Djersitja e tepërt (Hiperhidroza)
Kontribuesit (Dr. med. Fritz Grossenbacher, Doris Zumbühl, Dr. Yllka Themeli)

Hiperhidroza është fenomeni i prodhimit të djersës në mënyrë të egzagjeruar nga gjendrat e djersës. Ajo mund të jetë edhe manifestim shoqërues i shumë sëmundjeve ose çrregullimeve të sistemit nervor. Në këtë këndvështrim, hiperhidroza ndahet në dy forma, parësore dhe dytësore.
Gjendrat që prodhojnë djersën në trupin e njeriut janë të dy llojeve:
- Gjendra ekrine, që janë të pranishme në pothuajse të gjithë sipërfaqen e trupit, përveç zonës së buzëve, penisit (organit seksual mashkullor) dhe klitorisit.
- Gjendra apokrine, që gjenden në nivelin e sqetullave, thithit të gjirit, zonës gjenitale dhe asaj anale (vrimës së jashtëqitjes).
Përbërja e djersës
Djersa përbëhet nga uji (99%), kloruri i natriumit (kripa), ureja, proteinat, acidet yndyrore, amoniaku dhe androgjenet (hormone seksuale mashkullore).
Funksionet e djersës në organizëmDjersa është mjaft e rëndësishme për organizmin. Ajo shërben për:
- Mbrojtjen e organizmit nga mikrobet nëpërmjet përbërjes së saj acide, që mbron sipërfaqen trupore.
- Rregullimin e temperaturës trupore, nëpërmjet proçesit të avullimit të saj në nivelin e sipërfaqes trupore. Kështu, kur trupi ekspozohet ndaj temperaturave të larta të ambientit, djersa prodhohet fillimisht në fytyrë, në zonën e ballit dhe të buzës së sipërme, dhe më pas përhapet në të gjithë trupin. Përkundrazi, në rastin e stresit, djersitja shfaqet fillimisht në pëllëmbët e duarve dhe shputat e këmbëve.
- Proçesi i rregullimit të prodhimit të djersës nga gjendrat e saj kryhet nga sistemi nervor autonom, nëpërmjet një lënde që mundëson transmetimin e ngacmimit nervor në qelizën nervore, që quhet acetilkolinë.
Në varësi të shkakut, djersitja e tepërt ndahet në dy forma: parësore dhe dytësore (e shkaktuar nga sëmundje të tjera).
Në rastin e formës parësore, pra problemit të mirëfilltë të prodhimit të djersës në organizëm, djersitja e tepruar vërehet në nivelin e pëllëmbëve të duarve, shputave të këmbëve ose sqetullave. Ajo përfaqëson një fenomen të trashëgueshëm, që fillon normalisht në periudhën e pubertetit. Si faktorë shpërthyes të saj mund të shërbejnë ngacmimet e natyrës emocionale dhe nxehtësia.
Forma dytësore manifestohet përgjithësisht nga djersitje e egzagjeruar mbi të gjithë sipërfaqen e trupit. Ajo mund të jetë pasojë e:
- Sëmundjeve endokrine (hormonale), si hipertireoza (funksioni i shtuar i gjendrës tiroide), diabeti i sheqerit.
- Marrjes së disa medikamenteve, si: beta-bllokuesit që përdoren për hipertensionin dhe çrregullimet e ritmit dhe medikamentet kundër depresionit.
Një formë e veçantë e djersitjes së tepruar është ajo që shpërthehet nga konsumi i disa ushqimeve të veçanta, si ato shumë pikante, kafja, çokollata ose gjalpi i kikirikut.
Simptomat e djersitjes së tepërt varen nga forma e saj, nëse është parësore apo dytësore.
- Në rastin e formës parësore, djersitja e tepruar vërehet në nivelin e pëllëmbëve të duarve, shputave të këmbëve ose sqetullave.
- Forma dytësore, që është pasojë e sëmundjeve të tjera, manifestohet përgjithësisht nga djersitje e egzagjeruar mbi të gjithë sipërfaqen e trupit.

Rastet me djersitje të tepërt, që manifestohet mbi të gjithë sipërfaqen trupore (forma dytësore), duhet të konsultohen patjetër nga një mjek, me qëllim që të identifikohet sëmundja kryesore ose medikamentet e përdorura, përgjegjëse për situatën. Për trajtimin e djersitjes së tepërt të lokalizuar në një zonë të caktuar janë të disponueshme mënyra të ndryshme të trajtimit. Fillimisht, rekomandohet lyerja lokale e duarve dhe e këmbëve me preparate që përmbajnë kripëra të aluminit. Kjo mund të shoqërohet nga jonoforeza (banja nën veprimin e një rryme elektrike të vazhdueshme). Prej pak kohësh, djersitja e tepruar ka filluar të trajtohet edhe me injeksione lokale të toksinës botulinike A . Kryerja e ndërhyrjeve kirurgjikale ka dhënë gjithashtu rezultate të mira afatgjata në këtë drejtim.
- Kloruri i aluminit shkakton një tkurrje të kanalit që nxjerr djersën nga gjendrat e saj. Ai shkakton atrofi (rrudhosje) të përkohshme të indit të gjendrave të djersës të tipit ekrin. Veprimi i tij zgjat rreth 3-4 javë.
- Në rastet me djersitje jashtëzakonisht të shprehur, rekomandohet përdorimi i solucionit të klorurit të aluminit me përqëndrim 10-25%.
- Këto preparate duhet të aplikohen çdo ditë, në mbrëmje, dhe të vazhdojnë derisa djersitja të normalizohet. Pas një periudhe të caktuar kohore, shpeshtësia e aplikimit mund të ulet në 2-3 herë në javë.
- Kripërat e aluminit nuk provokojnë përgjithësisht ekzema alergjike të kontaktit, dhe për këtë arsye ato mund të përdoren edhe tek personat me lëkurë tepër të ndjeshme.
- Për të trajtuar djersitjen e tepërt, aplikohen banja të duarve, këmbëve dhe sqetullave, nën një rrymë elektrike të vazhdueshme (15-20 mA). Pas 5-10 seancash, ku secila zgjat 20-30 minuta, shfaqet pakësimi i sasisë së djersës, që mund të zgjasë nga disa ditë deri në disa muaj.
Përfaqson një toksinë nervore, tepër efikase në rastin e djersitjes së tepruar. Veprimi i saj konsiston në frenimin e çlirimit të acetilkolinës, duke bllokuar në këtë mënyrë transmetimin e ngacmimit nervor. Toksina botulinike përdoret nëpërmjet injeksionit. Trajtimi i zonave të tilla si sqetullat, fytyra ose trungu nuk paraqet asnjë lloj problemi.
Ndërkohë që injeksionet në pëllëmbët e duarve dhe në shputat e këmbëve janë tepër të dhimbshme dhe për këtë arsye ato zakonisht kryhen nën efektin e anestezisë (mpirjes) lokale. Pakësimi i djersitjes nën efektin e toksinës botulinike A mund të zgjasë deri në një vit e gjysëm. Për shkak të efekteve toksike të medikamentit, trajtimi duhet të kryhet nga një mjek me përvojë në përdorimin e toksinës.
Medikamentet
Tek pacientët që vuajnë nga gjendjet e ankthit, që shoqërohen me djersitje të shprehur, rekomandohet përdorimi i medikamenteve qetësuese, atyre me bazë beladone ose antikolinergjikëve (që kundërshtojnë veprimin e acetilkolinës). Këto të fundit mund të kenë efekte të padëshiruara të rëndësishme, si tharje të gojës, çrregullime të shikimit, rrahje të shpeshta të zemrës, çrregullime të tretjes dhe të fshikëzës së urinës.
Operacionet
Që prej futjes në përdorim të toksinës botulinike A, ndërhyrjet kirurgjikale për djersitjen e tepërt nuk paraqesin më interes. Këto ndërhyrje konsistojnë në heqjen e zonave më aktive në prodhimin e djersës ose të fijeve nervore që ndikojnë në prodhimin e saj.