Kanceri i mitrës (Karcinoma e mitrës, Karcinoma uterine)
Kontribuesit (Dr. med. Fritz Grossenbacher, Doris Zumbühl, Dr. Yllka Themeli)

Mitra është një organ kavitar (zgavror) i rrethuar nga një shtresë muskulare, e cila vishet në pjesën e brendshme të saj nga mukoza. Kjo mukozë rigjenerohet çdo muaj dhe indet e vjetruara të saj nxirren jashtë nëpërmjet menstruacioneve. Ky proçes vazhdon deri në fillimin e menopauzës. Pikërisht shndërrimet e tipit kanceroz në nivelin e kësaj mukoze mund të çojnë në shfaqjen e kancerit të mitrës.
Në aspektin shkencor, shkaqet e kancerit të mitrës nuk janë ende të njohura plotësisht.
Faktorët e rrezikut:
Prishja e ekuilibrit ndërmjet dy hormoneve femërore, estrogjenit dhe progesteronit, me dominim të prodhimit të estrogjenit, konsiderohet faktori kryesor shpërthyes i kancerit të mitrës. Këto hormone prodhohen kryesisht nga vezoret, gjatë gjysmës së parë të ciklit menstrual, por gjithashtu edhe nga placenta gjatë periudhës së shtatzanisë.
Gjithsesi, në shfaqjen e kësaj sëmundjeje ndikojnë edhe faktorë të tjerë, si:
- mbipesha trupore
- hipertensioni arterial,
- diabeti i sheqerit i tipit 2
- prania e miomës uterine (tumorit të muskulit së mitrës)

Për vendosjen e diagnozës së kancerit të mitrës, janë të nevojshme:
- Njohja e mjekut specialist gjinekolog me simptomat që paraqet gruaja në momentin e konsultës.
- Egzaminimi gjinekologjik, i shoqëruar me marrjen e materialit indor për vlerësim mikroskopik
- Ekografia gjinekologjike
- Ekografia abdominale (e barkut), për evidentimin e metastazave të mundshme në organet e brendshme, si psh. në mëlçi.
- Analiza e gjakut për përcaktimin e nivelit të markuesve (treguesve) tumoralë në të.
- Skaneri (tomodensitometria)
- Radiografi për evidentimin e metastazave të mundshme, si psh. në mushkëri, kocka, etj.

Në rastet e diagnostikuara herët, në stad fillestar, kryhet heqja me rrugë kirurgjikale e mitrës dhe vezoreve. Në rast se diagnoza e kancerit të mitrës vendoset në stade më të avancuara, proçedurat e sipërpërmendura duhet të shoqërohen detyrimisht edhe me heqjen e nyjeve limfatike të pjesës së poshtme të legenit.
Në disa raste, operacioni duhet të shoqërohet nga radioterapia (rrezatimi). Në raste të rralla mund të nevojitet edhe trajtimi me hormone seksuale femërore ose kimioterapia.
Në rastet e diagnostikuara në stad të hershëm, ecuria e kancerit të mitrës është përgjithësisht e mirë dhe mundësia e shërimit të tij është më e madhe.

Zhvillimi i kancerit të mitrës është i ngadaltë. Për këtë arsye, rekomandohen konsultat e rregullta tek mjeku gjinekolog, me egzaminim vaginal, të shoqëruar me marrjen e materialit për egzaminim mikroskopik të qelizave. Vetëm në këtë mënyrë, kjo sëmundje mund të konstatohet në fazat e saj të para, duke rritur shkallën e efikasitetit të trajtimit dhe mundësinë e shërimit të gruas.
Kujdes:
- Çdo hemorragji nga vagina, e shfaqur pas menopauzës ka nevojë për konsultim të menjëhershëm me mjekun specialist gjinekolog, për një vlerësim të plotë klinik dhe mikroskopik, me qëllim konfirmimin ose përjashtimin e mundësisë së një kanceri të mitrës.
- Fillimi i parakohshëm i marrëdhënieve seksuale, ndryshimi i shpeshtë i partnerëve seksualë, mungesa e higjienës seksuale dhe konsumi i duhanit konsiderohen si faktorë të rrezikut për zhvillimin e kancerit të mitrës. Në disa raste, zhvillimi i kësaj sëmundjeje favorizohet nga përdorimi i hormoneve femërore gjatë periudhës së menopauzës, për kompensimin e uljes së nivelit të tyre në këtë periudhë.