Fraktura e legenit (Fraktura pelvike)
Kontribuesit (Dr. med. Fritz Grossenbacher, Doris Zumbühl, Dr. Yllka Themeli)

Pelvisi (legeni) lidh shtyllën kurrizore me këmbët dhe përbëhet nga disa kocka që janë të lidhura fort me njëra-tjetrën. Pjesa e pasme formohet nga sakrumi - një shtrirje në formë pykë e pjesës lumbare të shtyllës kurrizore, që përfundon me kockën e bishtit (kocka koksigeale). Sakrumi është i lidhur me pjesën e përparme të legenit në të dy anët me anë të artikulacionit sakro-iliak. Pjesa e përparme përbëhet nga: zorra, kocka pubike dhe iskia. Struktura e formuar nga këto kocka quhet unaza e legenit.
Shkaku i një frakture të thjeshtë, të qëndrueshme të legenit, është zakonisht një aksident sportiv ose rrëshqitje në një sipërfaqe të akullt.
Faktorët e rrezikut për rënie tek të moshuarit janë:
- Pasiguria e rrugës (pengimi)
- Shikimi i paqartë
- Problemet me ekuilibrin (marramendje)
- Sëmundje si Demenca, Parkinsoni
- Muskujt e dobët, reflekset e ngadalta
- Presioni i ulët i gjakut (p.sh. rënia e presionit të gjakut pas ngritjes së menjëhershme në këmbë)
- Medikamentet e ndryshme
- "Rreziqet e udhëtimit" në apartament (grackat e tapeteve, pengesat, etj.)
- Osteoporoza
Fraktura të paqëndrueshme të legenit tek të rinjtë ndodhin kur vepron një forcë e madhe, si në rastin e rënies nga një lartësi e madhe (për shembull nga një çati ose pemë) ose të një aksidenti me makinë ose në aksidente sportive.
Simptomat tipike të frakturës së legenit janë:
- dhimbje
- ënjtje
- kërcitje në zonën e legenit
Paqëndrueshmëria e legenit jo rrallë shkakton dëmtime dhe bllokime të lëvizjes. Mungesa e qëndrueshmërisë së unazës së legenit tregohet nga fakti se personi i prekur nuk mund të qëndrojë më në këmbët e tij.
Gjaku në urinë tregon dëmtime të fshikëzës urinare, uretrës ose ureterit. Lëndimet e brendshme - si rezultat i humbjes së madhe të gjakut - mund të çojnë në dështim të qarkullimit të gjakut (urgjencë!) kërcënuese për jetën. Shenjat e saj janë: zbehje, axhitim, konfuzion, humbje e vetëdijes, puls i shpejtë.
Përshkrimi i rrjedhës së aksidentit, simptomat e pacientit, një inspektim i përgjithshëm fizik si dhe palpimi i kujdesshëm i legenit, i tregojnë mjekut që legeni mund të jetë thyer.
Radiografitë tregojnë pikat e thyerjes.
Nëse dyshoni për lëndime shoqëruese, duhet të kryeni edhe:
- Ekografinë e barkut (për dëmtime të organeve të brendshme)
- Skanerin
- Radiografinë e fshikëzës urinare me lëndë kontrasti
Frakturat e qëndrueshme të legenit në përgjithësi nuk ka pse të operohen. Zakonisht, pushimi në shtrat për një kohë të shkurtër, dhe lëvizja sa më shpejt që të jetë e mundur (me fizioterapi, etj.) janë të mjaftueshme.
Paketat e akullit ndihmojnë në zvogëlimin e ënjtjes dhe mavijosjes. Për dhimbjen mund të përshkruhen medikamente qetësuese.
Tek njerëzit e moshuar, duhet të merren masa individuale për të parandaluar rrëzime të tjera të mundshme.
Kështu, për shembull:
- Rregullimet në mjedisin e banimit: hiqni qilimat dhe blloqe të tjera pengese, kompensoni pragjet, përmirësoni kushtet e ndriçimit, etj.
- Ekzaminimi okulistik dhe rregullimi i shikimit me syze
- Forcimi i muskujve
- Këpucë të mira, të forta
- Diskutoni ilaçet me mjekun dhe rregullojini ato nëse është e nevojshme
Nëse frakturat e legenit janë të paqëndrueshme, unaza e legenit duhet të stabilizohet përsëri në mënyrë kirurgjikale. Lloji dhe shtrirja e trajtimit kirurgjikal varet nga dëmtimet e tjera.
Ndërhyrjet e mundshme kirurgjikale janë:
- Stabilizimi urgjent i frakturës, zakonisht përmes një fiksimi të jashtëm, pastaj fiksimit të brendshëm të kockave me pllaka ose vida.
- Në rast të një frakture të rëndë të legenit me gjakderdhje të rëndë, futet si urgjencë një e ashtuquajtur kapëse e legenit.
Ndërlikimet e mundshme
Si rregull, proçesi i shërimit është relativisht i mirë edhe me një frakturë të paqëndrueshme të legenit. Pas operacionit, një pushim në shtrat prej disa javësh është i nevojshëm, i ndjekur nga fizioterapia dhe rehabilitimi fizik.
Si pas të gjitha ndërhyrjeve kirurgjikale, mund të ndodhin çrregullime të shërimit të plagëve, gjakderdhje ose infeksione. Këto kërkojnë trajtim shtesë.
Dëmtimet nervore që ndikojnë në funksionimin e zorrëve ose të fshikëzës urinare mund të rezultojnë në mosmbajtje të jashtëqitjeve ose të urinës. Si rezultat i dëmtimeve të brendshme, tek burrat mund të çrregullohet funksioni seksual.