Shkolitja e retinës (Shkëputja e retinës)
Kontribuesit (Dr. med. Fritz Grossenbacher, Doris Zumbühl, Dr. Yllka Themeli)

Pjesa e brendshme e fundit të globit të syrit mbulohet nga retina. Kjo përmban qelizat e ndjeshme ndaj dritës (fotoreceptorët) dhe shumë qeliza e fije nervore, që merren me transmetimin e informacioneve pamore. Poshtë tyre vendoset epiteli i pigmentuar dhe enët e gjaku (në koroide), që sigurojnë furnizimin e retinës më lëndë ushqyese dhe oksigjen.
Në rastin e shkolitjes, retina (e ndjeshme ndaj dritës) shkëputet nga membrana e jashtme (epiteli i pigmentuar). Pamja rezulton e përkeqësuar: pacientët referojnë për shfaqjen e një perdeje të zezë para syve. Kur ky proçes prek makulën (njollën e verdhë) - pikën ku pamja është më ë qartë - pamja bëhet krejtësisht e turbullt.
Shkolitja e retinës prek më shpesh personat miopë, me moshë nga 50-70 vjeç.

Shkolitja e retinës përfaqëson shkëputjen e pjesshme ose të plotë të retinës, që niset përgjithësisht nga një vrimë ose çarje në retinën e syrit. Kjo shkëputje shkakton shkatërrimin e qelizave nervore të retinës. Nëse nuk trajtohet, ajo mund të shkaktojë një rënie progresive të pamjes, që mund të arrijë deri në verbim të plotë.
- Shkolitja e retinës e lidhur me një shkolitje të trupit qelqor: përfaqëson formën më të zakonshme ku trupi qelqor (masa xhelatinoze) mbush syrin. Me plakjen e njeriut, ai humbet ujin, degjeneron dhe rrudhet si një tullumbace. Ai tërheq retinën deri sa e shkëput atë plotësisht dhe provokon çarje të saj.
- Shkolitja e retinës nga tërheqja: grisjet (çarjet) e retinës çojnë në formimin e disa rrudhave të lokalizuara nën retinë dhe trupin qelqor që, nga ana e tyre, shkaktojnë një tërheqje të rëndësishme në nivelin e retinës.
- Shkolitja e retinës e lidhur me praninë e likidit: për shkak të ndryshimeve si rezultat i sëmundjeve të ndryshme, likidi i enëve të gjakut kalon në epitelin e pigmentuar dhe në retinë, duke shkaktuar shkolitje të tyre.
Faktorët e rrezikut që favorizojnë shkolitjen e retinës janë:
- Miopia
- Mosha (veçanërisht degjenerimi makular i lidhur me moshën)
- Operacioni i kryer për shkak të kataraktit (perde e syrit)
- Diabeti i sheqerit
- Proçeset inflamatore
- Dëmtimi i syrit
- Tumoret e syve
- Infeksionet (borrelioza e transmetuar nga këpushat ose tuberkulozi)

Shenjat e alarmit që tregojnë për shkolitje të retinës janë:
- Shfaqja papritur e një "shkëlqimi verbues" në sy
- Hije në fushën e pamjes periferike
- Shfaqja papritur e një pengese të lëvizshme (trupi të huaj) në sy.
- Ulje e aftësisë për të parë
- Shfaqja e një ose disa shenjave të mësipërme tregon se pacienti ka nevojë për konsultë të menjëhershme me një mjek specialist okulist.

Diagnoza e shkolitjes së retinës vendoset nga mjeku specialist okulist duke u bazuar në:
- Simptomat e pacientit dhe historinë e fillimit të tyre
- Egzaminimin e fundit të syrit pas administrimit paraprakisht të pikave për zgjerimin e pupilës (bebes së syrit)
- Egzaminimin e retinës
Në rast nevoje, kur infiltrimet e gjakut në trupin qelqor pengojnë egzaminimin e fundit të syrit, është i nevojshëm egzaminimi ekografik i syrit.

Sa më herët të trajtohet shkolitja e retinës, aq më i vogël është rreziku i dëmtimit të aftësisë për të parë. Mënyra e trajtimit është në varësi të shkaqeve të saj. Kështu, inflamacionet dhe tumoret duhet të trajtohen në mënyrë korrekte, si me medikamente, ashtu edhe me rrugë kirurgjikale.
Ndërhyrja kirurgjikale
Tipi i operacionit varet nga shkalla e rëndesës së shkolitjes së retinës dhe shkaku kryesor (parësor) i saj. Kështu:
- Shkolitjet e lehta të retinës mund të riparohen nëpërmjet trajtimit me lazer.
- Në rastin e atrofisë (rrudhosjes) së trupit qelqor, globi i syrit është i dalë artificialisht nga jashtë, dhe ringjitja e retinës me epitelin e pigmentuar realizohet nëpërmjet mbushjes me silikon.
- Në raste të rralla, trupi qelqor duhet të hiqet (vitrektomia), duke u zëvendësuar nga vaji i silikonit dhe më pas nga një solucion kripor.
Shkolitja e retinës e lidhur me çarjen e saj mund të shërohet në pjesën më të madhe të rasteve. Gjithsesi, në rastet e prekjes së makulës (njolla e verdhë-pika ku pamja është më e qartë), shpesh mbetet ulje e përhershme e pamjes. Në përgjithësi, format e tjera (nga tërheqja ose prania e likidit) ndryshojnë shumë aftësinë e pamjes.

Shenjat e para të alarmit të shkolitjes së retinës duhet të merren seriozisht. Ulja e aftësisë së shikimit, pamja e turbullt ose e zgjatur, si dhe ndjesia e pranisë së një trupi të huaj, kanë nevojë për një konsultë të menjëhershme nga mjeku specialist okulist.
Çdo person mbi 40 vjeç dhe çdo person i diagnostikuar me diabet të sheqerit, duhet të kryejnë kontrolle të rregullta vjetore tek mjeku specialist okulist për një egzaminim të fundit të syrit. Kjo është mënyra e vetme për evidentimin dhe trajtimin në kohë të shkolitjes së retinës.