dhe stabilizimin e kockave, të cilat fillimisht janë të buta tek foshnjat e vogla. Nëse mungon vitamina D kockat mbeten të buta, gjë që përfundimisht çon në deformim të pakthyeshëm të tyre. Rakitizmi nuk prek vetëm kockat, por edhe proçesin e zhvillimit dhe mineralizimit të dhëmbëve.
Në ditët e sotme, për shkak të parandalimit të mungesës së vitaminës D në të gjithë botën tek foshnjat deri në 1 vjeç, rastet me rakitizëm janë gjithnjë e më të rralla. Shkaqe të tilla si mungesa e diellit dhe dieta e pabalancuar pothuajse nuk janë më të rëndësishme. Megjithatë, prania e një sëmundjeje që shkakton mungesa në ushqyerje, si psh. sëmundjet kronike të zorrës, mund të shkaktojë rakitizëm.
Në vendet në zhvillim, ku nuk ka parandalim korrekt, rakitizmi është ende i shpeshtë. Tek të rriturit, mungesa e vitaminës D gjithashtu rezulton në kocka të buta. Në këtë rast flasim për osteomalacinë, gjatë së cilës kockat tashmë të zhvilluara plotësisht demineralizohen (varfërohen nga mineralet) dhe bëhen të buta. Individët e prekur prej saj vuajnë nga dhimbje të përgjithshme të kockave, që shpesh emërtohen gabim si reumatizëm. Mungesa e vitaminës D gjithashtu mund të shtojë rrezikun e sëmundjeve kardiovaskulare (të zemrës dhe enëve të gjakut), diabetit, kancerit ose infeksioneve.
Tek të moshuarit, marrja e mjaftueshme e vitaminës D përmirëson shëndetin e kockave dhe muskujve, duke zvogëluar kështu rrezikun e krisjeve dhe thyerjeve të tyre.
Rakitizmi shkaktohet në përgjithësi nga një mungesë e vitaminës D, e cila si rrjedhojë shkakon edhe mungesë të kalciumit. Ekspozimi i pamjaftueshëm i lëkurës në diell mund të shkaktojë mungesë të vitaminës D. Gjithashtu, një përthithje e dobët e lëndëve ushqyese në aparatin tretës (psh. kur zorrët kanë sëmundje kronike inflamatore, mund të shkaktojë mungesë të vitaminës D.
Mungesa e fosforit gjithashtu mund të shkaktojë rakitizëm dhe osteomalaci. Fosfori, ashtu si kalciumi, është thelbësor për forcimin e kockave. Mungesa e tij shpesh është pasojë e eleminimit të tepërt të fosforit nga veshkat gjatë sëmundjeve të veshkave. Në raste shumë të rralla, ajo është një sëmundje e trashëgueshme, që shkaktohet nga diabeti i fosforit.
Simptomat e rakitizmit tek fëmijët
Tek të sapolindurit shenjat e para klinike shfaqen në muajin e dytë dhe konsisojnë në axhitim, frikë, djersitje të shprehur (në pjesën e kokës kryesisht). Përveç këtyre, ka një skuqje të lëkurës nga kruarja (pruriginoze) që lidhet me djersitjen, pakësim i masës muskulare në përgjithësi, zbutje e muskujve të barkut (barku i bretkosës) dhe një tendencë për kapsllëk.
Simptomat tipike të rakitizmit tek foshnjat përfshijnë:
- Kockat e buta
- Vonesa e mbylljes së fontanelave
- Shfaqja e gungave në fundin e brinjëve, në kalimin e tyre drejt sternumit, që ngjajnë si gjerdan perlash
- Mungesa e kalciumit shkakton shtimin e ngacmueshmërisë muskulare, që mund të jetë burimi i deformimeve (harqeve).
Simptoma të tjera, që mund të shfaqen sipas ashpërsisë dhe kohëzgjatjes së rakitizmit, janë:
- Deformime të pakthyeshme të kockave (“këmbët e harkuara”, kafka katrore”, deformimi i shtyllës kurrizore)
- Çrregullimet e formimit të dhëmbëve – vonesa në daljen e tyre, pakësimi i zmaltit me një prirje më të theksuar për prishje të tyre.
Simptomat e osteomalacisë tek të rriturit janë:
Rritja e kockave tek të rriturit padyshim që ka përfunduar, megjithatë ndodhin transformime të vazhdueshme të tyre. Si rregull i përgjithshëm, shkatërrimi i substancave në kocka kompensohet nga vetë ato. Megjithatë, në rast të mungesës së vitaminës D, substanca e re në kocka mbetet shumë e butë, për shkak të mungesës së mineralizimit.
Simptomat e mëposhtme janë tipike për osteomalacinë:
Në fillim: kemi dhimbje të kockave viscerale, sipas sforcimeve të kryera në të gjithë skeletin, dhe sidomos në shtyllën kurrizore, në kafazin e kraharorit, zonën e legenit dhe kofshëve.
Më pas: shtohet dobësia muskulare, me rënie të masës së muskujve, e shoqëruar me lodhje të shpejtë dhe deformim të kockave.
Brishtësia e theksuar e kockave të buta mund të çojë deri në thyerje të tyre, që quhen “thyerje nga lodhja”, që janë thyerje të vogla spontane pa trauma të drejpërdrejta të tyre.
Deformimi i kockave, formimi i keq i dhëmbëve, dhimbjet, si dhe të dhënat personale të fëmijës që lidhen tipikisht me mungesën e diellit, dietën e pabalancuar, etj, ndihmojnë mjekun për të vendosur diagnozën e rakitizmit.
Diagnoza konfirmohet nga testi i gjakut (përcaktimi i enzimës fosfatazë alkaline, niveli i fosforit dhe kalciumit në gjak) si dhe një radiografi, nga ku dallohet deformimi i kockave. Në raste të një rezultati të pasigurtë mund të merret në konsideratë kryerja e një biopsie të kockave (me një mostër nga indet kockore).
Tek fëmijët e diagnostikuar me rakitizëm nga mungesa e kalciumit si pasojë e mungesës së vitamins D, trajtimi konsiston në marrjen e një doze të lartë të vitaminës D dhe kalciumit. Doza varet nga mosha e fëmijës. Përveç kësaj, duhet të sigurohet marrja korrekte e kalciumit dhe vitaminës D përmes dietës ushqimore. Megjithatë, më i rëndësishmi është ekspozimi ndaj diellit, pasi vitamina D prodhohet më së shumti në këtë mënyrë.
Nëse shkaku i rakitizmit është mungesa e fosforit, rekomandohet marrja e një sasie të mjaftushme fosfori. Mungesa e fosforit shkaktohet rrallë nga marrja e pamjaftueshme e tij nga dieta ushqimore. Në pjesën më të madhe të rasteve ajo vjen nga sëmundjet e veshkave ose nga një dietë e pabalancuar, si në rastin e alkoolistëve.
Për të parandaluar rakitizmin, zakonisht rekomandohet të kalohet kohë e mjaftueshme në ambientin e jashtëm dhe të kryhet aktivitet sportiv.
- Gjatë marrjes së dozës së vitaminës D, duhet t’i kushtohet vëmendje marrjes në mënyre të saktë, siç është e shpjeguar në fletëpalosjen e mjekimit dhe sipas këshillave të dhëna nga specialistët që sigurojnë informacionin e nevojshëm.
- Shmangni marrjen e tepërt të vitaminës D, duke e marrë njëkohësisht nga disa burime (psh. duke ngrënë vetëm ushqime që e përmbajnë atë, dhe në të njëjtën kohë merrni edhe mjekimin zëvendësues nga mjeku).
- Siguroni një dietë të shëndetëshme dhe të ekulibruar sipas piramidës së ushqimit
- Në sezonin e verës, gjatë periudhës qershor – shtator, personat e shëndetshëm nga mosha 3 deri në 60 vjeç, të cilët ekspozohen rregullisht në rrezet e diellit nuk kanë nevojë ta marrin vitaminën D si shtesë ushqimore, pasi zakonisht është e mjaftueshme sasia që marrin natyralisht nga rrezet e diellit. Në dimër prodhimi vetjak i vitaminës D nuk mjafton për të mbuluar nevojat, si rrjedhojë duhet të sigurohet marrja e vitaminës D përmes ushqimit dhe nga suplementet. Peshqit e yndyrshëm si salmoni, harenga ose skumbri, të brendshmet e bagëtive (si mëlçia, veshka, etj.), qumështi i paskremuar, gjalpi, djathi, vezët janë burimi i vitaminës D.
- Në të gjitha stinët e vitit, personat e riskuar apo që kanë mungesë të vitaminës D (ku më të prekurit janë fëmijët dhe të moshuarit) kanë nevojë për plotësimin e saj nëpërmjet suplementeve.
Një ndër rekomandimet aktuale që duhet të zbatohet më me përpikmëri:
Foshnjat deri në 1 vjeç rekomandohet ta marrin vitaminën D në formën e pikave, në dozën 400 UI në ditë.