logo
Përgatitur dhe përshtatur nga sprechzimmer.ch.
Kontribuesit (Dr. med. Fritz GrossenbacherDoris ZumbühlDr. Yllka Themeli)

Çfarë është ekzaminimi me diapazon?

Ky ekzaminim shërben së pari për të diagnostikuar humbjen e dëgjimit (shurdhërinë). Së dyti, nëpërmjet tij mund të kontrollohet ndjeshmëria e këmbëve, dhe kështu mund të përcaktohet nëse janë dëmtuar nervat ose jo. Kjo vlen psh. në rastin e një diabeti të vjetër, që ka shkaktuar ndërlikime kronike, si neuropatia periferike. Ky ndërlikim i diabetit si fillim manifestohet me një pakësim të ndjesisë së dridhjeve, që mund të zbulohet duke përdorur një diapazon vibrues.

Ekzaminimi me diapazon është një ekzaminim Otorinolaringologjik, por që praktikohet edhe në Neurologji dhe Mjekësinë e përgjithshme.

A kërkon ky ekzaminim ndonjë përgatitje paraprake specifike?

Ekzaminimi me diapazon mund të kryhet pa ndonjë përgatitje të veçantë.

Çfarë duhet të sqarohet para ekzaminimit?

Asnjë sqarim i veçantë nuk është i nevojshëm para një ekzaminimi me diapazon.

Si realizohet një ekzaminim me diapazon?

Ky është një test i thjeshtë, i padhimbshëm, dhe që zgjat vetëm disa minuta.

Ekzaminimi me diapazon për diagnozën e shurdhërisë:

Ekzaminimi me diapazon lejon mjekun që të përcaktojë nëse një humbje dëgjimi është shkaktuar nga një çrregullim i transmetimit të tingullit apo i perceptimit të tingullit, pra të diferencojë nëse shkaku i shurdhërisë gjendet në veshin e jashtëm, në veshin e mesëm (shurdhim i transmetimit) apo në veshin e brendshëm ose në nervin e dëgjimit (shurdhim i perceptimit). Për këtë qëllim bëhen dy teste me diapazon: Në testin e Weber, koka e diapazonit vendoset në qendër të kokës. Dridhjet e tonalitetit të diapazonit transmetohen përmes kockës së kafkës në veshin e brendshëm, normalisht perceptohen me të njëjtën fortësi nga të dy veshët, dhe tingulli dëgjohet në mes të kokës. Në rastin e humbjes së dëgjimit në njërin vesh, tingulli perceptohet më i fortë në veshin e shëndoshë. Në rastin e shurdhimit të transmetimit, zëri perceptohet më i fortë në veshin e dëmtuar. Në testin e Rinne, koka e diapazonit vendoset fillimisht në kockën direkt pas llapës së veshit, në mënyrë që tonaliteti i diapazonit të transmetohet direkt nga kocka në veshin e brendshëm. Kur pacienti nuk dëgjon më tingullin, diapazoni që dridhet lehtësisht mbahet ende para veshit, dhe tingulli normalisht vazhdon të dëgjohet në veshin e shëndetshëm. Nëse tingulli nuk dëgjohet më, bëhet fjalë për një shurdhim transmetimi.

Ekzaminimi me diapazon për të testuar ndjeshmërinë ndaj dridhjes:

Ndjeshmëria ndaj dridhjes vlerësohet duke vendosur diapazonin vibrues në pjesë të ndryshme të këmbës (maleoli medial, maleoli lateral, baza dhe maja e gishtit të madh), dhe në dorë për krahasim. Pacienti tregon momentin e saktë kur dridhja, e cila dobësohet gradualisht, nuk ndjehet më prej tij. Në këtë pikë, mjeku lexon intensitetin e vibrimit në një shkallë të vendosur në skajet e diapazonit. Ky testim duhet të kryhet një herë në vit tek personat me diabet të sheqerit.

Kur përdoret ekzaminimi me diapazon?

Një ekzaminim i tillë e lejon mjekun ORL të vlerësojë praninë dhe llojin e humbjes së dëgjimit. Në Neurologji, ky testim përdoret për të provuar ndjeshmërinë e dridhjeve, si një tregues i dëmtimit të nervit, i cili është veçanërisht i rëndësishëm në pacientët me diabetin e sheqerit.

Arsyet më të shpeshta që kërkojnë testimin me diapazon janë:

  • Neuropatia diabetike: dëmtime të nervave për shkak të diabetit të sheqerit
  • Dëmtime të nervave që lidhen me konsumimin e sasive të mëdha të alkoolit
  • Otiti media (infeksion i veshit të mesëm)
  • Dylli i veshit
  • Humbja e menjëhershme e dëgjimit
  • Otiti seromukoz
  • Dëmtimi i dëgjimit
  • Presbiakusia (humbje e dëgjimit për shkak të moshës)
  • Sëmundja e veshit të brendshëm (sëmundja e Menière)
  • Dëmtimet e veshit të brendshëm
  • Neurinoma akustike (tumor beninj i nervit të dëgjimit)

A paraqet ky ekzaminim rreziqe ose efekte të padëshiruara?

Ky ekzaminim është tërësisht i padhimbshëm dhe i parrezikshëm për pacientin.

Dr. med. Fritz Grossenbacher

Fritz Grossenbacher ka studiuar Mjekësi në Bern. Ai zotëron një master në Edukim Mjekësor (Medical Education) nga universitet e Bernës dhe Çikagos dhe një Çertifikatë në "Teaching Evidence based Medicine" nga Qendra e Mbretërisë së Bashkuar Cochrane në Oksford.

Doris Zumbühl

Doris Zumbühl është një asistente klinike e diplomuar në Mjekësi. Ajo ka kryer disa kurse trajnimi te avancuara në gazetari, IT dhe përpunim grafik.

Dr. Yllka Themeli

Yllka Themeli ka studiuar Mjekësi të përgjithshme në Tiranë. Është specializuar në Endokrinologji, fushë në të cilën ka kryer edhe studimet pasuniversitare, si Masterin dhe Doktoraturën. Prej 18 vitesh specialiste Endokrinologe dhe njëkohësisht Pedagoge në Universitetin e Mjekësisë së Tiranës.