logo
Përgatitur dhe përshtatur nga sprechzimmer.ch.
Kontribuesit (Dr. med. Fritz GrossenbacherDoris ZumbühlDr. Yllka Themeli)
Matja e presionit arterial të gjakut shërben për të parandaluar ose monitoruar, kur pacienti ka ankesa apo sëmundje të ndryshme.
Matja e presionit arterial të gjakut shërben për të parandaluar ose monitoruar, kur pacienti ka ankesa apo sëmundje të ndryshme.

Çfarë është matja e tensionit?

Nëpërmjet matjes së presionit të gjakut arrijmë të përcaktojmë nëse presioni është normal, i lartë apo i ulët. Ky ekzaminim është ndër më të rëndësishmit, pasi jep një informacion të saktë mbi funksionin e zemrës apo qarkullimin e gjakut. Matja e presionit të gjakut mund të realizohet mjaft thjesht, në kushte komode në shtëpi nga vetë pacienti, me anë të aparateve elektronike. Matja e presionit arterial është një hallkë tepër e rëndësishme për të përcaktuar tipin e trajtimit në rast të një presioni arterial të rritur. 

Matja e presionit arterial është një ekzaminim që i përket të gjitha shërbimevë të mjekësisë.

A është e nevojshme përgatitja e pacientit para ekzaminimit?

Përpara matjes së presionit të gjakut, pacienti duhet të ulet dhe të qëndrojë në qetësi për 5-10 minuta, në mënyrë që të shmanget matja e vlerave false të larta. Nuk është e nevojshme ndonjë parapërgatitje tjetër.

Çfarë shpjegimi nevojitet para ekzaminimit?

Nuk ka nevojë për ndonjë shpjegim të veçantë para ekzaminimit.

Si kryhet matja e presionit të gjakut?

Matja e presionit kryhet nga personeli mjekësor (mjeku, infermieri, farmacisti, etj), ose nga vetë pacienti në shtëpi, ose nëpërmjet vendosjes së një aparati që mat presionin gjatë 24 orëve (Holteri i presionit të gjakut).

Matja e presionit arterial nga personeli i specializuar: matja e presionit arterial kryhet në pozicionin ulur ose shtrirë. Vendoset mansheta në krah dhe fryhet me dorë pompa, derisa gjaku të ndalet se rrjedhuri nëpër arterien e krahut për shkak të presionit të ushtruar. Mansheta është e lidhur gjithashtu me një matës të presionit (manomatër), që tregon presionin që ushtrohet në manshetë. Pastaj, pompa zhvidhoset ngadalë, në mënyrë që të dalë ajri derisa zemra, në një presion të caktuar, fillon të pompojë përsëri gjak në arterien e shtypur. Me anë të stetoskopit, mjeku dëgjon zhurmën e parë që shënon vlerën e sipërme të presionit, atë sistolike, dhe zhdukjen e zhurmës si vlerën më të vogël të presionit, atë diastolike.

Matja e presionit arterial nga vetë pacienti, në shtëpi: për matjen e presionit arterial në kushte shtëpie, pacienti mund të përdorë aparate matëse elektronike që e masin atë në krah apo në kyçin e dorës. Pacienti duhet ta pozicionojë mirë manshetën dhe të ndezë aparatin. Presioni i gjakut matet në mënyrë automatike dhe shfaqet vlera në aparat. Shumica e pajisjeve i regjistrojnë dhe mund t’i ruajnë vlerat, të cilat mund t'i printoni më pas dhe t’ja tregoni mjekut në vizitën e rradhës.

Për të kryer një matje sa më korrekte të presionit të gjakut, duhet të keni parasysh:

  • Përpara çdo matjeje duhet të pushohet 5-10 minuta, në mënyrë që të qetësohet qarkullimi i gjakut dhe të shmanget matja e vlerave false të rritura. 
  • Manshetën duhet ta poziciononi në nivelin e zemrës: në matjet që kryhen në krah, krahu duhet të mbështetet mbi tavolinë, ndërsa kur matja realizohet në kyçin e dorës, ngrijeni krahun së bashku me aparatin në kyç dhe mbajeni në nivelin e zemrës.
  • Duhet patur kujdes me madhësinë e manshetës: po të jetë më e gjerë referon për një vlerë më të vogël të presionit dhe po të jetë më e ngushtë, do të referojë për një vlerë më të madhe të tij.
  • Duhet të kryhen të paktën dy matje në ditë: një në mëngjes dhe një në darkë
  • Lidhur me matjet, e mira është që të kryhen para vaktit dhe para marrjes së medikamenteve të tensionit.

Monitorimi i presionit me Holter 24 orësh  (Holteri i zemrës): me anë të këtij tipi monitorimi, mund të maten luhatjet e presionit arterial gjatë ditës. Kjo mënyrë përmirëson maksimalisht zgjedhjen e trajtimit të presionit arterial. Mansheta e aparatit është e lidhur me një pajisje që demostron luhatjen e vlerave të presionit arterial dhe të pulsit në 24 orë. Pacienti mund të kryejë një aktivitet normal gjatë gjithë ditës (por jo të lahet), gjithsesi vlerat e presionit do të maten më mirë kur pacientin pushon (pra qëndron në qetësi) apo gjatë përjetimit të situatave stresuese. Intervalet e matjes janë çdo 15 minuta gjatë ditës dhe çdo 30 minuta gjatë natës. Vlerat regjistrohen në mënyrë të kompjuterizuar nga aparati dhe më pas interpretohen nga mjeku.

Kur këshillohet të kryhet matja e tensionit?

Matja e tensionit kryhet me qëllim përcaktimin e diagnozës së një sëmundjeje, dhe/ose për të kontrolluar ecurinë e një trajtimi. Gjithashtu, ajo vlerëson qarkullimin e gjakut në raste emergjente apo në kontekstin e kujdesit shëndetësor. Matja e presionit arterial vlerëson për praninë e sëmundjeve të ndryshme të zemrës, të sistemit arterial dhe veshkave, si dhe të çrregullimeve të sistemit nervor dhe atij hormonal.

Shkaqet më të shpeshta që çojnë në matjen e presionit arterial janë:

  • presioni i lartë i gjakut (hipertensioni arterial, hipertonia)
  • rënia e presionit të gjakut (hipotensioni arterial, hipotonia)
  • arterioskleroza 
  • sëmundje të zemrës: angina pectoris (dhimbja e gjoksit)
  • situata emergjente: dëmtime, gjendje shoku, infarkt akut i miokardit apo ishemi 
  • diabeti i sheqerit
  • insufiçienca kronike e veshkave (dëmtimi i veshkave)
  • hipertiroidizmi, hiperparatiroidizmi
  • çrregullimet hormonale: sindromi Cushing
  • luhatjet e presionit të gjakut në varësi të medikamenteve që përdor pacienti (analgjezikë të ndryshëm, pilula kontraceptive, administrim i kortizonikëve në doza të larta)
  • tensioni i lartë i gjakut i lidhur me shtatzaninë (Preeklampsia)
  • marrje mendsh
  • gjakderdhje nga hundët
  • zhurmë në vesh
  • mbipeshë trupore
  • mungesë e aktivitetit fizik
  • stresi psikologjik

A mbart faktorë rrisku apo efekte të padëshiruara matja e presionit të gjakut?

Ky tip ekzaminimi është plotësisht pa dhimbje dhe pa rreziqe. I vetmi problem qëndron në faktin se mund të kryhen matje të pasakta nga pacienti në shtëpi. Në rastin e matjes së vlerave të larta të presionit arterial, shoqërohet me ankth (ankthi e rrit gjithmonë e më tepër presionin e gjakut) ose me shtim të sasisë së medikamenteve që do të marrë pacienti për ta ulur atë. Nga ana tjetër, matja e vlerave tepër të ulëta të presionit arterial çon në nënvlerësim të faktorëve të rriskut, që e përkeqësojnë presionin e gjakut. 

Dr. med. Fritz Grossenbacher

Fritz Grossenbacher ka studiuar Mjekësi në Bern. Ai zotëron një master në Edukim Mjekësor (Medical Education) nga universitet e Bernës dhe Çikagos dhe një Çertifikatë në "Teaching Evidence based Medicine" nga Qendra e Mbretërisë së Bashkuar Cochrane në Oksford.

Doris Zumbühl

Doris Zumbühl është një asistente klinike e diplomuar në Mjekësi. Ajo ka kryer disa kurse trajnimi te avancuara në gazetari, IT dhe përpunim grafik.

Dr. Yllka Themeli

Yllka Themeli ka studiuar Mjekësi të përgjithshme në Tiranë. Është specializuar në Endokrinologji, fushë në të cilën ka kryer edhe studimet pasuniversitare, si Masterin dhe Doktoraturën. Prej 18 vitesh specialiste Endokrinologe dhe njëkohësisht Pedagoge në Universitetin e Mjekësisë së Tiranës.