logo
Përgatitur dhe përshtatur nga sprechzimmer.ch.
Kontribuesit (Dr. med. Fritz GrossenbacherDoris ZumbühlDr. Yllka Themeli)
Kanceri i gjirit: tumor malinj në gjirin e femrës.
Kanceri i gjirit: tumor malinj në gjirin e femrës.

Kanceri i gjirit është tipi më i shpeshtë i kancerit tek femrat, me përhapje gjithnjë e më të madhe. Sipas raportimeve të OBSH-s (Organizata Botërore e Shëndetsisë), çdo vit në botë vdesin mbi 700 000 femra, dhe 8-9% e femrave preken nga ky kancer. Ai konstatohet më tepër tek femrat e grupmoshave nga 40-50 vjeç dhe 60-70 vjeç.

Kanceri i gjirit është një tumor malinj i gjirit. Në 80% të rasteve bëhet fjalë për një karcinomë tubulare. Shkalla e mbijetesës për 5 vjet pas diagnostikimit të kancerit varion në varësi të shteteve: nga 80% në SHBA, deri në më pak se 50% në disa vende të Evropës lindore. Kjo shpjegohet me ndryshimet ndërmjet shteteve lidhur me metodat e përdorura për diagnostikimin dhe strategjitë e trajtimit të tij. Kjo formë e kancerit haset shumë rrallë tek meshkujt.

Në Shqipëri kanceri i gjirit është kanceri që haset më shpesh tek gratë me rreth 450-500 raste të reja çdo vit, dhe zë vendin e parë ndër shkaqet e vdekjeve nga kanceri tek femrat. Shumica e rasteve me kancer të gjirit tek ne, paraqiten me vonesë tek mjeku, në faza shumë të avancuara.

 

Gjendra e gjirit përbëhet nga indi gjendror, indi dhjamor dhe indi lidhor. Në lobet e saj prodhohet dhe depozitohet qumështi që, nëpërmjet disa kanaleve (tubulave) të vogla, transportohet për tek thithi i gjirit (mamela).

Njihen tri tipe të kancerit të gjirit:

  • Karcinoma tubulare, e kanaleve, që përfaqëson 80% të kancereve të gjirit dhe e ka prejardhjen në shtresën e brendshme qelizore të kanaleve të qumështit.
  • Karcinoma lobulare, që e ka prejardhjen tek lobet e gjendrave (vendet ku prodhohet dhe depozitohet qumështi)
  • Forma të tjera të rralla të kancerit të gjirit.

Shkaqet e vërteta të zhvillimit të kancerit të gjirit janë ende të paqarta. Tek meshkujt, duket se në shfaqjen e tij luajnë rol disa çrregullime genike (të geneve).

Faktorët dhe situatat e rrezikut:

  • Gjinia
  • Mosha
  • Trashëgimia familjare, veçanërisht tek të afërmit e gradës së parë dhe të dytë (nëna dhe motra).
  • Kanceri i shfaqur në njërin gji rrit shkallën e rrezikut për prekje të mëvonshme të gjirit tjetër.
  • Ardhja para kohe e menstruacioneve (puberteti i parakohshëm) ose menopauza e vonuar
  • Shtatzënia e parë e realizuar në moshë të madhe
  • Femrat që nuk kanë lindur fëmijë
  • Ushqyerja e zgjatur e fëmijës me gji e pakëson shkallën e rrezikut për t’u prekur nga kanceri i gjirit.
  • Prania e nodujve (kokrrave) ose kisteve në gjinj e rrit shkallën e rrezikut për kancer të tyre.
  • Sipas studimeve të kohëve të fundit: trajtimi zëvendësues hormonal gjatë menopauzës stimulon zhvillimin e kancerit të gjirit
  • Mbipesha trupore e rëndësishme
  • Diabeti i sheqerit i tipit 2
  • Kanceri i vezoreve
  • Mutacioni (ndryshimi) i disa geneve (shumë i rrallë)

 

Kanceri i gjirit: kokërr e fortë, e padhimbshme, e palpueshme në gji.
Kanceri i gjirit: kokërr e fortë, e padhimbshme, e palpueshme në gji.

Në pjesën më të madhe të rasteve (70%), është e mundshme të palpohet (preket) një nodul (kokërr) i fortë dhe i padhimbshëm në nivelin e gjirit ose të sqetullave.

Simptoma të tjera:


Kanceri i gjirit: diagnostikohet nëpërmjet ekografisë së gjinjve dhe mamografisë.
Kanceri i gjirit: diagnostikohet nëpërmjet ekografisë së gjinjve dhe mamografisë.

Për vendosjen e diagnozës së kancerit të gjirit, janë të nevojshme:

  • Informimi i stafit mjekësor me të dhënat personale dhe ato familjare të pacientes, historinë e sëmundjes, simptomat e pranishme, të dhëna të detajuara lidhur me përdorimin e medikamenteve ose preparateve hormonale.
  • Njohja e mjekut me lidhjen e mundshme të shfaqjes së nodulit me ciklin menstrual, me një shtatzëni ose dëmtime/traumatizime të ndryshme.
  • Ekzaminimi fizik, për vlerësimin vizual (me sy) dhe nëpërmjet palpacionit (prekjes) të nodulit.
  • Ekzaminimi gjinekologjik
  • Ekzaminimi neurologjik, për evidentimin e çrregullimeve të ndjeshmërisë
  • Mamografia
  • Ekografia e gjinjve
  • Biopsia (ekzaminimi mikroskopik i indit të gjirit, të hequr gjatë operacionit).

 

Pas konfirmimit të diagnozës, duhet të kryhen egzaminimet e mëposhtme, për të përjashtuar mundësinë e pranisë së metastazave:


Kanceri i gjirit: tumori malinj duhet të hiqet me ndërhyrje kirurgjikale.
Kanceri i gjirit: tumori malinj duhet të hiqet me ndërhyrje kirurgjikale.

Trajtimi varet nga madhësia e tumorit, nga fakti nëse konstatohen metastaza të tij (në gjendrat limfatike të sqetullave ose në organe të tjera) dhe nga stadi i sëmundjes në momentin e diagnostikimit. Shpesh është e nevojshme një skemë e  kombinuar ndërmjet trajtimit kirurgjikal, kimioterapisë dhe/ose radioterapisë. 

Trajtimi medikamentoz përfshin:

  • Kimioterapinë: citostatikët, që shkatërrojnë qelizat tumorale ose frenojnë  rritjen e tyre.
  • Terapia hormonale: rritja e disa tumoreve lidhet me  nivelin e ulët të disa hormoneve, për pasojë trajtimi hormonal ndikon në frenimin e rritjes së tumorit. 
  • Terapia imunologjike: në të përfshihen citokinat (si interferoni) ose interleukina, që luan rol ndërmjetës  në sistemin imunitar).

Radioterapia

  • Konsiderohet si mënyra e tretë e trajtimit të kancerit të gjirit. Veprimi i saj është lokal, ndryshe nga kimioterapia që vepron në të gjithë organizmin. Shpesh është i nevojshëm trajtimi i kombinuar i kimioterapisë, kirurgjisë dhe radioterapisë.

Trajtimi me rrugë kirurgjikale

  • Në rastin e kancerit të gjirit është e detyrueshme heqja totale e tumorit. Edhe pse heqja e të gjithë gjirit nuk është gjithmonë e rekomandueshme, është jashtëzakonisht e rëndësishme  të pastrohet zona rreth tumorit, derisa të kalohet në ind të shëndoshë. Shumë shpesh është e nevojshme edhe heqja e gjendrave limfatike më të afërta, që janë ato të sqetullave. Vendimi lidhur me proçedurën që duhet të ndiqet e merr mjeku që ndjek rastin dhe/ose kirurgu.

Masat psikologjike

Pas diagnostikimit me kancer të gjirit, shumë shpesh konstatohen kriza të vërteta të karakterit psiqik. Për këtë arsye, për këtë kontigjent pacientesh rekomandohet këshillimi me psikoterapistin.

Normalisht, sa më herët të bëhet diagnostikimi i kancerit të gjirit, aq më të mëdha do të jenë mundësitë e shërimit të tij. Sëmundja konsiderohet e shëruar nëse tumori është hequr plotësisht, me një kufi të shëndoshë (me siguri të mjaftueshme) dhe nëse nuk është konstatuar asnjë metastazë (përhapje e tij) në organizëm. Shërimi i kancerit të gjirit varet nga stadi i sëmundjes në momentin e diagnostikimit të saj. Përhapja e qelizave tumorale në gjendrat limfatike të sqetullave ose  në qarkullimin e gjakut, ndikon negativisht mbi ecurinë e sëmundjes. 

Kanceri i gjirit: vetë-kontrolli i rregullt i gjinjve ndihmon në parandalimin e tij.
Kanceri i gjirit: vetë-kontrolli i rregullt i gjinjve ndihmon në parandalimin e tij.

Vetëkontrolli i rregullt i gjinjve dhe ekzaminimet e rregullta tek mjeku me qëllim parandalues, lejojnë diagnostikimin në stadin e hershëm të sëmundjes.

Kujdes: çdo ndryshim i dukshëm ose i prekshëm i gjinjve përbën një arsye tepër të fortë për t’u konsultuar menjëherë me mjekun.

 

Dr. med. Fritz Grossenbacher

Fritz Grossenbacher ka studiuar Mjekësi në Bern. Ai zotëron një master në Edukim Mjekësor (Medical Education) nga universitet e Bernës dhe Çikagos dhe një Çertifikatë në "Teaching Evidence based Medicine" nga Qendra e Mbretërisë së Bashkuar Cochrane në Oksford.

Doris Zumbühl

Doris Zumbühl është një asistente klinike e diplomuar në Mjekësi. Ajo ka kryer disa kurse trajnimi te avancuara në gazetari, IT dhe përpunim grafik.

Dr. Yllka Themeli

Yllka Themeli ka studiuar Mjekësi të përgjithshme në Tiranë. Është specializuar në Endokrinologji, fushë në të cilën ka kryer edhe studimet pasuniversitare, si Masterin dhe Doktoraturën. Prej 18 vitesh specialiste Endokrinologe dhe njëkohësisht Pedagoge në Universitetin e Mjekësisë së Tiranës.