logo
Përgatitur dhe përshtatur nga sprechzimmer.ch.
Kontribuesit (Dr. med. Fritz GrossenbacherDoris ZumbühlDr. Yllka Themeli)
 Elektroneurografia (ENG) është një test fiziologjik, që mat shpejtësinë e përcjelljes së impulsive në nervat periferikë.
Elektroneurografia (ENG) është një test fiziologjik, që mat shpejtësinë e përcjelljes së impulsive në nervat periferikë.

Çfarë është një Elektroneurografi?

Nervat dhe muskujt funksionojnë me ndihmën e rrymave elektrike, që mund të jenë të matshme. Elektroneurografia (ENG) shërben për të vlerësuar shkallën e përçueshmërisë elektrike në nerva të ndryshëm, veçanërisht të nervave të mëdhenj të krahëve dhe këmbëve. Ajo mat shpejtësinë e përcjellshmërisë nervore, pra cilësinë dhe shpejtësinë me të cilën nervi transmeton sinjalet elektrike. Nervat e dëmtuar paraqesin çrregullime në përçueshmëri, e cila rezulton e dobët, e ngadalësuar ose mungon fare. Në këtë mënyrë mundësohet evidentimi i dëmtimeve nervore dhe sëmundjeve të ndryshme nervore, por njëkohësisht edhe i sëmundjeve muskulare. Elektroneurografia bën pjesë në ekzaminimet më të shpeshta të realizuara tek neurologu dhe shpesh kombinohet me elektromiografinë (vlerësimin e aktivitetit muskular). 

Elektroneurografia është një ekzaminim neurologjik. 

A kërkon ky ekzaminim ndonjë përgatitje paraprake specifike?

Elektroneurografia mund të realizohet pa ndonjë përgatitje specifike. Për të marrë rezultate sa më reale, lëkura duhet të jetë e pastër dhe jo e yndyrshme (mos përdorni kremra të lëkurës).

Çfarë duhet të sqarohet përpara ekzaminimit?

Asgjë e veçantë nuk duhet sqaruar para se të kryhet një elektroneurografi. Duhet treguar kujdes për një alergji të mundshme në lëkurë, për shkak të elektrodave të ngjitshme.

Si realizohet Elektroneurografia?

Ekzaminimi mund të kryhet në kushte ambulatore, në kabinetin e neurologjisë dhe zgjat 5 - 15 minuta, në varësi të numrit të nervave që duhet të vlerësohen.

  • Nervat  që do të vlerësohen stimulohen në mënyrë artificiale në mënyrë të njëpasnjëshme, në dy vende të ndryshme, nëpërmjet një stimuli të dobët elektrik (impuls i shkurtër elektrik). Kjo gjë realizohet me anën e elektrodave që ngjiten në lëkurë.  
  • Impulsi elektrik transmetohet në nerv deri tek muskujt përkatës, duke shkaktuar tkurrje të muskujve.
  • Kjo tkurrje e muskujve regjistrohet nga aparatura e ENG-së përmes një elektrode të ngjitur në lëkurë, dhe paraqitet grafikisht në formën e elektroneurogramës.
  • Në të njëjtën mënyrë, mund të vlerësohet edhe funksioni i nervave shqisorë (perceptimi i prekjes, perceptimi i temperaturës, perceptimi i dhimbjes).

Kur duhet të kryhet Elektroneurografia?

Elektroneurografia përdoret për diagnostikimin dhe monitorimin e sëmundjeve të ndryshme nervore dhe muskulare. 

Arsyet më të shpeshta për kryerjen e elektroneurografisë janë:

  • Polineuropatitë: janë sëmundje nervore që prekin disa nerva të gjatë, si pasojë e sëmundjeve të tjera kronike (si p.sh. diabeti, alkoolizmi).
  • Dëmtime të nervave të izoluar, si p.sh. sindromi i kanalit karpal (tunelit të kyçit të dorës), dëmtimet nervore ose inflamacionet nervore.

A paraqet Elektroneurografia ndonjë rrezik apo efekte të padëshiruara? 

Impulset nervore të dobëta nuk janë të rrezikshme dhe nuk janë drejtpërdrejt të dhimbshme, por ato mund të perceptohen si paksa të pakëndshme. Pas ekzaminimit, pacienti mund të ndjejë ende një ndjesi të lehtë pickimi për një kohë të shkurtër. 

Dr. med. Fritz Grossenbacher

Fritz Grossenbacher ka studiuar Mjekësi në Bern. Ai zotëron një master në Edukim Mjekësor (Medical Education) nga universitet e Bernës dhe Çikagos dhe një Çertifikatë në "Teaching Evidence based Medicine" nga Qendra e Mbretërisë së Bashkuar Cochrane në Oksford.

Doris Zumbühl

Doris Zumbühl është një asistente klinike e diplomuar në Mjekësi. Ajo ka kryer disa kurse trajnimi te avancuara në gazetari, IT dhe përpunim grafik.

Dr. Yllka Themeli

Yllka Themeli ka studiuar Mjekësi të përgjithshme në Tiranë. Është specializuar në Endokrinologji, fushë në të cilën ka kryer edhe studimet pasuniversitare, si Masterin dhe Doktoraturën. Prej 18 vitesh specialiste Endokrinologe dhe njëkohësisht Pedagoge në Universitetin e Mjekësisë së Tiranës.