Rosacea (Akne rosacea)
Kontribuesit (Dr. med. Fritz Grossenbacher, Doris Zumbühl, Dr. Yllka Themeli)

Rosacea është një sëmundje kronike inflamatore, që zhvillohet në sipërfaqen e lëkurës dhe kryesisht në zonën e fytyrës. Në varësi të simptomave dhe ashpërsisë së tyre, ajo manifestohet me skuqje, zgjerim të enëve të vogla të gjakut (telengiektazi), puçrra me qelb dhe kokrra të mëdha, trashje të epidermis, dhe mund të përhapet edhe në lëkurën e zonave të afërta me fytyrën, si koka, qafa, gjoksi dhe shpina.
Rosacea shfaqet në moshat e rritura, zakonisht midis 30-50 vjeç. Femrat preken më tepër rreth moshës 35 vjeçare, ndërsa meshkujt në moshën mbi 50 vjeç. Fëmijët dhe adoleshentët gjithashtu mund të preken nga kjo sëmundje, edhe pse më rrallë.
Njerëzit me lëkurë tepër të bardhë (skandinavët) janë më të prirur të preken nga kjo sëmundje. Sytë mund të preken gjithashtu. Rosacea mund të ngatërrohet me aknet dhe sëmundje të tjera të lëkurës. Për shkak të trashjes së lëkurës, hunda bëhet bulboze (e fryrë), element që shpesh merret si manifestim i alkoolizmit.
Meqenëse zhvillohet dhe përhapet në fytyrë, rosacea mund të të shkaktojë probleme të mëdha estetike tek pacienti.
Shkaqet e rosaceas janë ende të panjohura. Në shfaqjen e saj dyshohet të ndikojnë faktorë të ndryshëm, si:
- problemet autoimunitare
- problemet me enët e gjakut dhe ato limfatike
- reaksionet inflamatore dhe mbindjeshmëria e indeve nervore të enëve të gjakut
- reaksioni inflamator i lokalizuar ndaj mikroorganizmave të veçantë në lëkurë (si akarienet)
- rrezet ultravjollcë
Elementë shpërthyes të mundshëm të rosaceas janë:
Rosacea i shfaq simptomat kryesore në pjesën e fytyrës, ku zona e ballit, hunda, mjekra dhe faqet janë më të prekura, zakonisht në mënyrë simetrike. Përveç fytyrës, zona të tjera ku mund të shfaqet janë edhe gjoksi, qafa dhe koka.
Simptomat tipike:
- skuqje e theksuar në fytyrë, e përkohshme, e cila shfaqet në formën e krizave
- skuqje e vazhdueshme, që zakonisht zgjat për të paktën 3 muaj
- zgjerimi i dukshëm i enëve të gjakut në sipërfaqen e epidermës (telangiektazia)
- ënjtje e lëkurës (çrregullimi i sistemit limfatik, edemë limfatike)
- simptoma të tjera: djegie, ndjesi shpimi, lëkurë e thatë, trashje e epidermës.
Klasifikimi sipas shkallës së ashpërsisë
Faza paraprake: Karakterizohet nga:
- skuqje e përkohshme që shfaqet me kriza
- shpërthehet nga stimuj të ndryshëm të jashtëm dhe të brendshëm, si kimikatet irrituese, ndryshimi i temperaturës (moti, saunat, banjat e nxehta), rrezet ultravjollcë (UV), aromatizuesit, pijet shumë të nxehta, alkooli, stresi psiqik.
Këto skuqje mund të shfaqen në të gjitha shkallët e ashpërsisë së rosaceas.
Grada I ose rosacea eritemato-telangiektazike: Karakterizohet nga:
- skuqje e vazhdueshme (eritema)
- zgjerim i dukshëm dhe i qëndrushëm i enëve të gjakut të epidermës (telangiektazia)
- ndjesi e vazhdueshme e djegies, e shpimit si me gjilpërë, kruajtje dhe lëkurë të thatë dhe skuamoze në zonën e prekur.
Grada II ose rosacea papulo-pustulare: Karakterizohet nga:
- skuqje e vazhdueshme në fytyrë
- puçrra me qelb të izoluara ose në grupe, zakonisht në mënyrë simetrike, të cilat mund të vazhdojnë për disa javë.
- ënjtje e lëkurës
- pas një periudhe kohe mund të shtrihet në të gjithë fytyrën, gjoksin, në qafë ose në të gjithë kokën.
Grada e III ose rosacea glandulare hiperplazike: Karakterizohet nga:
- manifestohet me një shtim të indit lidhor dhe gjendrave dhjamore, të cilat mund të çojnë në një trashje të epidermës me pamje bulboze.
- të prekurit janë kryesisht meshkuj
- kjo përhapje ndodh zakonisht në pjesën e hundës (bulba në pjesën e hundës), në mjekër, nofull, ballë, veshë ose qepalla.
- ende nuk është përcaktuar nëse tek pacientët me këtë formë të rosaceas zhvillohet më shpesh karcinoma e qelizave bazale (kanceri i lëkurës së bardhë).
Forma të veçanta:
- Rosacea okulare (e syve): në 30-50% të pacientëve me rosacea mund të preken edhe sytë. Ndryshimet në lëkurë mund të shfaqen më pas. Rosacea okulare nganjëherë mund të prekë edhe fëmijët, me ose pa dëmtime në lëkurë. Manifestimet më të zakonshme të saj janë inflamacioni i qepallave (blefariti) dhe indit lidhor (konjuktiviti). Në rastet me dëmtim ulçerativ të kornesë, mund të shfaqen edhe probleme të rënda me shikimin. Simptomat janë: ndjesia e trupit të huaj në sy, lëkura e thatë, ndjesia e djegies, lotim, marrje mendsh, shikim i paqartë, ndjeshmëri e lartë ndaj dritës, skuqje në buzët e qepallave. Nevojitet konsultë me një mjek okulist.
- Rosacea e fëmijëve: është e rrallë. Dëmtimi i syve është shumë më i shpeshtë se tek të rriturit dhe shoqërohet me më shumë ndërlikime. Shpesh sytë preken përpara lëkurës, ose preken vetëm sytë.
- Rosacea conglobata: është e rrallë, me puçrra inflamatore, të zhvilluara thellë në fytyrë.
- Rosacea fulminante: variant ekstrem, me shfaqje të papritur dhe ndryshime të shpejta brenda disa ditëve ose javëve, vetëm tek gratë e reja, veçanërisht gjatë dhe pas shtatzënisë. Formimi i puçrrave të mëdha shoqërohet nga një prodhim i tepër i qelbit.
- Rosacea lupoide: me kokrra kafe të kuqerremta të shfaqura sidomos mbi qepalla, në harqet e mollëzave dhe rreth gojës. Ato janë të shpërndara nëpër fytyrë, të skuqura, dhe mjaft të vështira për t’u trajtuar.
- Morbus Morbihan: karakterizohet nga lëkura e ënjtur (edemë), ndjenja e presionit në fytyrë, sidomos tek faqet, hunda dhe balli, si dhe nga prekja më e theksuar e enëve limfatike. Kjo formë e sëmundjes haset më shpesh në Britani.
- Rosacea steroidiene: zhvillohet pas marrjes për një periudhë të gjatë të kortikosteroideve (kortizonit) me tableta ose pomada.
- Rosacea nga mikrobe gram-negative: pas mjekimit me antibiotikë për disa muaj, disa lloje mikrobesh të veçanta që krijojnë imunitet bëhen burim inflamacioni për lëkurën, duke shkaktuar skuqje dhe puçrra me qelb. Për shkak të ngjashmërisë me fazën II (rosacea papulo-pustulare) shpesh bëhen gabime në identifikimin e kësaj forme.
Diagnoza e Rosaceas zakonisht bëhet në bazë të formave tipike klinike dhe intervistës mjekësore të vetë pacientit. Që në fillim duhet të përjashtohen sëmundje të ndryshme, të cilat kanë paraqitje të ngjashme me rosacean. Të tilla janë:
- aknet e thjeshta
- eritema me krahë fluture ose lupusi eritematoz
- dermatiti rreth gojës
- inflamacioni i lëkurës së gojës
Në raste të rralla nevojitet ekzaminimi mikroskopik i mostrës së indeve.
Masat e përgjithshme
Konsistojnë në pastrimin e lëkurës së ndjeshme, duke ndjekur këto këshilla:
- përdorni vetëm produkte pa sapun, me pH lehtësisht acid
- përdorni ujë të vakët për të shpëlarë fytyrën dhe shmangni fërkimet sa më shumë që të jetë e mundur
- përdorni produke kozmetike të buta dhe jo vajore
- mos e pastroni lëkurën e prekur nga rosacea
- shmangni produktet që përmbajnë alkool, mentol, kamfora, laurilsulfat natriumi (përdoret për pastrimin e fytyrës nga kremrat dhe produktet e ndryshme).
- për meshkujt: rruajtja të bëhet në lëkurë të thatë dhe jo në lëkurë të lagur, pa denzifektues pas rruajtjes, në vend të tyre të përdoren produkte qetësuese për lëkurën
- përdorimi i një kremi mbrojtës të përshtashëm kundër diellit me efekt kundër rrezeve ultravjollcë A dhe B (UV-A dhe UV-B)
- produktet fizike (dioksid titani, oksid zinku) tolerohen më mirë se produktet kimike
- produktet e kozmetikës për mbulimin e akneve nuk janë të dëmshëm dhe mund ta përmirësojnë jetesën e pacientëve.
Nëse është e mundur, shmangni faktorët që favorizojnë zgjerimin e enëve të gjakut dhe skuqjen e fytyrës.
Të tillë konsiderohen:
- alkooli, pijet tepër të nxehta
- banjot e nxehta, saunat
- ekspozimi i zgjatur ndaj diellit
- situatat e stresit
Trajtimi me medikamente
Për dy fazat e para të ashpërsisë së rosaceas, janë të mjaftueshme medikamentet me përdorim lokal (në formën e xhelit, solucioneve ose kremit). Në raste të rënda ose në ato kronike, përveç përdorimit të jashtëm të kremrave, përdoren edhe medikamente, sipas përshkrimit të mjekut.
Medikamentet me përdorim të jashtëm:
- Antibiotikët: zvogëlojnë puçrrat dhe pakësojnë qelbin, ndoshta nga veprimi anti-inflamator dhe dobësues mbi reaksionet imunitare. Kanë efekt të kufizuar në skuqjen e lëkurës dhe në zgjerimin e enëve të gjakut.
- Medikamentet kundër parazitëve: kanë efekt anti-inflamator në rastet me rosacea papulo-pustuloze dhe kështu reduktojnë puçrrat dhe qelbin e krijuar prej tyre.
- Medikamente vazokonstriktore: ngushtojnë enët e gjakut, duke pakësuar skuqjen në fytyrë dhe rosacean.
Ka edhe medikamente të tjera që janë efektive, por ende nuk janë të miratuara për trajtimin e rosaceas.
Medikamentet me përdorim të brendshëm (nga goja):
- Antibiotikët me doza të vogla: me këto doza shfaqin efekt anti-inflamator dhe jo anti-bakterial.
Ka mjekime të tjera efektive por që nuk lejohen ende për trajtimin e rosaceas. Kortikosteroidet duhet të shmangen, ato janë të pafavorshme në zhvillimin e sëmundjes dhe mund të shkaktojnë rosacea steroidiene. Bën përjashtim vetëm përdorimi për kohë shumë të shkurtër i tyre në rastet me rosacea fulminante.
Trajtime të tjera terapeutike
- Heqja me anë të kirurgjisë e trashjes në zonën e hundës (grada III)
- Trajtimi me lazer: ka efikasitet të mirë kundër telangiektazisë (zgjerimi dhe dalja në sipërfaqje e enëve të gjakut), por ka më pak efekt kundër përhapjes së skuqjes. Efektet anësore janë p.sh plagët e vazhdueshme dhe njollat.
- Trajtimi me dritë intensive pulsuese: është vecanërisht i efektshëm kundër telangiektazisë, dhe lejon trajtimin me lazer në zona të mëdha.
- Terapia fotodinamike: ende nuk ka rezultate pozitive të verifikuara.