Matja e indeksit krah-kyç i këmbës (ABI)
Kontribuesit (Dr. med. Fritz Grossenbacher, Doris Zumbühl, Dr. Yllka Themeli)

Çfarë është matja e indeksit krah-kyç i këmbës (ABI)?
ABI i referohet matjes së indeksit të krahut dhe kyçit të këmbës (krah-këmbë). Ai është një ekzaminim i thjeshtë, pa dhimbje, që zgjat vetëm disa minuta, ku matet presioni sistolik në të dy krahët dhe këmbët me anë të një manshete të aparatit të matjes së presionit dhe aparatit ekografik. Matja e këtij indeksi shërben për zbulimin e hershëm të çrregullimit të qarkullimit të gjakut të këmbëve. Kjo emërtohet si sëmundja arteriale periferike ose PAD dhe zakonisht shkaktohet nga kalcifikimi i enëve të gjakut (arterioskleroza). Njihet gjithashtu edhe si “këmba e duhanpirësit”. Pacientët me këtë sëmundje mund të ecin vetëm në distanca të shkurtra (nga dritarja - në dritare) për shkak të pakësimit të qarkullimit të gjakut në këmbët e tyre.
Matja e këtij indeksi është një ekzaminim i shërbimit të angiologjisë dhe mjekësisë interne (të organeve të brendshme).
A është e nevojshme përgatitja e pacientit para ekzaminimit?
Matja e këtij indeksi nuk ka nevojë për përgatitje të veçantë nga ana e pacientit. Përpara matjes ai duhet të qëndrojë për rreth 10 minuta i qetë, në pozicionin shtrirë.
Çfarë sqarimi nevojitet para ekzaminimit?
Nuk ka nevojë për ndonjë sqarim të veçantë para matjes së indeksit krah-këmbë.
Si kryhet matja e indeksit krah-këmbë?
Ky ekzaminim kryhet me pacientin shtrirë, pas 10 minutave qëndrim në gjendje qetësie. Vlera e majtë dhe e djathtë e indeksit krah- këmbë përcaktohet me anë të matjes së presionit sistolik të gjakut nëpërmjet manshetës së aparatit të tensionit dhe me anë të aparatit të ekografisë, në të dy krahët dhe kyçet e këmbëve. Kur kjo vlerë rezulton nën 0.9 do të thotë se ekziston një çrregullim i qarkullimit të gjakut në gjymtyrët e poshtme, pra kemi të bëjmë me sëmundjen arteriale periferike (PAD).
Kur këshillohet matja e këtij indeksi?
Vlera e këtij indeksi përdoret për të diagnostikuar çrregullimet e qarkullimit të gjakut në këmbë dhe për të përcaktuar shkallën e rrezikut të tyre. Matja e tij nevojitet gjithashtu për zbulimin e hershëm të kësaj sëmundjeje tek personat e riskuar, dhe për të vlerësuar riskun e çdo pacienti për të zhvilluar një atak të mundshëm në zemër ose goditje në tru, si rezultat i kesaj sëmundjeje vaskulare.
Shkaqet më të shpeshta që kërkojnë kryerjen e një ekzaminimi të tillë janë:
- Sëmundja arteriale periferike (PAD)
- Kontrollet mjekësore rreth moshës 55 vjeç ose edhe më herët, për zbulimin e faktorëve të rriskut për PAD, që janë: presioni i lartë i gjakut (hipertensioni), mbipesha dhe obeziteti, rritja e kolesterolit në gjak (hiperkolesterolemia), çrregullimet e trashëguara të qarkullimit të gjakut (PAD në familje), diabeti, duhanpirja
- Dhimbjet e këmbëve
A paraqet kjo matje rreziqe apo efekte të dëmshme?
Ky ekzaminim është pa dhimbje dhe pa rreziqe.