Testi i shtypjes së arterieve karotide (Masazhi i sinusit karotid)
Kontribuesit (Dr. med. Fritz Grossenbacher, Doris Zumbühl, Dr. Yllka Themeli)

Çfarë është testi i shtypjes së arterieve karotide?
Testi i shtypjes së arterieve karotide, i cili realizohet gjatë kryerjes së EKG (elektrokardiogramës), konsiston në shtypjen ose masazhimin e arteries karotide nga ana e mjekut, nëpërmjet gishtave të tij, në fillim në njërën anë të qafës pastaj në tjetrën. Ky masazh i sinusit karotid ngadalëson ritmin e zemrës dhe ul lehtësisht presionin e gjakut. Arteriet karotide përmbajnë sensorë nervorë specialë, që ndihmojnë në rregullimin e presionit arterial të gjakut. Megjithatë, nëse këta receptorë janë shumë "të ndjeshëm", një presion i jashtëm (si psh. nga një bluzë e shtrënguar në qafë) mund të provokojë një refleks vagal të ekzagjeruar, në formën e ngadalësimit të ritmit të zemrës dhe rënien e presionit arterial. Kjo mund të shkaktojë marrje mendsh ose humbje të ndjenjave (gjendje sinkopi). Testi i shtypjes së arterieve karotide përdoret për të verifikuar nëse sensorët nervorë të qafës janë shumë të ndjeshëm.
Ai është një ekzaminim që i takon fushës së Kardiologjisë, që është degë e Mjekësisë interne (e organeve të brendshme).
A nevojitet ndonjë përgatitje e veçantë përpara këtij ekzaminimi?
Testi i shtypjes së arterieve karotide mund të kryhet pa ndonjë përgatitje të veçantë.
Çfarë duhet të sqarohet përpara këtij ekzaminimi?
Para se të kryhet testi i shtypjes së arterieve karotide, duhet të përjashtohet mundësia e një ngushtimi të arterieve karotide, pasi presioni i ushtruar nga jashtë mund të shkaktojë çrregullime të qarkullimit të gjakut në nivelin e trurit. Për këtë qëllim, mjeku dëgjon dy arteriet karotide me ndihmën e stetoskopit, sepse ngushtimet e shprehura shkaktojnë çrregullime të rrjedhjes së gjakut, të cilat mund të dëgjohen me stetoskop. Përveç kësaj, nuk nevojitet asnjë sqarim tjetër.
Si realizohet testi i shtypjes së arterieve karotide?
Ekzaminimi kryhet në pozicionin shtrirë. Pasi pacientit i vendosen elektrodat e EKG, mjeku shtyp me gishta arterien karotide në njërën anë të qafës për disa sekonda dhe vëzhgon në monitorin e EKG-së sesi reagon shpeshtësia e rrahjeve të zemrës. Nëse nuk vëzhgon asgjë në këtë anë, mjeku shtyp arterien karotide të anës tjetër, gjithmonë duke vëzhguar me kujdes shpeshtësinë e ritmit. Normalisht, presioni mbi arterien karotide shkakton vetëm një ngadalësim të lehtë të ritmit të zemrës dhe pacienti ndjen vetëm një shtypje lehtësisht të pakëndshme në zonën e qafës. Nëse refleksi vagal është shumë i ndjeshëm, ritmi i zemrës ngadalësohet shumë dhe pacienti ndjen marrje mendsh. Përpara se të bjeri në sinkop, mjeku liron qafën nga presioni.
Kur përdoret testi i shtypjes së arterieve karotide?
Testi i shtypjes së arterieve karotide përdoret kryesisht për të diagnostikuar një pacient që referon për marrje mendsh ose humbje të ndjenjave, kur dyshohet një refleks vagal shumë i ndjeshëm i arterieve karotide në origjinën e tyre. Gjithashtu, ky ekzaminim shërben edhe për të dalluar disa forma të takikardisë (ritmit të shpejtë të zemrës) nga aritmitë e tjera të zemrës. Masazhi i sinusit karotid mund të përdoret edhe për trajtimin e takikardisë, pra për të ngadalësuar ritmin e zemrës kur ai është tepër i shpejtë.
A paraqet ky test rreziqe ose efekte të padëshiruara?
Nëse refleksi vagal është shumë i ndjeshëm, presioni mbi arterien karotide mund ta ngadalësojë ndjeshëm ritmin e zemrës dhe ndonjëherë edhe ta ndalojë atë për një kohë të shkurtër. Kjo mund të provokojë marrje mendsh, madje edhe humbje të ndjenjave në raste të rralla.