logo
Përgatitur dhe përshtatur nga sprechzimmer.ch.
Kontribuesit (Dr. med. Fritz GrossenbacherDoris ZumbühlDr. Yllka Themeli)
Elementi qendror i ekzaminimit psikiatrik është intervista midis mjekut dhe pacientit
Elementi qendror i ekzaminimit psikiatrik është intervista midis mjekut dhe pacientit

Çfarë është ekzaminimi psikiatrik?

Ekzaminimi psikiatrik shërben për të sqaruar çrregullimet dhe sëmundjet psiqike (shpirtërore, të lidhura me ndjenjat). Këto mund të jenë çrregullime patologjike të ndjenjave, të humorit, të mendimeve, të kujtesës, të përvojës ose të sjelljes. Shkaqet mund të jenë psiqike ose fizike. Shkaqet psiqike përfshijnë përvojat jo të mira të tanishme dhe/ose të kaluara, ose konflikte të brendshme ose me persona të tjerë. Shkaqet fizike janë, për shembull, çrregullimet e metabolizmit të trurit, çrregullimet hormonale ose sëmundjet e gjendrës tiroide. Dhimbja kronike mund të ketë gjithashtu një ndikim negativ në aspektin psiqik.

Ekzaminimi psikiatrik i takon fushës së Psikiatrisë dhe Psikoterapisë.

A nevojitet ndonjë përgatitje e veçantë përpara një ekzaminimi psikiatrik?

Ekzaminimi psikiatrik mund të kryhet pa ndonjë përgatitje të veçantë paraprake.

Çfarë duhet të sqarohet përpara ekzaminimit psikiatrik?

Nuk nevojitet asnjë sqarim i veçantë përpara një ekzaminimi psikiatrik.

Si realizohet një ekzaminim psikiatrik?

Ekzaminimi psikiatrik përfshin intervistën, ekzaminimin fizik, analizat laboratorike (testet e gjakut dhe të urinës), teste të tjera të veçanta (p.sh. testimi i vëmendjes, testi ADHD) dhe nëse nevojitet, edhe ekzaminimi radiografik (p.sh. për të përjashtuar praninë e një tumori në tru). Elementi qendror i ekzaminimit psikiatrik është intervista midis mjekut dhe pacientit, si për diagnozën ashtu edhe për krijimin e një marrëdhënieje besimi ("marrëdhënia mjek-pacient"). Shpesh, intervista me të afërmit jep informacione të tjera të dobishme (informacione nga palët e treta).

Kur përdoret ekzaminimi psikiatrik?

Ekzaminimi psikiatrik përdoret për diagnozën dhe kontrollin në vazhdimësi të çrregullimeve dhe sëmundjeve psiqike. Megjithatë, ky ekzaminim është gjithashtu i dobishëm, si një ekzaminim plotësues, për shumë sëmundje fizike, pasi këto sëmundje kanë një ndikim negativ në aspektin psiqik. Për shembull, dhimbja kronike ka një ndikim të fortë psiqik dhe mund të çojë në depresion. Vetëm ekzaminimi plotësues psikiatrik mund të identifikojë ndikimin e çrregullimeve fizike në fushën psiqike dhe anasjelltas, në kuptimin e mjekësisë holistike (është një formë e shërimit që merr në konsideratë gjithë personin - trupin, mendjen, shpirtin dhe emocionet e tij). Kështu, nëse mjeku pyet pacientin si është gjendja psiqike e tij, kjo nuk do të thotë automatikisht se ai dyshon për një sëmundje psiqike.

Arsyet e shpeshta për kryerjen e një ekzaminimi psikiatrik janë:

A paraqet rreziqe apo efekte të dëmshme për pacientin ekzaminimi psikiatrik?

Ky ekzaminim nuk paraqet asnjë rrezik për pacientin. Ekzaminimet e tjera, si analizat laboratorike ose ekzaminimet radiografike, mund të shoqërohen me rreziqe të caktuara, të lidhura me proçedurën përkatëse.

Dr. med. Fritz Grossenbacher

Fritz Grossenbacher ka studiuar Mjekësi në Bern. Ai zotëron një master në Edukim Mjekësor (Medical Education) nga universitet e Bernës dhe Çikagos dhe një Çertifikatë në "Teaching Evidence based Medicine" nga Qendra e Mbretërisë së Bashkuar Cochrane në Oksford.

Doris Zumbühl

Doris Zumbühl është një asistente klinike e diplomuar në Mjekësi. Ajo ka kryer disa kurse trajnimi te avancuara në gazetari, IT dhe përpunim grafik.

Dr. Yllka Themeli

Yllka Themeli ka studiuar Mjekësi të përgjithshme në Tiranë. Është specializuar në Endokrinologji, fushë në të cilën ka kryer edhe studimet pasuniversitare, si Masterin dhe Doktoraturën. Prej 18 vitesh specialiste Endokrinologe dhe njëkohësisht Pedagoge në Universitetin e Mjekësisë së Tiranës.