logo
Përgatitur dhe përshtatur nga sprechzimmer.ch.
Kontribuesit (Dr. med. Fritz GrossenbacherDoris ZumbühlDr. Yllka Themeli)
Sëmundja De Quervain: inflamacioni vështirëson shtrirjen e gishtit.
Sëmundja De Quervain: inflamacioni vështirëson shtrirjen e gishtit.

Tendinet janë fije që lidhin muskulin me kockën, ndërsa ligamentet janë fije që lidhin kockat ndërmjet tyre. Tendinet që realizojnë përkuljen e gishtave kalojnë në kanalet që të çojnë deri në nivelin e ligamenteve unazore, të fiksuara në nivelin e kockave ose të gishtave. Sëmundja De Quervain është një dukuri që shfaqet kur indi i kanalit tendinoz të muskujve përkulës të gishtave trashet dhe e bën shumë të vështirë kalimin e kanalit deri në nivelin e ligamenteve unazore kur gishtat janë të shtrirë.

Në këtë rast, gishti i prekur mund të zgjatet ose duke ushtruar presion ose duke e ndihmuar atë me dorën tjetër. Indi i trashur rifutet në ligamentin unazor, duke shkaktuar dhimbje në nivelin e gishtit. Më shpesh nga ky fenomen preken gishti i pare (i madhi), i tretë dhe i katërt (i unazës)

Shkaku i vërtetë i sëmundjes De Quervain nuk është ende i njohur. Lidhur me zhvillimin e saj dyshohet se ndikojnë situata të ndryshme mjekësore, si psh. ndryshimet indore me origjinë hormonale, guta, diabeti i sheqerit dhe sëmundje të tjera metabolike, si dhe sëmundjet kronike si poliartriti reumatizmal (i lidhur me gjendje të ndryshme mjekësore). Gjithashtu, rreziku i shfaqjes së saj rritet nga ushtrimi në mënyrë të rregullt i një presioni mbi gisht, si psh. gjatë përdorimit të gërshërëve, kaçavidave ose mjeteve të tjera.

Pacienti me sëmundjen De Quervain paraqet këto simptoma:

  • Në fillim, dhimbje përgjithësisht të lehta në nivelin e karpit (kockës ku mbështetet gishti).
  • Më pas, gishti mbetet i bllokuar në pozicionin e përkulur, kur gishtat e tjerë janë të shtrirë.
  • Shfaqja e zonave të enjtura, të rrumbullakta (si kokrra) në nivelin e tendinit të prekur.

 

Sëmundja De Quervain: përkulja dhe shtrirja tregojnë problemet.
Sëmundja De Quervain: përkulja dhe shtrirja tregojnë problemet.

Diagnoza e sëmundjes De Quervain përcaktohet nga mjeku specialist ortoped ose reumatolog, duke u bazuar në:

  • Njohjen e tij në mënyrë të detajuar me historinë e sëmundjes dhe simptomat e pacientit.
  • Egzaminimin e gishtit të prekur nga sëmundja, në pozicionin e përkulur dhe të shtrirë, që përgjithësisht i lejon mjekut të vendosë diagnozën.
  • Kryerjen e radiografisë, që e ndihmon mjekun të përjashtojë shkaqe të tjera të lidhura me kockat e gishtit përkatës.

 

Sëmundja De Quervain: shpesh është i nevojshëm operacioni.
Sëmundja De Quervain: shpesh është i nevojshëm operacioni.
Fillimisht, mjeku duhet të informohet dhe të marrë në konsideratë shkaqet e mundshme, që mund të kenë favorizuar sëmundjen De Quervain. Si të tilla konsiderohen: ndryshimi i zakoneve, mënyra sesi mbahen mjetet e ndryshme, trajtimi i diabetit të sheqerit, guta dhe poliartriti reumatizmal.

Medikamentet

Trajtimi medikamentoz përfshin:

  • Vendosjen e dorës në qetësi (në pozicion të palëvizur) dhe përdorimin e medikamenteve qetësuese (analgjezike) dhe atyre që luftojnë inflamacionin (anti-inflamatore). Shpesh, ky trajtim është i pamjaftueshëm.
  • Injektimin e preparateve që përmbajnë kortizon në nivelin e kanalit tendinoz të prekur, që mund të përsëritet nëse është e nevojshme.

 

Operacionet

Nëse trajtimi medikamentoz nuk arrin të rivendosë funksionin normal të gishtit ose kur gishti ka ngecur në pozicionin e përkulur, e vetmja alternativë trajtimi mbetet ndërhyrja kirurgjikale. Nëpërmjet mpirjes lokale, ligamenti unazor i prekur ndahet në mënyrë që të lejojë kalimin në kanalin tendinoz të trashur. Në rast se kanali paraqet trashje të rëndësishme, indi mund të hiqet.

Për të evituar ndonjë ngjtje të mundshme në nivelin e kanalit tendinoz, rekomandohet që pacienti të kryejë gjimnastikë të gishtave menjëherë pas operacionit.

Sëmundja De Quervain mund të shkaktojë këto ndërlikime:

  • Bllokimin (ngecjen) e gishtit në pozicionin e përkulur.
  • Çrregullime funksionale të nervave dhe enëve të gjakut në gishtin e prekur.
  • Ndërlikime pas operacionit, që përfshijnë: vonesën në shërimin e plagës, infeksionet e plagës operatore , dëmtimet e nervave të vegjël dhe enëve të gjakut, si dhe ngjitjet në nivelin e kanalit tendinoz, në rastet e qëndrimit të gishtit pa lëvizur për një periudhë të gjatë kohore pas operacionit.

 

Dr. med. Fritz Grossenbacher

Fritz Grossenbacher ka studiuar Mjekësi në Bern. Ai zotëron një master në Edukim Mjekësor (Medical Education) nga universitet e Bernës dhe Çikagos dhe një Çertifikatë në "Teaching Evidence based Medicine" nga Qendra e Mbretërisë së Bashkuar Cochrane në Oksford.

Doris Zumbühl

Doris Zumbühl është një asistente klinike e diplomuar në Mjekësi. Ajo ka kryer disa kurse trajnimi te avancuara në gazetari, IT dhe përpunim grafik.

Dr. Yllka Themeli

Yllka Themeli ka studiuar Mjekësi të përgjithshme në Tiranë. Është specializuar në Endokrinologji, fushë në të cilën ka kryer edhe studimet pasuniversitare, si Masterin dhe Doktoraturën. Prej 18 vitesh specialiste Endokrinologe dhe njëkohësisht Pedagoge në Universitetin e Mjekësisë së Tiranës.