logo
Përgatitur dhe përshtatur nga sprechzimmer.ch.
Kontribuesit (Dr. med. Fritz GrossenbacherDoris ZumbühlDr. Yllka Themeli)
Diabeti gestacional: kryesisht rritje kalimtare e sheqerit.
Diabeti gestacional: kryesisht rritje kalimtare e sheqerit.

Diabeti i sheqerit konsiderohet si diabet i shtatzanisë në të gjitha rastet kur çrregullimi i metabolizmit të sheqerit në organizëm, që reflektohet me rritjen e nivelit të sheqerit në gjak, shfaqet për herë të parë gjatë shtatzanisë. Ai përfaqëson një nga ndërlikimet më të shpeshta të shtatzanisë.   

Në përgjithësi, diabeti i shtatzanisë shfaqet gjatë tremujorit të fundit të shtatzanisë dhe zhduket pas lindjes.
Si faktorë kryesorë të rrezikut për zhvillimin e kësaj sëmundjeje konsiderohen mosha, mbipesha trupore dhe prania e personave me diabet në familje (trashëgimia).
 
Një diabet shtatzanie i patrajtuar paraqet rrezik për shëndetin e nënës dhe fëmijës. Meqenëse ky tip i diabetit përparon shpesh pa shkaktuar shqetësime (simptoma), faktori më i rëndësishëm për evidentimin e tij është monitorimi i nivelit të sheqerit në gjak gjatë tremujorit të tretë të shtatzanisë, dhe veçanërisht në periudhën para lindjes.  Normalizimi i nivelit të sheqerit në gjak mund të arrihet, në pjesën më të madhe të rasteve, vetëm me ndryshimin e mënyrës së ushqyerjes. Në raste më të rënda, fillohet trajtimi me insulinë, në mënyrë që të evitohen pasojat e rrezikshme mbi shëndetin e nënës dhe fëmijës.

not_set

Në pjesën më të madhe të rasteve me diabet të shtatzanisë, nëna nuk paraqet shenjat tipike të diabetit, si ndjesia e shtuar e etjes dhe urinimi i shpeshtë. Shpesh, si tregues të pranisë së një diabeti të sheqerit në shtatzani mund të shërbejnë disa shenja jospecifike të tij, si ndjeshmëria më e madhe ndaj infeksioneve të rrugëve urinare, hipertensioni, sasia e madhe (mbi normalen) e lëngut amniotik (ku noton fëmija), ose prania e sasive të mëdha të sheqerit në urinë.

Nëse nuk trajtohet, diabeti i shtatzanisë mund të ketë pasojat e mëposhtme mbi fëmijën:
  • Madhësi dhe peshë të fëmijës në lindje mbi normalen (mbi 4500 gramë).
  • Pjekje të pamjaftueshme të organeve, veçanërisht të mushkërive.
  • Ndërlikime gjatë lindjes
  • Ulje të nivelit të sheqerit (hipoglicemi) tek fëmija, pas prerjes së kordonit të kërthizës.
  • Rritje të nivelit të bilirubinës në gjak (verdhëza e të porsalindurit), që karakterizohet nga ngjyrosja në të verdhë e lëkurës dhe pjesës së bardhë të syve.
  • Ulja e nivelit të kalciumit në gjak, me prirje për ngërçe muskulare, dhe një shkallë të lartë të rrezikut për keqformim e tek fëmija.
Diabeti gestacional: kontrollet e rregullta të sheqerit në gjak.
Diabeti gestacional: kontrollet e rregullta të sheqerit në gjak.

Për diagnozën e hershme të diabetit të shtatzanisë ndihmojnë:

  • Monitorimi i kujdesshëm i nivelit të sheqerit në gjak në tremujorin e tretë të shtatzanisë, veçanërisht në periudhën para lindjes.
  • Çdo grua shtatzanë duhet t’i nënshtrohet testit të tolerancës së glukozës (sheqerit që merret nga goja) ndërmjet javës së 24 dhe 28 të shtatzanisë.
  • Tek gratë shtatzana që paraqesin një ose disa faktorë të rrezikut (shih shkaqet), ky test duhet të kryhet që në tremujorin e parë të shtatzanisë.
Diabeti gestacional: kushtojini vëmendje një diete të shëndetshme.
Diabeti gestacional: kushtojini vëmendje një diete të shëndetshme.

Trajtimi i diabetit të shtatzanisë ka për qëllim të normalizojë nivelin e sheqerit në gjak (gliceminë). Sa më shpejt të arrihet kjo, aq më të pakta janë rreziqet lidhur me shëndetin e nënës dhe fëmijës. 

Trajtimi i nivelit të lartë të sheqerit në gjak (hiperglicemisë) përfshin:
  • Ndryshimin e mënyrës së ushqyerjes  së nënës: në pjesën më të madhe të rasteve, për normalizimin e sheqerit  mjaftojnë vetëm masat e marra lidhur me ushqyerjen, duke kufizuar ushqimet e pasura në yndyrna dhe shtuar ato të pasura në fibra. Për një orientim më të specializuar të pacienteve në këtë drejtim, rekomandohet këshillimi me një dietolog.
  • Aktivitetin fizik të rregullt, ku sportet e rekomanduara  për periudhën e shtatzanisë janë: noti, ecja, ngjitja e shkallëve dhe ushtrimet e lehta me shtanga dore.
  • Tek rreth 25% e pacienteve është i domosdoshëm paralelisht me ndryshimet e ushqyerjes, edhe fillimi i trajtimit me insulinë. Kujdes: gjatë kësaj periudhe gruaja shtatzanë nuk duhet të përdorë tableta specifike për uljen e sheqerit, që përdorin diabetikët e tjerë, sepse ato paraqesin rreziqe për fëmijën.

Trajtimi i fëmijës konsiston në:

  • Monitorimin e kujdesshëm të tij dhe, në rastet e lindjes së parakohshme, terapinë me oksigjen.
  • Kontrolli i rregullt i nivelit të sheqerit në gjak (glicemisë), veçanërisht në javët e para pas lindjes.

Në gratë e diagnostikuara me diabet të shtatzanisë, për shkak të peshës dhe madhësisë  mbi normë të fëmijës, shfaqen probleme të rëndësishme gjatë lindjes, që mund te rrezikojnë jetën e fëmijës. Pikërisht për këtë arsye, në këto raste preferohet lindja me operacion (çezariane). 

Diabeti i shtatzanisë mund të shkaktojë vonesë në zhvillimin e fëmijës në barkun e nënës, më saktë një ngadalësim të pjekjes së mushkërive, që mund të rrezikojë jetën e fëmijës gjatë ose menjëherë pas lindjes. Ulja e nivelit të sheqerit në gjak tek fëmija (hipoglicemia) menjëherë pas lindjes së tij, mund të shkaktojë dëmtime minimale në nivelin e trurit, që mund të shërbejnë si burim për probleme të mëvonshme tepër të rëndësishme psikomotore dhe të sjelljes.
 
Shumë gra që kanë zhvilluar diabet gjatë shtatzanisë paraqesin një shkallë të lartë të rrezikut për të zhvilluar diabet të sheqerit të tipit 2 në të ardhmen. Edhe tek fëmijët e lindur nga këto nëna, ky rrezik është gjithashtu i lartë. Tek disa gra, diabeti i shtatzanisë nuk zhduket menjëherë pas lindjes, por shndërrohet menjëherë në diabet tip 2.

Dr. med. Fritz Grossenbacher

Fritz Grossenbacher ka studiuar Mjekësi në Bern. Ai zotëron një master në Edukim Mjekësor (Medical Education) nga universitet e Bernës dhe Çikagos dhe një Çertifikatë në "Teaching Evidence based Medicine" nga Qendra e Mbretërisë së Bashkuar Cochrane në Oksford.

Doris Zumbühl

Doris Zumbühl është një asistente klinike e diplomuar në Mjekësi. Ajo ka kryer disa kurse trajnimi te avancuara në gazetari, IT dhe përpunim grafik.

Dr. Yllka Themeli

Yllka Themeli ka studiuar Mjekësi të përgjithshme në Tiranë. Është specializuar në Endokrinologji, fushë në të cilën ka kryer edhe studimet pasuniversitare, si Masterin dhe Doktoraturën. Prej 18 vitesh specialiste Endokrinologe dhe njëkohësisht Pedagoge në Universitetin e Mjekësisë së Tiranës.