Demenca senile (Demenca, Ulja e aftësive të trurit nga pleqëria)
Kontribuesit (Dr. med. Fritz Grossenbacher, Dr. med. Gerhard Emrich, Dr. med. Daniel Desalmand, Doris Zumbühl)

Demenca është një term i përgjithshëm, që përfshin një numër të madh sëmundjesh. Karakteristika e përbashkët e 55 nëntipeve të demencës është rënia e aftësive njohëse dhe intelektuale, si ulja e kujtesës, çrregullimet gjuhësore dhe ato të funksioneve ekzekutive (që kontrollojnë sjelljen). Megjithatë, këto karakteristika nuk shoqërohen me çrregullime të ndërgjegjes.
Të gjitha çrregullimet e mësipërme ndikojnë në një shkallë të rëndësishme në cilësine e jetës së personit të prekur, pasi ai nuk është më në gjendje të kryejë aktivitetet e jetës së përditshme. Demenca nuk është një manifestim normal i pleqërisë, që prek çdo individ në shkallë të ndryshme. Përkundrazi, bëhet fjalë për një sëmundje reale, që prek kryesisht personat e moshuar.
Ndër personat e prekur nga demenca senile, 9 në 10 prej tyre vuajnë ose nga sëmundja Alzheimer, ose nga demenca vaskulare. Më poshtë do të përqëndrohemi tek demenca vaskulare (Arterioskleroza), që i referohet bllokimit të enëve të gjakut, ndërsa sëmundja Alzheimer është e trajtuar në një temë tjetër.
Arterioskleroza karakterizohet nga grumbullimi i kalciumit dhe yndyrnave në brendësi të murit të enëve të gjakut. Në nivelin e trurit, ajo manifestohet me ngushtim të enëve të tij. Në rast se ngushtohen disa enë të vogla të gjakut ose kur ndodh një ose disa aksidente vaskulare cerebrale (tromboza ose hemoragji në tru), funksioni i trurit çrregullohet.
Shkaqe të tjera të demencës janë:
- Konsumi i alkoolit
- Sëmundja e Parkinsonit
- Trashëgimia familjare
- Çrregullimet metabolike (diabeti, yndyrnat e rritura në gjak, etj)
- Sëmundjet e gjendrës tiroide
- Mungesa e vitaminës B12 në organizëm
- SIDA /infeksioni nga virusi HIV
Mes të afërmve të shkallës së parë, rreziku për të zhvilluar demencë është pak më i lartë (2-4 herë) sesa në popullatën normale. Megjithatë, rrallë ndodh që nga demenca të preken disa pjesëtarë të së njëjtës familje. Një formë e veçantë e demencës mund të shfaqet tek personat e rinj, të moshës nga 30-50 vjeç. Kjo formë përfaqëson një nëntip të sëmundjes Alzheimer dhe shkaktohet nga një çrregullim i materialit gjenetik në nivelin e një kromozomi. Ajo mundet, edhe pse jo në mënyrë sistematike, të transmetohet tek pasardhësit. Në këtë formë të demencës, mund të preken disa anëtarë të së njëjtës familje.

Shfaqja në mënyrë të shpeshtë e çrregullimeve të lidhura me kujtesën përbën një sinjal alarmi, i cili nuk duhet nënvlerësuar, por duhet konsultuar nga një mjek specialist neurolog. Ky i fundit, për të përcaktuar diagnozën e demencës senile, ka nevojë të njihet në mënyrë të hollësishme me simptomat e pacientit, që janë:
- Çrregullime të rëndësishme të kujtesës
- Çrregullime të karakterit njohës, si psh. përgjigjet e pacientit nuk kanë lidhje me pyetjen e drejtuar ndaj tij.
- Problemet e orientimit të pacientit
- E folura e ngadaltë dhe pak e kuptueshme
- Çrregullimet e aftësisë për të gjykuar
- Ndryshimet e personalitetit, depresioni dhe humbja e gjallërisë (plogështia).
- Me përparimin e sëmundjes, për personat e prekur bëhet gjithnjë e më i vështirë menaxhimi i jetës së përditshme. Ata nuk mund të kryejnë dot në mënyrë të pavarur veprime të tilla si blerjet, gatimi, veshja, etj. Mund të shfaqen edhe haluçinacionet (vegimet, iluzionet), dhe personi i prekur nuk arrin të njohë më personat përreth tij, madje as familjarët e tij.

Për të përcaktuar diagnozën e demencës senile, mjeku neurolog bazohet në:
- Njohjen në mënyrë të hollësishme me simptomat e pacientit dhe historinë e fillimit të tyre. Për këtë qëllim, mjeku komunikon dhe me anëtarë të tjerë të familjes.
- Informimin e tij rreth personave të tjerë të familjes, nëse janë diagnostikuar me demencë senile.
- Ekzaminimin trupor
- Ekzaminimin neurologjik
- Ekzaminimin psikiatrik
- Skanerin e kokës, për të përjashtuar një aksident vaskular cerebral (trombozë ose hemorragji në enët e gjakut të trurit) ose një tumor të trurit.
- Kryerjen e testeve psikometrike, që vlerësojnë aftësitë intelektuale të pacientit.

Masat e përgjithshme
Për pacientët me demencë senile, është mjaft e rëndësishme:
- Të ushqehen në mënyrë të ekuilibruar
- Të konsumojnë sasi të mëdha lëngjesh gjatë ditës
- Të nxisin aftësitë e tyre intelektuale, nëpërmjet kryerjes së ushtrimeve mendore
- Të ruajnë aftësitë e tyre fizike, nëpërmjet ushtrimeve për lëvizjet e duarve. Vetëm në këtë mënyrë ata do të jenë në gjendje të përballojnë aktivitetet e jetës së përditshme.
- Mënyra e tyre e jetesës duhet të jetë e rregullt, pa sforcime.
Strategjitë e trajtimit
1. Trajtimi i sëmundjes kryesore dhe faktorëve të rrezikut
- Trajtimi i faktorëve të rrezikut kardio-vaskular (të lidhur me zemrën dhe enët e gjakut), veçanërisht të hipertensionit arterial, me ndihmën e medikamenteve.
- Ndërhyrja kirurgjikale (kur është e nevojshme), që realizon zgjerimin e arterieve të ngushtuara, vendosjen e stendës, etj.
2. Parandalimi i aksidenteve cerebrale dhe arterioskleroza
- Përdorimi i medikamenteve që nuk lejojnë ngjitjen e trombociteve (antiagregantët)
- Hollimi i gjakut nëpërmjet medikamenteve antikoagulante, kur dyshohet për emboli (bllokim të enës nga pllaka e mpiksur e gjakut-koaguli) me origjinë nga zemra
3. Mënyra e trajtimit pa medikamente
Konsiston në mbështetjen sociale, terapinë njohëse dhe përfshirjen në shoqatat e pacientëve me demencë senile. Lidhur me këtë, rekomandohen:
- Ushtrime për kujtesën, ushtrime të lidhura me jetën e përditshme
- Psikoterapia, terapia në çift
- Ergoterapia, që konsiston në përfshirjen e pacientëve në veprimtari të tilla si: vizatimi, gatimi, muzika, etj.
- Ushtrime fizike, jetë sociale e larmishme, lojra të ndryshme
4. Mbështetja psikiatrike dhe mjekësore
- Përdorimi i acidit acetilisalicilik rekomandohet vetëm në rastet që nuk rrezikojnë për gjakrrjedhje (hemorragji).
- Frenuesit e acetilkolinesterazës kanë rezultuar efikasë më tepër në rastet me sëmundjen Alzheimer sesa në ato me demencë vaskulare.
- Frenuesit e acetilkolinesterazës, të tillë si galantamina, donepezili dhe rivastigmina, përmirësojnë përçimin e informacionit ndërmjet qelizave nervore. Pikërisht për këtë arsye, përdorimi i këtyre medikamenteve ndikon pozitivisht mbi funksionet njohëse të pacientëve (kujtesa, aftësitë intelektuale, sensi i realitetit) dhe mbi gjendjen e përgjithshme të tyre.
Gjithsesi, këto medikamente nuk realizojnë shërimin e pacientit, por vetëm ngadalësojnë përparimin e sëmundjes.
Ndërlikimet e demencës senile janë të lidhura në mënyrë të drejtpërdrejtë me shkallën e përparimit të saj, e cila është reflektim i menaxhimit të sëmundjes, mënyrës së jetesës së pacientit dhe mënyrës së trajtimit të tij. Duke e vlerësuar nga ky këndvështrim, pacientët e diagnostikuar me demencë senile duhet të ushqehen në mënyrë të ekuilibruar, të konsumojnë sasi të mëdha lëngjesh, të bëjnë jetë të rregullt, pa sforcime. Gjithashtu, është thelbësore nxitja e vazhdueshme e aftësive të tyre intelektuale. Me kalimin e kohës, veprimtaritë e jetës së përditshme, si blerja, gatimi dhe veshja bëhen gjithnjë e më të vështira për t’u kryer në mënyrë të pavarur nga personi me demencë. Shpesh, në stadin e fundit të sëmundjes pacientët nuk flasin më, zënë shtratin dhe varen totalisht nga ndihma e të tjerëve. Në rastet me demencë vaskulare, në çdo moment mund të ndodhin aksidente cerebrale (tromboza ose hemorragji në enët e gjakut të trurit), që shkaktojnë rëndim të rëndësishëm të gjendjes së përgjithshme të pacientit.