logo
Përgatitur dhe përshtatur nga sprechzimmer.ch.
Kontribuesit (Dr. med. Fritz GrossenbacherDoris ZumbühlDr. Yllka Themeli)
Sindroma Cushing: sëmundja e gjëndrës mbiveshkore me mbiprodhim të kortizolit.
Sindroma Cushing: sëmundja e gjëndrës mbiveshkore me mbiprodhim të kortizolit.

Sindroma Cushing është një sëmundje e shkaktuar nga prodhimi i tepërt i një hormoni të quajtur kortizol nga gjëndrat mbiveshkore.  

Kortizoli dhe disa hormone të tjera prodhohen në shtresën e jashtme (koren) të këtyre gjendrave, që janë dy në numër dhe gjenden mbi veshka. Ai është një hormon thelbësor për jetën sepse kontrollon shumë proçese të rëndësishme në trup. Kortizoli aktivizon ndër të tjera rezervat energjitike të trupit në raste të stresit të të gjitha llojeve, rregullon presionin e gjakut, ndikon në metabolizmin e sheqernave dhe yndyrnave, frenon përgjigjen inflamatore. 

Sasia e kortizolit rregullohet sipas nevojave të trupit, dhe kjo falë një qarku të kontrolluar nga dy hormone që prodhohen nga vetë truri. Njëri nga këto hormone është ACTH, që nxit prodhimin e hormoneve të kores së gjendrave mbiveshkore, i cili prodhohet nga gjëndra e hipofizës në tru. Hormoni tjetër quhet CRH (faktori çlirues i ACTH), i cili nxit prodhimin e ACTH dhe prodhohet në hipotalam. Qarku i kontrollit të kortizolit funksionon në mënyrë të ngjashme me termostatin e sistemit ngrohës të një shtëpie, që e rregullon vetë temperaturën e ambientit. Në trup, niveli i kortizolit matet vazhdimisht në gjak, ashtu si termostati mat temperaturën dhe e rrit atë në rast se ajo bie. 

Prodhimi i dy hormoneve të kontrollit do të rritet kur trupi të ketë nevojë për më shumë kortizol. Nga ana tjetër, nëse niveli i kortizolit është i mjaftueshëm, organet e kontrollit do të reagojnë në përputhje me rrethanat dhe kështu do të zvogëlojnë prodhimin e hormoneve të kontrollit. Sindroma Cushing është një sëmundje e rrallë. Individët midis moshave 20 deri në 50 vjeç janë më të prekurit. Megjithatë, mund të haset edhe fëmijët dhe të moshuarit.

Në sindromën Cushing, shkaqet e prodhimit të tepërt të kortizolit janë të ndryshme:

  • Shkaku më i zakonshëm është adenoma e hipofizës - tumor beninj i gjendrës së hipofizës - e cila prodhon një sasi të tepërt të ACTH-së.
  • Trajtimet afatgjata me medikamente kortizonikë, që nevojiten në sëmundjet inflamatore kronike të zorrës ose në astmën bronkiale, mund të rezultojnë gjithashtu në sëmundjen Cushing, në këtë rast si një efekt dytësor i trajtimit.
  • Shkaqet shumë të rralla, si zmadhimi jonormal i gjëndrës mbiveshkore (hiperplazia mbiveshkore), tumori i gjendrave mbiveshkore ose i hipotalamit.

Simptomat tek personat me sindromën Cushing janë tepër karakteristike. 

Më kryesoret janë:

  • Depozitimi i dhjamit në pjesën e trungut të trupit (obezitet trunkal), në qafë (qafa e buallit) dhe në fytyrë (facies lunata - fytyra në formën e hënës), por jo në krahët dhe këmbët, të cilat mbeten të holla. 
  • Shfaqja e ndryshimeve në lëkurë: lëkura është tepër e hollë, ka tendencën të mbushet me puçrra, mund të ketë gjakderdhje të vogla nën lëkurë, skuqje të fytyrës, strie (çarje të lëkurës) të kuqe në bark, në vithe dhe në pjesët e brendshme të krahëve dhe kofshëve, si dhe shtim i qimeve tek femrat. 

Simptoma të tjera të mundshme të sëmundjes Cushing

Sindroma Cushing: matja e sasisë së kortizolit në urinë.
Sindroma Cushing: matja e sasisë së kortizolit në urinë.

Mjeku, pasi dëgjon me vëmendje shqetësimet aktuale të pacientit dhe historinë e tij mjekësore, vëzhgon me imtësi pamjen e jashtme trupore, për shenja karakteristike të kësaj sindrome. Në këtë mënyrë ai mund të dyshojë që pacienti ka sindromën Cushing. Më pas, duhet të kryhen disa teste hormonale për ta konfirmuar këtë dyshim.

Dy testet hormonale që konfirmojnë diagnozën e sindromës Cushing janë:

  1. Matja e sasisë së kortizolit të lirë në urinën e 24 orëve të fundit.

  2. Testi i Dexametazonit, që realizohet duke i dhënë pacientit një tabletë kortizoli në mbrëmje dhe matjen e nivelit të kortizolit në gjak në mëngjes. Normalisht, niveli i kortizolit në gjak duhet të ulet pas marrjes së Dexametazonit, dhe nëse mbetet i lartë është një sindrom Cushing. Për vendosjen tipin e diagnozës duhen bëre teste të ndryshme, për të përcaktuar nëse egziston një mosfunsionim i hipofizës, i gjendrave mbiveshkore apo hipotalamit. Nëse egziston mundësia për një tumor të gjëndrave mbiveshkore, këto struktura duhet të vlerësohen nga ana strukturore me ndihmën e ultratingujve (ekografisë), skanerit ose rezonancës magnetike.


Sindroma Cushing: gjëndrat mbiveshkore të zmadhuara nga tumori hiqen me rrugë kirurgjikale.
Sindroma Cushing: gjëndrat mbiveshkore të zmadhuara nga tumori hiqen me rrugë kirurgjikale.

Sindroma Cushing duhet gjithmonë të trajtohet, sepse përparimi i sëmundjes mund të çojë në vdekje.Terapia gjithmonë varet nga shkaku i prodhimit të tepërt të kortizolit. Kështu:

  • Një tumor beninj (adenomë) e hipofizës ose e gjëndrave mbiveshkore kërkon heqjen e tij me ndërhyrje kirurgjikale. Në rast se bëhet fjalë për një tumor të hipofizës që nuk mund të operohet, praktikohet radioterapia (rrezatimi).
  • Në rastet e zmadhimit jonormal të gjendrave mbiveshkore, nevojitet heqja e plotë e tyre. Si rezultat, hormonet e këtyre gjendrave do të duhet të zëvëndësohen për gjithë jetën me anën e tabletave që merren nga goja.
  • Kur shkaku i sindromës Cushing nuk mund të përcaktohet, prodhimi i kortizolit mund të frenohet me anë të medikamenteve specifike.

Në shumicën e rasteve, sindroma Cushing është pasojë e një tumori të gjendrës së hipofizës (adenoma e hipofizës) dhe nuk ka asnjë masë parandaluese.

Për të parandaluar sindromën Cushing si një efekt dytësor të terapisë së zgjatur me kortizonikë, doza e mjekimit nuk duhet të tejkalojë kufirin që njihet si pika e Cushing. Pavarësisht se mund të shfaqet sindroma Cushing, doza e kortizonit duhet reduktuar ose ndaluar gradualisht, nën kontrollin e mjekut. Terapia me kortizonikë kurrë nuk duhet të ndalet menjëherë, se mund të rrezikojë jetën e pacientit.

Dr. med. Fritz Grossenbacher

Fritz Grossenbacher ka studiuar Mjekësi në Bern. Ai zotëron një master në Edukim Mjekësor (Medical Education) nga universitet e Bernës dhe Çikagos dhe një Çertifikatë në "Teaching Evidence based Medicine" nga Qendra e Mbretërisë së Bashkuar Cochrane në Oksford.

Doris Zumbühl

Doris Zumbühl është një asistente klinike e diplomuar në Mjekësi. Ajo ka kryer disa kurse trajnimi te avancuara në gazetari, IT dhe përpunim grafik.

Dr. Yllka Themeli

Yllka Themeli ka studiuar Mjekësi të përgjithshme në Tiranë. Është specializuar në Endokrinologji, fushë në të cilën ka kryer edhe studimet pasuniversitare, si Masterin dhe Doktoraturën. Prej 18 vitesh specialiste Endokrinologe dhe njëkohësisht Pedagoge në Universitetin e Mjekësisë së Tiranës.