logo
Përgatitur dhe përshtatur nga sprechzimmer.ch.
Kontribuesit (Dr. med. Fritz GrossenbacherDoris ZumbühlDr. Yllka Themeli)
Problemet e ereksionit prekin burrin dhe gruan.
Problemet e ereksionit prekin burrin dhe gruan.

Meshkujt që shfaqin impotencë nuk arrijnë të kenë ereksion (forcim dhe ngritje të penisit) ose kanë ereksion të pamjaftueshëm gjatë marrëdhënieve seksuale. Nëse këto çrregullime shfaqen në mënyrë të përsëritur, bëhet fjalë për çrregullim të funksionit erektil.

Studimet e kryera në vende të ndryshme të botës kanë treguar që çrregullimet e ereksionit janë shumë më të përhapura sesa mendohet në të vërtetë. Shpeshtësia e tyre varet drejtpërdrejt nga mosha. Kështu, në një studim të gjerë ku u përfshinë 28.000 meshkuj, impotenca u konstatua  tek 7% e personave me moshë nga 20-29 vjeç, tek 48% e personave me moshë 50-59 vjeç dhe tek 64% e personave nga 70-79 vjeç.

Shumë meshkuj mund të paraqesin çrregullime të rastësishme të ereksionit. Në përgjithësi, në këto raste bëhet fjalë për impotencë kalimtare, pra të përkohshme. Nëse këto çrregullime bëhen më të shpeshta (kronike), duhet të merret në konsideratë një çrregullim i funksionit erektil. 

Çrregullimet e ereksionit (impotenca) mund të jenë më shumë ose më pak shprehura, sipas rastit. Për këtë arsye, funksioni erektil klasifikohet në kategori të ndryshme:

  • Nuk ka çrregullim të ereksionit:  nuk ka dëmtim të aftësisë për të patur ereksion dhe për ta mbajtur atë.
  • Çrregullim i lehtë ereksionit: aftësia për të patur ereksion dhe për ta mbajtur atë është lehtësisht e dëmtuar. Meshkujt që paraqesin këtë lloj çrregullimi janë përgjithësisht të kënaqur në aspektin seksual.
  • Çrregullim i ereksionit në nivel mesatar: aftësia për të patur ereksion dhe për ta mbajtur atë është pjesërisht e dëmtuar. Meshkujt që paraqesin këtë lloj çrregullimi, rrallë janë të kënaqur në aspektin seksual. Në fakt, pjesa më e madhe e meshkujve shfaqin pikërisht këtë tip të çrregullimit të ereksionit.  
  • Çrregullim i ereksionit në nivel të lartë: aftësia për të patur ereksion dhe për ta mbajtur atë është shumë e dëmtuar. Meshkujt që paraqesin këtë lloj çrregullimi nuk janë aspak të kënaqur në aspektin seksual.

Ereksioni është një proçes mjaft i ndërlikuar, që realizohet si rezultat i ndërveprimit të mekanizmave të caktuar nervorë dhe atyre vaskularë. Për pasojë, çrregullimi i tij (impotenca) ndodh kur faktorë të ndryshëm ndërhyjnë dhe prishin këtë ndërveprim. Në rreth 70% të rasteve me impotencë, është vërtetuar që dominojnë problemet e lidhura me furnizimin me gjak (vaskulare).

Me kalimin e moshës, shumë meshkuj konstatojnë që u duhet më shumë kohë për të patur një ereksion, që ereksioni nuk është i theksuar si më përpara, dhe që u duhet më shumë kohë për të arritur orgazmën. Të gjitha këto fenomene janë normale dhe nuk duhet të ngatërrohen me çrregullimet e vërteta të ereksionit, pasi këto të fundit nuk janë domosdoshmërisht pasoja të plakjes.

Për disa vite, faktorët psikologjikë janë konsideruar shkaktarët kryesorë të çrregullimeve të ereksionit. Në ditët e sotme, dihet që kjo nuk është e saktë. Më shpesh, në pothuajse 80% të rasteve, ato janë pasojë e kombinimit të problemeve të ndryshme, si kufizimet psiko-sociale, hipertensioni arterial,   mbipesha trupore, diabeti i sheqerit ose rritja e nivelit të yndyrnave në gjak.

Shkaqet organikë të përmendura më sipër (diabeti, hipertensioni, mbipesha trupore, yndyrnat e rritura) shkaktojnë ndryshime të tilla në nivelin e enëve të gjakut, që i paraprijnë zhvillimit të arteriosklerozës, veçanërisht në nivelin e arterieve që furnizojnë me gjak organin e jashtëm mashkullor (penisin).
Shkaqe të tjera të mundshme të impotencës janë: disa ndërhyrje kirurgjikale në zonën e legenit, sëmundjet neurologjike, medikamentet e ndryshme dhe çrregullimet hormonale.

Sëmundjet që dëmtojnë enët e gjakut shoqërohen shpesh me impotencë! 

Ngushtimet e enëve të gjakut prej arteriosklerozës (si psh. sëmundja e arterieve koronare, që furnizojnë me gjak muskulin e zemrës) janë përgjegjëse për një furnizim të pamjaftueshëm me gjak të trupave kavernozë të penisit (zona e sfungjertë, që përmban pjesën më të madhe të gjakut gjatë ereksionit). Nivelet e larta të yndyrnave dhe të sheqerit në gjak, hipertensioni dhe duhanpirja konsiderohen faktorë të rrezikut për zhvillimin e kësaj situate. Këto ndryshime mund të jenë jo vetëm në origjinën e një çrregullimi të ereksionit, por mund të shkaktojnë edhe infarkt të miokardit ose goditje në tru.

 Diabeti i sheqerit mund të shkaktojë impotencë, por vetëm disa vjet pas shfaqjes së tij!

Çrregullimi i ereksionit është shumë i shpeshtë tek diabetikët. Në varësi të studimeve të ndryshme dhe të moshës së pacientit, shpeshtësia e tij në kontigjentin e pacientëve me diabet të sheqerit të tipit 2 arrin në 30-70%. Në pothuajse gjysmën e rasteve, ky çrregullim zhvillohet brenda 10 viteve të para pas diagnostikimit me diabet. Tepër interesant është fakti që në 2% të rasteve, çrregullimi i ereksionit ishte shenja (simptoma) e parë e diabetit të sheqerit.

Ndërhyrjet kirurgjikale të kryera në zonën e legenit mund të shkaktojnë impotencë!

Këto ndërhyrje mund të shkaktojnë impotencë kur gjatë kryerjes së tyre dëmtohen rrugët venoze ose  furnizimi me gjak i penisit. Veçanërisht e shpeshtë është kjo situatë tek pacientët me kancer të prostatës, që i janë nënshtruar heqjes së plotë të saj.

Medikamentet mund të shkaktojnë impotencë!

Rreth një e katërta e çrregullimeve të ereksionit (impotencës) shkaktohen nga medikamentet e përdorura për trajtimin e sëmundjeve të tjera, si hipertensioni arterial, sëmundjet e zemrës ose  depresionit. Në këto raste, ndërprerja e medikamentit përgjegjës dhe zëvendësimi i tij me një tjetër mund të përmirësojë situatën.

Shkaqet neurologjike të impotencës

Faktorët neurologjikë mund të jenë përgjegjës për impotencën, veçanërisht tek diabetikët me neuropati diabetike (dëmtim të nervave), që është ndërlikim i diabetit të sheqerit. Gjithashtu ky çrregullim mund të shkaktohet edhe nga dëmtime të tjera të nervave në zonën e legenit (psh. si pasojë e ushtrimit të tepruar të çiklizmit). Impotencë shkaktojnë shpesh edhe dëmtimet e palcës së kockave dhe disa sëmundje të sistemit nervor  qendror, si skleroza e shumëfishtë (multiple).

Traumatizimet mund të shkaktojnë impotencë!

Traumat e pësuara në nivelin e penisit dhe traumat e perineumit (cipës që mbështjell organet e legenit) mund të shkaktojnë impotencë. Gjithashtu edhe sëmundjet infektive kronike dhe radioterapia (terapia me rrezatim) në zonën e legenit luajnë rol të rëndësishëm në këtë drejtim.


 

Problemet me ereksionin: trajtim me medikamente dhe këshillim psikologjik.
Problemet me ereksionin: trajtim me medikamente dhe këshillim psikologjik.

Medikamentet

Për trajtimin e impotencës përdoren tri grupe medikamentesh:

  • Medikamentet  që merren nga goja dhe veprojnë në nivelin e penisit (frenuesit e PDE-5)
  • Medikamentet që merren nga goja dhe veprojnë në nivelin e trurit (psh.  apomorfina)
  • Medikamentet që aplikohen direkt në penis.

Frenuesit e PDE-5

Në rastin e impotencës, përqëndrimi në nivelin e penisit i substancave neurotransmetuese (që janë përgjegjëse për ereksionin) është i pamjaftueshëm. PDE-5 është një enzimë që gjendet në muret e enëve të gjakut të penisit, që metabolizon (zbërthen) pikërisht këto substanca. Frenimi i kësaj enzime bllokon shkatërrimin e substancave neurotransmetuese. Për pasojë, përqëndrimi i tyre rritet, duke mundësuar ereksionin. Kujdes: këto medikamente veprojnë vetëm në kushtet e stimulimit seksual. Në ditët e sotme, këta frenues janë trajtimi më i përdorur për problemin e impotencës. Përdorimi i tyre është i thjeshtë dhe praktik: ato merren  përgjithësisht menjëherë përpara kontaktit seksual. Këto përparësi bëjnë që këto medikamente të përfaqësojnë  një mënyrë tepër spontane dhe natyrale të nxitjes së ereksionit.

Medikamentet e tjera që merren nga goja

Apomorfina është një medikament tjetër që përdoret për trajtimin e impotencës. Ajo gjendet në formën e tabletave (kokrrave) që treten nën gjuhë. Ndryshe nga  frenuesit e PDE-5, apomorfina vepron mbi atë zonë të trurit që kontrollon ereksionin.

Medikamentet që përdoren lokalisht

Ato injektohen ose drejtpërdrejt në penis, ose nëpërmjet futjes në  uretër, ku përthithen. Prej aty, ato shpërndahen në indin kavernoz, ku shkaktojnë lëshim të muskujve të lëmuar. Për shkak të shtimit të rrjedhjes së gjakut, ereksioni shfaqet brenda 5-10 minutash. Ky tip trajtimi përdoret tek pacientët që nuk mund të përdorin medikamente nga goja, ose kur këto të fundit janë përdorur, por nuk kanë dhënë rezultat. Siç rezulton edhe më sipër, mënyrat e trajtimit të impotencës janë të ndryshme, por zgjedhja e tyre nuk mund të bëhet sipas preferencës së personit që e paraqet atë. Nëse një person dëshiron të fillojë një trajtim specifik për impotencën, duhet ta diskutojë atë paraprakisht me mjekun e tij seksolog ose androlog. Duke njohur mirë situatën shëndetsore të pacientit, mjeku do t’i propozojë atij metodat e mundshme dhe pacienti do të mund të zgjedhë atë që i duket më e përshtatshme për të.

Operacionet

Kjo mënyrë e trajtimit të impotencës përfshin:

  • Përmirësimin e furnizimit me gjak të penisit, që do të pakësonte rrjedhjen venoze.
  • Implantimin kirurgjikal, që konsiston në vendosjen me rrugë kirurgjikale të një implanti cilindrik prej silikoni, që lejon ereksionin. 

Që prej futjes në përdorim të medikamenteve të reja për trajtimin e impotencës, metodat kirurgjikale po gjejnë gjithnjë e më pak përdorim në praktikën e përditshme. Vendimi për kryrjen e një ndërhyrjeje kirurgjikale duhet të vlerësohet me seriozitet, pasi ai mund të shkaktojë dëmtime të parikthyeshme të disa strukturave të penisit.  

Masat fizike

Konsiston në përdorimin e pompës me vakum, pra në vendosjen e një tubi përpara penisit, i cili shkakton ereksionin nëpërmjet thithjes. Paralelisht me të, në bazën e penisit vendoset një unazë ngushtuese, që mundëson ruajtjen (mbajtjen) e ereksionit. Këto pompa janë efikase, por nuk duhet të përdoren për më tepër se 30 minuta, pasi penisi do të rrezikonte të bëhej i ftohtë dhe i dhimbshëm. 

Masat Psikologjike

Kjo formë e trajtimit konsiston në këshillimin dhe/ose  psikoterapinë. Pacienti dhe partneri/partnerja e tij diskutojnë rreth problemit të tyre me një psikiatër, një psikolog ose një këshillues  psikologjik. Pacienti duhet të shprehet lirshëm për problemet e tij, të fushës seksuale dhe/ose të fushave të tjera, që mund të ndikojnë në aftësinë e tij për të patur një ereksion ose për ta ruajtur atë. Në të tilla raste, këshillimi duhet të kryhet nga seksologë, andrologë ose  psikologë të kualifikuar. 

Dr. med. Fritz Grossenbacher

Fritz Grossenbacher ka studiuar Mjekësi në Bern. Ai zotëron një master në Edukim Mjekësor (Medical Education) nga universitet e Bernës dhe Çikagos dhe një Çertifikatë në "Teaching Evidence based Medicine" nga Qendra e Mbretërisë së Bashkuar Cochrane në Oksford.

Doris Zumbühl

Doris Zumbühl është një asistente klinike e diplomuar në Mjekësi. Ajo ka kryer disa kurse trajnimi te avancuara në gazetari, IT dhe përpunim grafik.

Dr. Yllka Themeli

Yllka Themeli ka studiuar Mjekësi të përgjithshme në Tiranë. Është specializuar në Endokrinologji, fushë në të cilën ka kryer edhe studimet pasuniversitare, si Masterin dhe Doktoraturën. Prej 18 vitesh specialiste Endokrinologe dhe njëkohësisht Pedagoge në Universitetin e Mjekësisë së Tiranës.