Mykoza e thonjve (Onikomykoza)
Kontribuesit (Dr. med. Fritz Grossenbacher, Doris Zumbühl, Dr. Yllka Themeli)

Përveç faktit që përbën një problem estetik, mykoza e thonjve është një sëmundje ngjitëse, që prek përgjithësisht thonjtë e këmbëve dhe më rrallë ato të duarve. Termi shkencor i sëmundjes është onikomykoza. Mykoza e thonjve është tepër e përhapur në vendet e zhvilluara dhe përfaqëson një nga mykozat më të shpeshta.
Faktorët dhe situatat që favorizojnë mykozën e thonjve janë:
- Më shpesh, mykoza e thonjve shkaktohet nga kërpudhat fijëzore (dermatofitet) dhe rrallë nga kandida.
- Sporet e kërpudhave gjenden kryesisht në objektet publike shëndetsore, në kabinat e pajisjeve të dyqaneve ose hoteleve, dhe janë mjaft rezistente ndaj kushteve të ambientit.
- Mykozat e thonjve janë shpesh pasuese të mykozave të patrajtuara të këmbëve.
- Djersitja e theksuar dhe lagështira e pranishme brenda këpucëve favorizojnë shfaqjen e mykozës së thonjve.
- Çrregullimet e qarkullimit të gjakut në terren të një diabeti të sheqerit ose të një sëmundje ngushtuese të arterieve, si dhe shtypja mekanike e këmbës në rastin e këpucëve të ngushta, pakësojnë mundësinë e mbrojtjes së lëkurës dhe të thonjve në nivelin e zonave përkatëse dhe favorizojnë infeksionin mykotik në to.

Thonjtë e prekur nga mykoza trashen. Ata marrin një ngjyrë të verdhë në kafe, janë të ashpër në prekje dhe thërrmohen gjatë prerjes. Në rastin e infeksionit nga kërpudhat fijëzore, ngjyrosja fillon përgjithësisht nga buzët e përparme dhe anësore të thoit, në formën e një njolle të bardhë që mund të përhapet. Nëse infeksioni është shkaktuar nga kandida, ngjyrosja fillon në nivelin e përthyerjes së thoit, pra në bazën e tij. Thonjtë mund të shfaqin ngjyrosje të ngjashme edhe në rastin e psoriazës. Megjithatë, kjo sëmundje nuk ka asnjë lidhje me mykozën e thonjve.

Përgjithësisht, mjeku mund të orientohet për diagnozën e mykozës së thonjve edhe vetëm nëpërmjet egzaminimit të tyre me sy të lirë. Për të konfirmuar diagnozën, thoi egzaminohet më me hollësi. Shpesh, ndodh që sëmundje të tjera të ngatërrohen me një mykozë. Për të evituar këtë mundësi, duhet të kryhen:
- Egzaminimi mikroskopik i materialit të marrë nga thoi.
- Identifikimi i tipit të kërpudhës në kulturën e materialit (mbjelljen e tij).

Trajtimi i mykozës së thonjve është i vështirë. Për këtë arsye, është e detyrueshme të zbatohen në mënyrë strikte këshillat e mjekut.
Nëse trajtimi mjekësor dhe masat shoqëruese zbatohen me korrektësi dhe për një periudhë të mjaftueshme, infeksioni shërohet plotësisht. Shërimi i mykut të thonjve ose përkundrazi, përhapja e tij dhe infektimi i personave të tjerë varen nga sjellja e secilit pacient.
Trajtimi mund të jetë lokal dhe/ose i përgjithshëm:
- Trajtimi lokal konsiston në përdorimin e medikamenteve që eleminojnë mykun, në formën e xhelit ose llakut mbi zonat e prekura nga myku. Në këto raste, është i nevojshëm bashkëpunimi me personin që kujdeset për thonjtë e këmbës (që bën pedikyrin). Kjo për faktin se trajtimi mekanik i thoit nga një profesionist përgatit terrenin për veprimin më me efikasitet të një medikamenti kundër mykut të përdorur lokalisht.
- Trajtimi i përgjithshëm (sistemik) konsiston në përdorimin e tabletave ose kapsulave nga goja. Ky trajtim është i nevojshëm në rastet kur është prekur më shumë se gjysma e thoit ose disa thonj. Ai vazhdohet derisa të rritet gjithë thoi i sëmurë. Për thonjtë e duarve kjo periudhë arrin në rreth 3 muaj, ndërsa për ato të këmbëve në rreth 6 muaj.

Për të evituar zhvillimin e mykozës së thonjve, rekomandohet zbatimi i këtyre masave:
- Thajini gjithmonë me kujdes dhe plotësisht këmbët, veçanërisht të thelluarat ndërmjet gishtave.
- Mbani çorape dhe këpucë që mundësojnë ajrosjen e këmbës.
- Në rast se infeksioni është shfaqur, ndërroni çorapet dhe këpucët çdo ditë.
- Lani çorapet në temperaturë jo më të ulët se 60°C, me qëllim që të shkatërroni kërpudhat dhe sporet e tyre.
- Evitoni nxehtësinë brenda këpucëve, si psh. në rastin e çizmeve prej llastiku, atleteve, etj.
- Mos ecni kurrë zbathur në mjedise të lagura.
- Kujdesuni për këmbët dhe thonjtë në mënyrë të rregullt.
- Evitoni dëmtimet dhe shtypjen në nivelin e këmbëve, duke përzgjedhur këpucë të rehatshme, jo të ngushta, veçanërisht në pjesën e majës së tyre.