Vaginiti (Inflamacionet e vaginës)
Kontribuesit (Dr. med. Fritz Grossenbacher, Doris Zumbühl, Dr. Yllka Themeli)

Inflamacionet e vaginës bëjnë pjesë në sëmundjet më të shpeshta të femrave. Praktikisht, çdo femër shfaq të paktën një infeksion të vaginës gjatë jetës së saj. Femrat në menopauzë dhe ato me sëmundje kronike, janë veçanërisht të ekspozuara ndaj rrezikut të shfaqjes së tij.
Fjala vaginit është një term i përgjithshëm, që përfaqëson sëmundjet inflamatore vaginale me shkaqe të ndryshme. Mikrobet që popullojnë në kushte normale vaginën (flora vaginale) e mbrojnë atë nga depërtimi i mikroorganizmave që mund të shkaktojnë inflamacion.
Nëse mjedisi vaginal ndryshon ph, pra bie aciditeti i tij, ai e humbet qëndrueshmërinë ndaj bakterieve, viruseve, kërpudhave ose faktorëve të tjerë. Në një terren të tillë mund të zhvillohen lehtësisht irritime ose infeksione.
Përgjithësisht vaginiti nuk është i dhimbshëm, por tepër i pakëndshëm. Nëse nuk trajtohet, ai mund të përhapet në mitër dhe në vezore, duke çuar në këtë mënyrë në pamundësi të femrës për të mbetur shtatzanë.
Shkaqet e inflamacionit vaginal (vaginitit) janë të shumta. Gjithsesi, faktorët përgjegjës më të shpeshtë janë:
- Bakteriet e zonës anale (vrimës së jashtëqitjes), që janë kolibacilet, në rastet me një higjiene të keqe ose të pamjaftueshme.
- Nëse kushtet në vaginë nuk janë të favorshme, bakteriet që normalisht gjenden në sasi të pakët në florën vaginale (enterokokët, stafilokokët), shumëzohen shpejt dhe shkaktojnë inflamacione.
- Infeksioni nga trikomonas vaginalis, që transmetohet nëpërmjet marrëdhënieve seksuale.
- Mykozat, ku bëhet fjalë përgjithësisht për Kandida albikans.
- Virusi i herpesit
- Papiloma vaginale (lythet vaginale)
Faktorët e rrezikut
- Mungesa e estrogjenëve (hormone femërore) gjatë menopauzës.
- Përdorimi i medikamenteve me bazë kortizoni, antibiotikëve ose pilulave kontraceptive.
- Traumat e shkaktuara psh. nga futja e papërshtatshme e një tamponi.
- Trupat e huaj (tampon i harruar, diafragma, etj.).
- Alergjitë e shkaktuara nga solucionet pastruese ose parfumet që mund të përdoren në zonën e vaginës
- Mbathjet e ngushta dhe sintetike.
- Marrëdhëniet seksuale (ndryshojnë ph për disa orë).
- Sëmundjet kronike si diabeti, hipertireoza, infeksioni nga HIV-i dhe SIDA.
- Shtatzania

Rreth 20% e femrave me infeksion vaginal (vaginit) me origjinë nga myku, nuk paraqesin simtoma (shqetësime). Përgjithësisht, infeksioni fillon pas menstruacioneve, sepse gjatë kësaj periudhe mjedisi vaginal është veçanërisht i favorshëm për rritjen e kërpudhave.
Simptomat tipike të vaginitit janë:
- Të kruajturat, djegiet dhe dhimbjet në zonën gjenitale, kryesisht gjatë marrëdhënieve seksuale.
- Ndryshimi i sasisë, aromës dhe ngjyrës së sekrecioneve vaginale.
- Skuqja dhe enjtja e buzëve të vulvës (pjesës së jashtme të organeve gjenitale femërore). Kjo ndodh kur inflamacioni ka prekur pjesët gjenitale të jashtme (vulvovaginiti).

Diagnoza e inflamacionit të vaginës (vaginitit) vendoset nga mjeku specialist obstetër-gjinekolog, duke u bazuar në:
- Historinë e sëmundjes dhe simptomat e pacientes
- Egzaminimin gjinekologjik
- Identifikimin e agjentit shkaktar të infeksionit, nëpërmjet mbjelljes së materialit të marrë nga vagina.

Trajtimi i inflamacionit të vaginës (vaginitit) konsiston në stabilizimin e ph të mjedisit vaginal, si dhe në eleminimin e detyrueshëm të faktorëve të njohur të rrezikut.
Në rastin e infeksionit me natyrë bakteriale, përdoren antibiotikët, ndërsa për kërpudhat përdoren antimykotikët. Duhet të trajtohet në të njëjtën kohë edhe partneri seksual, në mënyrë që të parandalohet riinfektimi i gruas prej tij pas përfundimit të trajtimit.
Në varësi të situatës, medikamentet mund të përdoren në formën e pomadave, suposteve ose tabletave.
Këshilla të përgjithshme
- Mos përdorni produkte intime të ashpra
- Përdorni mbathje me fibra natyrale
- Përdorni prezervativë gjatë marrëdhënieve seksulae, sepse janë i vetmi mjet mbrojtës ndaj sëmundjeve seksualisht të transmetueshme.
- Kujdesuni maksimalisht për mbajtjen e një higjiene të mirë anale (në vrimën e jashtëqitjes). Kjo arrihet duke u fshirë me letër higjienike në drejtimin nga përpara-prapa dhe jo anasjelltas.
- Përdorni suposte vaginale që përmbajnë laktobacilin ose tampone me kos natyral, për stabilizimin e ph-it të mjedisit vaginal.
- Gjatë periudhës së inflamacionit të vaginës, nuk duhet të kryhen marrëdhënie seksuale.
- Në rastin e vaginitit, është tepër e rëndësishme të kryhet sa më shpejt konsulta me mjekun specialist obstetër-gjinekolog, në mënyrë që të fillohet trajtimi specifik korrekt.
Nëse trajtohet në mënyrën e duhur, inflamacioni i vaginës (vaginiti) shërohet pas një ose dy javësh. Disa femra kanë tendencë të zhvillojnë inflamacione të përsëritura në këtë nivel. Në këto raste, është veçanërisht e rëndësishme të përcaktohen faktorët e rrezikut.
Nëse nuk trajtohet, inflamacioni i vaginës mund të përhapet në mitër, në tubat e Fallopit ose në vezore, dhe në rastin më të keq mund të çojë në pamundësi të femrës për të mbetur shtatzanë.