Byci i syrit
Kontribuesit (Dr. med. Fritz Grossenbacher, Doris Zumbühl, Dr. Yllka Themeli)

Në mungesë të dhimbjeve, mund të bëhet fjalë për një kist të qepallës së syrit, që nuk ka marrë ende formën e plotë të tij.
Byci i syrit zhvillohet kryesisht tek personat me diabet të sheqerit ose tek pacientët me sistem imunitar (mbrojtës) të dobësuar.
Shfaqja e një byci në sy shkakton:
- Enjtje të dhimbshme dhe skuqje të buzës së qepallës
- Hapje gjithnjë e më të vështirë të syrit përkatës
- Konjuktivit (inflamacion i pjesës së brendshmë të qepallës), në rastin e bycit të brendshëm.
- Çarje (hapje) spontane të bycit, me rrjedhjen e qelbit.


Vetëtrajtimi i bycit, me hapjen ose çarjen e tij nga vetë pacienti, nuk rekomandohet për shkak se paraqet rrezik për përhapjen e infeksionit.
Trajtimi i bycit të syrit konsiston në zbatimin e disa proçedurave të përgjithshme dhe trajtimin kirurgjikal të tij.
Në të gjitha rastet me byce të përsëritura të syrit, duhet të dyshohet për dobësim të aftësive mbrojtëse të organizmit (imunitetit) ose diabet të sheqerit.
Masat e përgjithshme
Në stadin fillestar, vendosja e kompresave të ngrohta me kamomil ose aplikimi i rrezeve infra të kuqe, shpesh e përshpejtojnë shërimin e bycit. Përdorimi i pomadave antiseptike (kundër infeksionit) në zonën e bycit eviton përhapjen e infeksionit në indet fqinje. Fashimi i syrit përdoret vetëm tek foshnjat, pasi tek ato rreziku i përhapjes së infeksionit është më i madh dhe i paevitueshëm me mënyra të tjera.
Trajtimi kirurgjikal
Në stadin e avancuar të bycit të syrit, apilikimi i nxehtësisë mund të përshpejtojë pjekjen e bycit dhe formimin e qelbit në brendësi të tij. Në vazhdim, byci hapet spontanisht duke derdhur qelbin jashtë. Në disa raste, pikërisht për të mundësuar rrjedhjen e plotë të qelbit, është e nevojshme një prerje e vogël kirurgjikale.
Ndërlikimi kryesor i bycit është përhapja e infeksionit. Kështu, byci mund të shërbejë edhe si pikë e nisjes së një flegmone (qelbëzimi) të qepallës, kur infeksioni përhapet në qepallë, ose i një flegmone të orbitës, kur infeksioni prek të gjithë orbitën (zgavrën) e syrit.
Kur byci forcohet, ai mund të kthehet në një inflamacion kronik që quhet kist i qepallës së syrit.