Shurdhimi (Çrregullimet e dëgjimit, Humbja e dëgjimit)
Kontribuesit (Dr. med. Fritz Grossenbacher, Doris Zumbühl, Dr. Yllka Themeli)

Shurdhimi shoqërohet edhe në ditët e sotme me një defiçit intelektual ose një rënie të aftësisë mendore. Megjithatë, të dëgjosh dhe të kuptosh nuk është e njëjta gjë. Një person që nuk dëgjon mirë është i detyruar të bëjë pyetje, por kjo nuk tregon mungesë të inteligjencës së tij.
Ky imazh jo i këndshëm në shoqëri, bën që personat me çrregullime të dëgjimit të mos vlerësohen seriozisht. Studimet e fundit tregojnë që një në 7 evropianë ka probleme me dëgjimin. Megjithatë, vetëm më pak se 14% e këtij kontigjenti mbajnë aparat për të siguruar dëgjimin.
Problemet e lidhura me dëgjimin ndikojnë negativisht mbi cilësinë e jetës, duke shkaktuar probleme sociale, personale dhe profesionale. Aparatet moderne të dëgjimit ndihmojnë në qetësimin e simptomave, në pakësimin e çrregullimeve të dëgjimit dhe në rikthimin e aftësisë për të dëgjuar. Shpesh, mund të jenë të nevojshme ndërhyrje të tjera mjekësore, për pakësimin ose ngadalësimin e proçesit të humbjes së dëgjimit, si dhe për të mundësuar shërimin e plotë të pacientit.
Egzistojnë kryesisht dy forma të çrregullimit të dëgjimit: ajo e lidhur me transmetimin e valëve zanore (tingujve) dhe ajo e lidhur me perceptimin e këtyre valëve. Kjo e fundit është pasojë e çrregullimeve të veshit të brendshëm. Mund të konstatohen gjithashtu edhe forma të kombinuara. Pjesa më e madhe e çrregullimeve të dëgjimit shkaktohen nga zhurmat ose nga pleqëria.
Çrregullimet e dëgjimit të lidhura me transmetimin e tingullit
Në këtë rast, vala zanore (tingulli) përçohet e dobësuar në nivelin e veshit të mesëm. Kështu, të gjithë tingujt dëgjohen më pak të fortë sesa janë në të vërtetë. Ky tip i çrregullimit të dëgjimit është pasojë e sëmundjeve ose dëmtimeve në nivelin e veshit të jashtëm dhe/ose atij të mesëm.
Shkaqet e sëmundjeve ose dëmtimeve të veshit të jashtëm:
- Prania e tapës së dyllit
- Prania e trupave të huaj në kanalin e dëgjimit
- Inflamacioni
Shkaqet e sëmundjeve ose të dëmtimeve të veshit të mesëm:
- Grumbullimi i lëngut në veshin e mesëm, shpesh gjatë një inflamacioni të tij tek fëmija
- Inflamacioni i veshit të mesëm
- Shpimi i timpanit
- Prania e kolesteatomës, që është një inflamacion kronik, i ngjashëm me një kist, gjatë të cilit ndodh rritje e theksuar e epitelit të sheshtë në hapësirën e veshit të mesëm dhe të mastoidit (një majë e vogël kockore, e vendosur në bazën e kockës temporale, që gjendet prapa veshit). Kjo pasohet me shkatërrimin e kockës dhe të strukturave fqinje, si psh. të kockave të vogla të dëgjimit. Kolesteatoma përbëhet kryesisht nga kolesteroli.
- Otoskleroza (grumbullimi i lëndëve kockore në veshin e brendshëm)
- Plagosjet e veshit të mesëm gjatë traumave të trurit
- Keqformimet
Çrregullimet e dëgjimit të lidhura me perceptimin e tingullit ose shurdhimi nga veshi i brendshëm
- Shurdhimi nga pleqëria
- Tingujt ose zhurmat e forta
- Traumat e kokës ose të trurit
- Infeksionet virale, si psh. ndërlikimet e shytave, fruthit, gripit, variçelës.
- Inflamacionet e veshit të brendshëm me origjinë bakteriale
- Shurdhimi i menjëhershëm
- Sëmundja Menier
- Dëmtimi i nervave të ekuilibrit, që shkaktojnë marrje mendsh.
- Dëmtimet e lindura ose të fituara gjatë lindjes
Shkaqe të tjera
- Sëmundjet e nervave të dëgjimit, të tilla si inflamacionet, tumoret, etj.
Shkalla dhe forma e humbjes së dëgjimit varen nga shkaku i saj. Gjithsesi, në të gjitha format, tingujt dhe zhurmat dëgjohen në mënyrë të pakësuar. Veç kësaj, mund të konstatohen edhe shqetësime të tjera, si psh. marrje mendsh.

Në rastin e uljes së shkallës së dëgjimit tek një person, mjeku kryen që në fillim otoskopinë, pra një egzaminim të kujdeshëm të veshit me otoskop (pajisje e posaçme). Ajo mundëson eksplorimin e kanalit të jashtëm të dëgjimit dhe të regjionit timpanik (daulles së veshit), duke evidentuar tapat e dyllit ose grumbullimin e lëngut. Diapazoni i lejon mjekut të dallojë një çrregullim të përhapjes së valës dëgjimore nga një çrregullim i perceptimit të saj. Pëshpëritja me zë të ulët e numrave përfaqëson një metodë tjetër të vlerësimit të dëgjimit, që mundëson evidentimin e ndryshimit të nivelit të dëgjimit ndërmjet veshit të majtë dhe atij të djathtë.
Proçedurat që realizojnë egzaminimin e thellë të veshit nga mjeku specialist ORL (oto-rino-laringolog) janë:
- Audiometria e thjeshtë dhe me zë
- Matjet e specializuara, që lejojnë vlerësimin e aktivitetit të qelizave ciliare të jashtme tek një foshnje ose një person që shtiret sikur nuk dëgjon.
- Kryerja e rezonancës magnetike të kokës, per evidentimin e ndonjë tumori të mundshëm.
Çrregullimet e dëgjimit klasifikohen si më poshtë:
- Çrregullim dëgjimor i lehtë deri në mesatar: me një humbje të dëgjimit prej 30-60 decibel (dB).
- Çrregullim i lartë: me një humbje të dëgjimit prej 60-85 decibel (dB)
- Çrregullimi në kufi i dëgjimit dhe shurdhimi: me një humbje të dëgjimit prej 85-100 decibel (dB)
- Humbja e plotë e dëgjimit: me një humbje të dëgjimit prej 100 decibel (dB).

Në rastet e çrregullimeve të transmetimit të tingullit, hapi i parë i trajtimit konsiston në eleminimin e shkakut (infeksion, tapë dylli, etj.), madje edhe me operacion, për të përmirësuar shkallën e dëgjimit.
Në rastet me çrregullime të veshit të brendshëm ose të perceptimit të tingullit, nuk egziston ndonjë mënyrë trajtimi për eleminimin e shkakut. Gjithsesi, dëgjimi mund të përmirësohet në sajë të përdorimit të një aparati të dëgjimit. Për zgjedhjen e tij, duhet të merret në konsideratë paraprakisht ndjeshmëria dëgjimore e pacientit.
Në ditët e sotme, egzistojnë praktikisht metoda të përshtatshme teknologjike për çdo formë të çrregullimit të dëgjimit. Aparatet moderne të dëgjimit konsiderohen zgjidhje të një teknologjie të përparuar, pasi janë të vegjël dhe tepër praktikë për t’u mbajtur.
Për trajtimin e humbjes së dëgjimit vetëm në njërin vesh, praktikohet një aparat dëgjimi i fiksuar në kockë. Ai vendoset nëpërmjet operacionit, që kryhet nën efektin e anestezisë lokale.