Ekografia Doppler e arterieve karotide (Doppleri i karotideve, Ekografia e karotideve)
Kontribuesit (Dr. med. Fritz Grossenbacher, Doris Zumbühl, Dr. Yllka Themeli)

Çfarë është ekografia Doppler e arterieve karotide?
Ekografia Doppler e arterieve karotide është një ekzaminim i arterieve karotide që furnizojnë trurin me gjak, i cili realizohet me anën e ultratingujve (ekografi Doppler), në mënyrë që të bëjë të dukshme ngushtimet, kalcifikimet dhe ndryshime të tjera të enëve të gjakut. Me ndihmën e një teknike të veçantë ekografike (ekografia Doppler ose ekografia Duplex), mund të evidentohen me ngjyra dhe të maten edhe shpejtësia e rrjedhjes së gjakut, përshkueshmëria, trashësia e murit të arterieve karotide dhe elasticiteti i tyre. Gjendja e arterieve karotide jep informacion thelbësor rreth gjendjes së qarkullimit të gjakut, në veçanti në zemër dhe në tru. Ekzaminimi bën të mundur nxjerrjen në pah të fazave të hershme të kalcifikimit të enëve të gjakut (arteriosklerozës). Ekografia Doppler e arterieve karotide është një ekzaminim i rëndësishëm, me një rol të pazëvendësueshëm parandalues për përcaktimin e rrezikut të goditjes në tru (aksidentet vaskulare cerebrale) në pacientët me rrezik të lartë.
Ekografia Doppler e arterieve karotide është një ekzaminim i fushës së Kardiologjisë, që është degë e Mjekësisë interne (e organeve të brendshme).
A kërkon ky ekzaminim ndonjë përgatitje të veçantë?
Ekografia Doppler e arterieve karotide mund të kryhet pa ndonjë përgatitje të veçantë.
Çfarë duhet të sqarohet para ekzaminimit?
Asnjë element i veçantë nuk duhet sqaruar përpara një Ekografie Doppler të arterieve karotide.
Si realizohet Ekografia Doppler e arterieve karotide?
Ekzaminimi kryhet me pacientin të shtrirë në pozicionin në shpinë, si në çdo ekzaminim klasik ekografik. Në lëkurën e zonës së arterieve karotide aplikohet xhel kontakti, dhe sonda e ultratingujve vihet në kontakt me lëkurën. Personi që kryen ekzaminimin e lëviz sondën para-prapa derisa ta shohë imazhin e dëshiruar në monitor, dhe mund të vlerësojë dhe të matë strukturat e ndryshme. Përveç kësaj, mund të regjistrohen imazhet dixhitale dhe pamjet e filmuara të rrjedhjes së gjakut për vlerësim të mëtejshëm. Ekzaminimi zgjat rreth 15 deri 20 minuta dhe nuk shoqërohet me ndonjë ekspozim ndaj rrezatimit.
Kur përdoret ky ekzaminim?
Ekografia Doppler e arterieve karotide përdoret kryesisht për të evidentuar kalcifikimet ose ngushtimet e arterieve karotide, në pacientët me faktorë të rrezikut (si pirja e duhanit, hipertensioni arterial, niveli i lartë i kolesterolit në gjak dhe diabeti i sheqerit) ose në rastin e simptomave korresponduese (si marramendje, simptoma kalimtare të goditjes në tru, probleme me shikimin, humbje e vetëdijes).
Arsyet e shpeshta për kryerjen e një ekografie Doppler të arterieve karotide janë:
- Hipertensioni arterial
- Sëmundja e arterieve koronare të zemrës
- Infarkti i miokardit
- Çrregullimet e qarkullimit të gjakut në tru
- Aksidentet ishemike kalimtare në tru
- Parandalimi në rast të rritjes së rrezikut për aksidente vaskulare cerebrale (goditje në tru): pirja e duhanit, rritja e kolesterolit, mbipesha, mungesa e aktivitetit fizik, presioni i lartë i gjakut
- Arterioskleroza, kalcifikimi i enëve të gjakut
- Aritmia (çrregullimet e ritmit të zemrës), fibrilacioni atrial, palpitacionet
- Insufiçienca kardiake (dobësimi i punës së zemrës)
- Marramendja ose humbja e vetëdijes me origjinë të panjohur, gjendja e të fikëtit
- Gjatë ekzaminimit me stetoskop, prania e zhurmave të rrjedhjes së gjakut, të shkaktuara nga çrregullimet e qarkullimit të gjakut.
A paraqet Ekografia Doppler e arterieve karotide rreziqe ose efekte të padëshiruara?
Ky ekzaminim është i padhimbshëm dhe nuk e ekspozon pacientin ndaj rrezatimit ose ndaj rreziqeve të tjera.