logo
Përgatitur dhe përshtatur nga sprechzimmer.ch.
Kontribuesit (Dr. med. Fritz GrossenbacherDoris ZumbühlDr. Yllka Themeli)
Oftalmoskopia: Ekzaminimi biomikroskopik i syve
Oftalmoskopia: Ekzaminimi biomikroskopik i syve

Çfarë është oftalmoskopia?

Optalmoskopia është një ekzaminim i syrit gjatë të cilit, përmes pupilës së zgjeruar, vëzhgohet pjesa e brendshme e syrit me një pajisje që quhet biomikroskop. Ky i fundit është një aparat i veçantë, i cili lejon okulistin të zbulojë ndryshimet e mundshme të fundusit (sipërfaqjes së brendshme të syrit). Struktura e fundusit përfshin retinën dhe enët e gjakut të saj, kokën e nervit të shikimit (papila) dhe makulën (zonën e aftësisë më të madhe të të parit).

Oftalmoskopia është një ekzaminim i fushës së Oftalmologjisë.

A kërkon Oftalmoskopia ndonjë përgatitje të veçantë paraprake?

Përpara se të kryhet oftalmoskopia, zgjerohen pupilat duke hedhur disa pika në sy, që pamja të jetë më e qartë. Nëse nuk hidhen këto pika, pupilat do të tërhiqeshin nën efektin e dritës, duke penguar vëzhgimin korrekt të fundusit.

Çfarë duhet të sqarohet përpara oftalmoskopisë?

Përpara kryerjes së oftalmoskopisë, duhet të përcaktohet prania e mundshme e faktorëve të rrezikut për sëmundjet e syrit, si diabeti i sheqerit, hipertensioni arterial, ose një kalcifikim i arterieve (arterioskleroza).

Si realizohet oftalmoskopia?

Pas zgjerimit të pupilave me anën e pikave që hidhen në sy, syri ndriçohet nga një llampë shumë e ndritshme, dhe fundi i syrit (fundusi i syrit) ekzaminohet me një instrument optik të veçantë (oftalmoskop). Gjatë oftalmoskopisë mund të bëhet edhe matja e presionit brenda syrit (Tonometria).

Kur përdoret oftalmoskopia?

Oftalmoskopia është një nga ekzaminimet kryesore të okulistit, që përdoret për të diagnostikuar sëmundjet akute të syrit, si dhe për të zbuluar sëmundjet kronike që mund të shkaktojnë dëmtime të syrit (të tilla janë diabeti i sheqerit, presioni i lartë i gjakut) dhe sëmundjet e syve të lidhura me moshën, kryesisht glaukoma.

Arsyet e zakonshme që kërkojnë kryerjen e oftalmoskopisë janë:

  • Konjuktiviti (inflamacioni i konjuktivës)
  • Opacifikimi i kristalinit, katarakti
  • Glaukoma
  • Inflamacioni i brendshëm i syrit (uveiti)
  • Pas një ndërhyrjeje kirurgjikale në sy
  • Dëmtimet në sy
  • Dëmtimi i enëve të gjakut të retinës për shkak të një diabeti të sheqerit ose hipertensioni arterial të patrajtuar ose të trajtuar keq
  • Degjenerimi makular i lidhur me moshën
  • Sëmundjet e retinës: shkëputja e retinës, inflamacioni i retinës (retiniti)
  • Tumoret e syrit
  • Humbja ose rënia e papritur e aftësisë së të parit
  • Çrregullimet e aftësisë së të parit (ndryshimet e fushës së pamjes)
  • Shfaqja e njollave të dritës ose njollave të errëta në fushën e pamjes
  • Sytë e kuq
  • Skleroza e shumëfishtë
  • Ekzaminimi i syrit kur mbahen syze ose lente të kontaktit

A paraqet oftalmoskopia rreziqe ose efekte të padëshiruara?

Ky ekzaminim është i padhimbshëm dhe pa rreziqe. Llampa e dritës mund të shkaktojë parehati tek pacienti për shkak të një shkëlqimi të lehtë. Pikat që hidhen në sy mund të shkaktojnë një ndjesi të lehtë djegieje. Pas zgjerimit të pupilës, pacienti nuk duhet të drejtojë automjetin derisa të zhduket efekti i ilaçit.

Dr. med. Fritz Grossenbacher

Fritz Grossenbacher ka studiuar Mjekësi në Bern. Ai zotëron një master në Edukim Mjekësor (Medical Education) nga universitet e Bernës dhe Çikagos dhe një Çertifikatë në "Teaching Evidence based Medicine" nga Qendra e Mbretërisë së Bashkuar Cochrane në Oksford.

Doris Zumbühl

Doris Zumbühl është një asistente klinike e diplomuar në Mjekësi. Ajo ka kryer disa kurse trajnimi te avancuara në gazetari, IT dhe përpunim grafik.

Dr. Yllka Themeli

Yllka Themeli ka studiuar Mjekësi të përgjithshme në Tiranë. Është specializuar në Endokrinologji, fushë në të cilën ka kryer edhe studimet pasuniversitare, si Masterin dhe Doktoraturën. Prej 18 vitesh specialiste Endokrinologe dhe njëkohësisht Pedagoge në Universitetin e Mjekësisë së Tiranës.