logo
Përgatitur dhe përshtatur nga sprechzimmer.ch.
Kontribuesit (Dr. med. Gerhard EmrichDr. med. Daniel Desalmand)
Katarakti: turbullirat përkeqësojnë shikimin.
Katarakti: turbullirat përkeqësojnë shikimin.

Katarakti, i njohur ndryshe si perdja e syrit, përfaqëson sëmundjen më të shpeshtë të syve, që mund të çojë në verbim të pjesshëm ose të plotë të tyre. Ai është veçanërisht i shpeshtë tek personat e moshuar (katarakti senil). Prania e kataraktit nënkupton turbullimin e kristalinit (lentes konvekse të syrit), që vështirëson kalimin e dritës përmes tij. Për këtë arsye, personi me katarakt shikon përmes një velloje, pra shikon turbull. Zhvillimi i një katarakti kalon në tre stade klinike:

  • Stadi i hershëm, që përfaqëson fillimin e turbullimit të lentes (kristalinit)
  • Stadi i avancuar, që përfaqëson një shkallë të avancuar të turbullimit të lentes, ku shfaqet edhe ulja e aftësisë së shikimit.
  • Stadi i vonshëm, që përfaqëson turbullimin (errësimin)  e plotë të lentes, me humbje të shikimit.

Ndër shkaqet që çojnë në zhvillimin e kataraktit (perdes së syrit), vlen të theksohen çrregullimet në nivelin e proteinave që përbëjnë kristalinin (lenten konvekse të syrit). Ato humbasin strukturën e tyre karakteristike, duke bllokuar në këtë mënyrë kalimin e dritës. Për pasojë, kristalini bëhet opak (i errët, i padepërtueshëm nga drita).
 
Ky proçes është i ngjashëm me atë që ndodh me një vezë kur ngrohet. Për shkak të nxehtësisë, struktura e proteinave të tejdukshme të të bardhës së vezës ndryshon, dhe ngjyra e tyre nga e tejdukshme kthehet në të bardhë. Në ngjashmëri me të bardhën e vezës, që forcohet, edhe errësimi i kristalinit është i parikthyeshëm.

Faktorët e rrezikut të kataraktit

  • Mosha
  • Trashëgimia familjare
  • Kequshqyerja, e shoqëruar me mungesë të elementeve të rëndësishme ushqimore, veçanërisht të vitaminave.
  • Sëmundjet kronike si diabeti i sheqerit
  • Dëmtimet e syve, si  miopia e rëndësishme (pamundësia për të vështruar larg)
  • Ekspozimi ndaj rrezatimit ultravjollcë (UV)
  • Përdorimi për kohë të gjatë i disa medikamenteve, të tilla si kortizoni, shkarkuesit (diuretikët), qetësuesit, etj.

Personi me katarakt paraqet simptomat e mëposhtme:

  • Ulje të aftësisë së shikimit
  • Turbullim të shikimit
  • Perceptim të shtrembër dhe të dyfishtë të objekteve
  • Perceptim të gabuar të ngjyrave
  • Ndryshime të shpeshta të aftësisë së shikimit (pavarësisht përkeqësimit të shikimit në përgjithësi, aftësia për të vështruar afër përmirësohet)
Katarakti: i dallueshëm me sy.
Katarakti: i dallueshëm me sy.

Përcaktimi i diagnozës së kataraktit (perdes së syrit) realizohet nga mjeku specialist okulist (oftalmolog), duke u bazuar në:

  • Praninë e një ose disa simptomave të mësipërme, historinë e fillimit të tyre, si dhe praninë e kataraktit në pjesëtarë të tjerë të familjes. 
  • Ekzaminimin e syrit dhe vlerësimin e aftësisë së shikimit
Katarakti: zëvendësimi i lenteve.
Katarakti: zëvendësimi i lenteve.

Trajtimi i vetëm i mundshëm për kataraktin është ai kirurgjikal, pra heqja nëpërmjet operacionit, që mund të realizohet në çdo stad të zhvillimit të kataraktit.

Gjithsesi, meqenëse ndërhyrja kirurgjikale në sy mbart edhe rrezikun e ndërlikimeve gjatë dhe pas saj (një në 1000 raste të operuara për katarakt paraqet infeksion të syrit pas operacionit), ajo rekomandohet të kryhet në stade të avancuara, kur fillon të shfaqet ulja e aftësisë së shikimit. 

Turbullimi i lentes (kristalinit) është një proçes i pakthyeshëm. Rekomandimi i ndërhyrjes kirurgjikale varet nga shkalla e uljes së aftësisë së shikimit. Përpara se të kryhet ndërhyrja, duhet gjithsesi të përjashtohen sëmundje të tjera të syrit që mund të jenë përgjegjëse për uljen e aftësisë së shikimit. Të tilla konsiderohen sëmundjet e retinës, dëmtimet e nervit të shikimit ose strabizmi.

Dr. med. Gerhard Emrich

Gerhard Emrich ka studiuar Mjekësi në Vjenë. Ai është një gazetar mjekësor me shumë vite përvojë në shkrime mjekësore.

Dr. med. Daniel Desalmand

Daniel Desalmand ka studiuar Mjekësi në Bern. Pas diplomimit, ai ka patur një përvojë të gjatë klinike në Kirurgji dhe Mjekësi të Brendshme përpara se t'i kushtohej gazetarisë shkencore.