Tinitus (Zhurma në vesh)
Kontribuesit (Dr. med. Gerhard Emrich, Dr. med. Daniel Desalmand, Doris Zumbühl)
Më parë mendohej se tinitus (zhurma në vesh) shkaktohej nga një problem i furnizimit me gjak të veshit të brendshëm. Më pas, shkencëtarët zbuluan se ai nuk shfaqej në veshin e brendshëm, por në tru. Shkaqet e dëmtimit të përbërësve të nervit të dëgjimit janë të shumtë. Në varësi të dëmtimit, zhurma në vesh mund të jetë e përkohshme ose e qëndrueshme.
Në shfaqejen e tinitusit mund të ndikojnë situatat e mëposhtme:
- Çrregullimet e veshit të mesëm, ku përfshihen: grumbullimi i dyllit, trupat e huaj, shpimi i membranës timpanike, inflamacioni i tubit të Eustakit, etj.
- Çrregullimet e veshit të brendshëm, ku përfshihen: traumat e lidhura me dëgjimin (siç ndodh në rastin e diskotekave, kufjeve, udhëtimit me automjet me xhama të hapura), përdorimi i medikamenteve toksike.
- Prania e stresit
- Sëmundja Menier
- Shurdhimi i papritur
- Çrregullimet e dëgjimit të lidhura me moshën
- Ngurtësimi i kanalit të veshit (otoskleroza)
- Anomalitë e enëve të gjakut
- Prania e tumoreve në rrugët e dëgjimit
- Faktorët e jashtëm të lidhur me veshin, si problemet e apartatit lokomotor (nofulla, muskulatura e qafës, shtylla kurrizore), diabeti, presioni i gjakut shumë i lartë ose shumë i ulët (hipertensioni ose hipotensioni arterial).

Pacienti me tinitus (zhurmë në vesh) paraqet këto simptoma:
- Tinguj ose zhurma të ndryshme, të tipit fishkëllima ose zukatje
- Tingujt ose zhurmat mund të jenë të vazhdueshme, të ndërprera, të ndryshueshme, dhe me shpeshtësi të ndryshme.
- Shpesh ankon për ulje të dëgjimit
- Ndonjëherë pacienti paraqet marrje mendsh

Diagnoza e tinitus (zhurmës në vesh) përcaktohet nga mjeku specialist otojatër (ORL- otorinolaringolog), i cili bazohet në:
- Simptomat e pacientit dhe të dhënat e hollësishme rreth mënyrës dhe kohës së shfaqjes së tyre
- Egzaminimin e hollësishëm me sy të lirë të qafës, hundës dhe të veshëve
- Vlerësimin e saktë të shkallës së dëgjimit (audiometria)
- Kontrollin e ekuilibrit
- Përcaktimin e aftësisë së maskimit të zhurmës: pacienti dëgjon tinguj të ndryshëm dhe tregon kur ai nuk e dëgjon më zhurmën tipike.
- Analizat e gjakut
- Matjen e presionit të gjakut
- Rezonanca magnetike ose skaneri i kokës.

Trajtimi i tinitus (zhurmës në vesh) varet drejtpërdrejt nga forma e saj, nëse ajo është akute (e menjëhershme) apo kronike (e përsëritur, e shpeshtë).
Në rastin e zhurmës së veshit të formës akute (tinitus akut) rekomandohet:
- Ndihma e shpejtë dhe korrekte kundrejt pacientit. Sa më herët të mjekohet një tinitus, aq më të mëdha janë mundësitë për ta shëruar atë. Strategjia e trajtimit në këtë formë përfshin këshillimin psikologjik të shpejtë dhe trajtimin mjekësor. Vetëm në këtë mënyrë mund të evitohet shfaqja e formës kronike të tij.
- Trajtimi mjekësor konsiston në përdorimin e substancave që favorizojnë qarkullimin e gjakut, të vitaminave, kortizonit, të një medikamenti anestezik (me aftësi mpirëse) lokal ose terapia me oksigjen. Asnjë studim shkencor nuk jep informacion të plotë se cili trajtim është më efikas në këtë drejtim.
- Alternimi i periudhave të ngacmimit me ato të pushimit (qetësisë).
- Zhurma e veshit konsiderohet kronike kur nuk shfaqet forma akute e saj. Shërimi i kësaj forme është ende i pamundur në ditët e sotme.
Në rastin e zhurmës së veshit të formës kronike (tinitus kronik):
Shumë pacientë mund të jetojnë normalisht, megjithë problemin e tyre. Trajtimi nuk jep rezultat në 90% të rasteve.
Nëse prania e zhurmave në vesh ndikon negativisht në cilësinë e jetës së pacientit, është i nevojshëm angazhimi i stafit mjekësor për të menaxhuar problemin, dhe për të edukuar pacientin që të vetmenaxhojë situatën. Pikat më të rëndësishme të trajtimit konsiderohen: pranimi i këtyre zhurmave dhe lufta kundër frikës prej shfaqjes së tyre. Vetmenaxhimi i situatës konsiston në fokusimin më tepër tek ulja e shkallës së vlerësimit të zhurmës nga ana e pacientit, sesa tek vetë zhurma.