logo
Përgatitur dhe përshtatur nga sprechzimmer.ch.
Kontribuesit (Dr. med. Fritz GrossenbacherDoris ZumbühlDr. Yllka Themeli)
EKG e efortit (Prova ushtrimore): regjistrimi i aktivitetit elektrik të zemrës gjatë sforcimit fizik.
EKG e efortit (Prova ushtrimore): regjistrimi i aktivitetit elektrik të zemrës gjatë sforcimit fizik.

Çfarë është prova ushtrimore?

Prova ushtrimore është një ekzaminim i zemrës që realizohet gjatë sforcimit fizik, pra duke pedaluar në një biçikletë statike (ergometër) dhe duke regjistruar njëkohësisht EKG dhe presionin arterial. Përdoret për diagnozën dhe kontrollin e trajtimit të çrregullimeve të qarkullimit të gjakut në muskujt e zemrës, për shkak të ngushtimit të arterieve koronare (sëmundjeve koronare të zemrës, SKZ), të cilat nuk shfaqin shqetësim kur pacienti është në qetësi. Prova ushtrimore gjithashtu mund të përdoret për të vlerësuar performancën fizike të pacientëve me sëmundje të zemrës ose pacientëve të shëndetshëm.

Prova ushtrimore është një ekzaminim i shërbimit të kardiologjisë, mjekësisë interne si dhe sporteve mjekësore.

A është e nevojshme përgatitja e pacientit para ekzaminimit?

Prova ushtrimore mund të kryhet pa përgatitje paraprake.

Çfarë shpjegimi nevojitet para ekzaminimit?

Ka mjaft rëndësi të bëhet përjashtimi i sëmundjeve që do të rrezikonin kryerjen e provës ushtrimore. Këtu përfshihën hipertensioni arterial, infarkti akut i miokardit, insufiçienca kardiake e rëndë, sëmundjet e valvulave të zemrës dhe çrregullimet e ritmit të zemrës. Madje edhe një infeksion, një trombozë akute apo një emboli konsiderohen arsye të forta për të mos e kryer këtë ekzaminim.

Si kryhet prova ushtrimore?

  • Prova ushtrimore kryhet në një biçikletë statike (biçikletë-ergometër) dhe rrallë në pistë vrapimi
  • Rritet shpejtësia e pedalimit ose shpejtësia e pistës çdo dy minuta, gradualisht, sipas një protokolli të caktuar. Në të njëjtën kohë regjistrohet dhe monitorohet EKG, pulsi dhe presioni i gjakut.
  • Nëse është e mundur, ngarkesa ushtrimore rritet deri në kufijtë e kapacitetit fizik që toleron trupi i pacientit ose deri në kufirin maksimal të rrahjeve të zemrës që toleron pacienti, në varësi të moshës. Normalisht faza e provës zgjat rreth 15 minuta.
  • Pas provës ushtrimore, për disa minuta akoma, vazhdojnë të monitorohen  EKG, presioni arterial dhe pulsi për të parë nëse sistemi kardiovaskular u normalizua sërish.
  • Prova ushtrimore ndërpritet mënjëherë nëse në EKG evidentohen ndryshime patologjike apo referohen ankesa nga pacienti, si marrje mendsh, dhimbje në gjoks, marrje fryme ose rritje të presionit të gjakut apo rënie të menjëhershmë të tij.

Kur këshillohet kryerja e provës ushtrimore?

Prova  ushtrimore duhet të kryhet në rast të çrregullimeve të qarkullimit të gjakut në zemër, të cilat verifikohen vetëm me provë ushtrimore. Përveç kësaj, mund të kryhet edhe kontrolli i gjendjes se si reagojnë vlera të tilla, si presioni i gjakut dhe pulsi gjatë kryerjes së provës.

Shkaqet më të shpeshta për të kryer një ekzaminim të tillë janë:
  • Sëmundja koronare e zemrës (SKZ), angina pektoris (dhimbje në gjoks)
  • Matje e presionit arterial nën sforcim 
  • Çrregullimet e ritmit të zemrës nën provën ushtrimore
  • Vlerësimi i kapacitetit fizik nën sforcim pas një infarkti ose një ndërhyrjeje kirurgjikale në zemër
  • Matja e performancës fizike tek pacientët me sëmundje të zemrës
  • Matja e performancës fizike tek pacientët e shëndetshëm (në mjekësinë sportive)

A paraqet efekte të padëshiruara ky lloj ekzaminimi?

Incidentet e rënda gjatë provës ushtrimore janë të rralla, por nuk përjashtohen  plotësisht. Ajo mund të çojë në atak në zemër ose fibrilacion ventrikular. Prandaj, mjeku dhe stafi duhet të jenë të trajnuar dhe të pajisur me mjetet e duhura për të ndërhyrë në rast emergjencash (defibrilator, medikamente të urgjencës). Ekzaminimi është i rëndësishëm të kryhet edhe përkundrejt rrezikut që mbart, edhe pse ndërlikime të tilla si psh. shfaqja e një sëmundjeje të heshtur të zemrës, mund të ndodhin në çdo kohë gjatë provës ushtrimore. Për pasojë, stafi që asiston duhet të jetë mjaft vigjilent për të dhënë ndihmën e parë në rast se pacienti pëson ndonjë ndërlikim të paparashikuar.


Dr. med. Fritz Grossenbacher

Fritz Grossenbacher ka studiuar Mjekësi në Bern. Ai zotëron një master në Edukim Mjekësor (Medical Education) nga universitet e Bernës dhe Çikagos dhe një Çertifikatë në "Teaching Evidence based Medicine" nga Qendra e Mbretërisë së Bashkuar Cochrane në Oksford.

Doris Zumbühl

Doris Zumbühl është një asistente klinike e diplomuar në Mjekësi. Ajo ka kryer disa kurse trajnimi te avancuara në gazetari, IT dhe përpunim grafik.

Dr. Yllka Themeli

Yllka Themeli ka studiuar Mjekësi të përgjithshme në Tiranë. Është specializuar në Endokrinologji, fushë në të cilën ka kryer edhe studimet pasuniversitare, si Masterin dhe Doktoraturën. Prej 18 vitesh specialiste Endokrinologe dhe njëkohësisht Pedagoge në Universitetin e Mjekësisë së Tiranës.