logo
Përgatitur dhe përshtatur nga sprechzimmer.ch.
Kontribuesit (Dr. med. Fritz GrossenbacherDoris ZumbühlDr. Yllka Themeli)

Aksidenti vaskular cerebral (AVC) përfaqëson humbjen e shpejtë të funksionit të trurit, të shkaktuar nga çrregullimi i furnizimit me gjak të tij. Kjo situatë mund të jetë pasojë e një ishemie (mungese të furnizimit me gjak) të shkaktuar nga bllokimi i arterieve (tromboza, embolia arteriale) ose një hemorragji në këtë nivel.

AVC është një gjendje në të cilën qelizat cerebrale vdesin për shkak të mungesës së oksigjenit. Kjo mund të shkaktohet nga një bllokim në rrjedhjen e gjakut, ose nga çarja e një arterieje që furnizon me gjak trurin. Pacienti në mënyrë të menjëherëshme mund të humbasë aftësinë për të folur, mund të ketë probleme të kujtesës, ose mund të ketë paralizë të njërës anë të trupit.

AVC mund të jetë dy llojesh: AVC ishemik dhe AVC hemorragjik.

  • AVC ishemik llogaritet në rreth ¾ e të gjithë AVC-ve, dhe ndodh kur si rezultat i formimit të një koaguligjaku apo trombi bllokohet fluksi i gjakut në një pjesë të trurit. Një koagul gjaku i formuar në një pjesë të çfarëdoshme të organizmit, mund të  copëtohet (zakonisht nga fluksi i gjakut) në pjesëza më të vogla, që quhen embola. Ky tromb i paqëndrueshëm mund të transportohet nëpërmjet fluksit të gjakut drejt trurit, ku mund të shkaktojë një AVC ishemik.
  • AVC hemorragjik ndodh atëherë kur një enë gjaku në sipërfaqe të trurit çahet dhe kështu mbushet me gjak hapësira mes trurit dhe kafkës (hemorragjia subaraknoidale) ose kur një arterie defektoze në tru çahet dhe mbush me gjak indet rrethuese (hemorragjia cerebrale).
    Të dyja llojet e AVC-ve  rezultojnë në humbje të fluksit të gjakut në tru apo një grumbullim i gjakut që shton shumë presionin mbi indin cerebral.

Gjendja e pacientit pas një AVC-je varet nga koha kur ka ndodhur ai, si dhe nga fakti se cila dhe sa pjesë e trurit është dëmtuar. AVC-të e vogla mund të rezultojnë në probleme të vogla, si dobësi të një krahu apo një këmbe. AVC më të mëdha mund të çojnë në paraliza të rënda apo deri në vdekje. Shumë pacientë me AVC mund të mbeten me dobësi të njërës anë të trupit, vështirësi në të folur, inkontinencë urinare apo probleme të tjera të sfinkterave.

Kush preket nga AVC?

Çdokush mund të preket nga AVC. Megjithëse shumë faktorë risku janë të pakontrollueshëm, një numër i madh prej tyre mund të mbahen nën kontroll nëpërmjet mjekimit dhe ushqyerjes së kujdesshme. 

Faktorët e riskut për AVC përfshijnë:

Çfarë e shkakton AVC-në?

  • AVC-të ishemike shkaktohen nga një tromb apo embol që bllokon fluksin e gjakut në tru. Trombi zakonisht formohet në një zonë të arterieve që është dëmtuar nga ateroskleroza, nga një proçes i formimit të pllakës. Embolat e formuar nga trombet e gjakut zakonisht shkaktohen nga fibrilacioni atrial, që është një çrregullim i ritmit të zemrës, i cili çon në formimin e trombeve të gjakut dhe pakësim të fluksit të gjakut.
  • AVC-të hemorragjike mund të shkaktohen nga shifrat e larta e të pakontrolluara të presionit të gjakut, një traumë kraniale (në kokë) apo nga aneurizmat.
  • Hipertensioni arterial është shkaku më i shpeshtë i hemorragjisë cerebrale, si pasojë e çarjes së arterieve të vogla të trurit. Si pasojë e kësaj, qelizave cerebrale u pakësohet fluksi i gjakut dhe rritet në mënyrë të rrezikshme presioni intracerebral (brenda trurit).
  • Aneurizmat janë "qeska" jonormale të mbushura me gjak, që fryhen jashtë nga zonat e dobëta në paretin e një arterieje. Ato janë shkaqet më të shpeshta të hemorragjisë subaraknoidale. Nëse çahet një aneurizëm, gjaku shpërndahet në hapësirën midis sipërfaqeve të trurit dhe kafkës, dhe vazat cerebrale mund të ngushtohen (vazospazma). Zakonisht aneurizmat shkaktohen apo përkeqësohen nga hipertensioni arterial.
  • Më rrallë AVC hemorragjik mund të shkaktohet nga çarja e një malformacioni arterio - venoz (MAV). MAV është një lëmsh vazash gjaku me parete të holla.

Brenda pak minutash nga çrregullimet e fluksit cerebral, qelizat cerebrale fillojnë të vdesin e mund të bëhen të dukshme simptomat klinike. Është pikë shumë e rëndësishme të evidentohen sa më shpejt shenjat klinike, meqenëse për rekuperimin është vendimtar trajtimi i menjëhershëm.

Shenjat më të zakonshme përfshijnë:

  • Marrje mendsh, çrregullime të ecjes, çrregullime të ekuilibrit dhe koordinimit të lëvizjeve;
  • Çrregullime në të folur;
  • Mpirje, dobësi apo paraliza të njërës anë të trupit;
  • Çrregullime të shikimit me turbullim të pamjes, errësim të pamjes apo dyfishim të pamjes;
  • Dhimbje e fortë  koke me fillim të menjëhershëm

AVC-të minore (ose AVC-të e heshtura) mund të mos shkaktojnë ndonjë shenjë klinike të dukshme, por mund të shkaktojnë dëmtim të indit cerebral.

Një shenjë që mund të sugjerojë se mund të ndodhë një AVC është Ataku Ishemik Tranzitor (TIA) që përfaqëson një ndërprerje të përkohshme të fluksit të gjakut në një pjesë të trurit. Simptomat e TIA-s janë të ngjashme me ato të AVC-ve, por zgjasin për një periudhë me të shkurtër kohore, dhe nuk lënë dëmtime permanente evidente.

AVC është një urgjencë mjekësore, dhe kushdo që dyshohet se mund të ketë pësuar një AVC duhet të dërgohet sa më shpejt të jetë e mundur në spital, me qëllim që të kryhen sa më shpejt ekzaminimet e nevojshme, sidhe  të përcaktohet e kryhet sa më shpejt trajtimi korrekt për këtë situatë.

Ekzitojnë një sërë metodash ekzaminuese dhe eksploruese për të evidentuar faktorët e riskut për AVC-të, si dhe për të diagnostikuar një AVC aktiv.

Këtu përfshihen:

  • Vlerësimi i përgjithshëm fizik: - matja e presionit arterial, testet klinike dhe biokimike të gjakut për të përcaktuar nivelet e kolesterolit, nivelet e sheqerit në gjak dhe të aminoacideve.
  • Eko Dopler& nbsp;e vazave të qafës (arterieve karotide) - Eko Dopler e arterieve karotide në regjionin cervical, mund të na japi të dhëna përsa i përket pranisë së ndonjë stenoze apo trombi në këtë regjion.
  • Tomografia e kompjuterizuar (CT scan) - një imazh që mund të evidentojë aneurizmat, hemorragjitë, ose vazat jonormale brenda indit cerebral.
  • Rezonanca Magnetike (MRI) - imazh i gjeneruar nga një fushë magnetike, që evidenton dëmtimet indore cerebrale nga AVC.
  • Ekokardiografia - imazhi sonografik i zemrës dhe gjoksit për të evidentuar gjendjen strukturore dhe funksionale.

Qëllimi primar i trajtimit të AVC ishemik është rivendosja e fluksit të gjakut në tru. Kjo mund  të  realizohet duke përdorur preparate si: heparinë,   aspirinë apo aktivizues të plazminogjenit indor, i cili (ky i fundit) duhet të aplikohet brenda tre orëve të para. Veç këtyre, mund të kryhen proçedura kirurgjikale që mund të zhbllokojnë apo zgjerojnë arteriet. Këtu përfshihen endarterektomia karotidiene (heqja e pllakës aterosklerotike dhe zgjerim i arteries karotide) dhe angioplastika (zgjerimi me ballon i arteries karotide dhe vendosja e një stenti).
Në studime të shumta është arritur në konkluzionin se përdorimi i preparateve hypokolesterolemiantë (ulës të niveleve të kolesterolit në gjak), mund të parandalojë përsëritjen e AVC-së.

AVC hemorragjik trajtohet ndryshe nga AVC iskemik. Ndërhyrja kirurgjikale për trajtimin e këtij lloji të AVC-së, përfshin: klipimin e aneurizmave, embolizimin e aneurizmave dhe heqjen e MAV. Klipimi i aneurizmave ka të bëjë me vendosjen  e një klipi të vogël në bazë të aneurizmës, që e izolon  nga qarkullimi i arteries së lidhur me të, dhe mënjanon çarjen apo ri-rrjedhjen e kësaj aneurizme. Embolizimi i aneurizmës (coiling) përdor një kateter të vendosur në aneurizëm ku depozitohet një koil i hollë që mbush aneurizmën dhe e shkëput atë nga arteria ushqyese. Heqja e MAV-it është një proçedurë kirurgjikale për të hequr MAV-et e vegjël, apo MAV-et në zonat më të mundshme për t’u hequr, për të eleminuar në këtë mënyrë riskun e ruptures (çarjes) së tyre.

Shumica e pacientëve që kanë pësuar AVC, kanë nevojë për rehabilitim. Gjendja e pacientit në përgjithësi varet nga zona e prekur e trurit, dhe sasia e indit cerebral që është dëmtuar. Në proçesin e rehabilitimit duhet të përfshihen: terapia e të folurës, terapia okupacionale, fizioterapia dhe edukimi familjar.

Një mënyrë shumë e rëndësishme është identifikimi  dhe trajtimi adekuat i TIA-s apo AVC-së minor - që japin simptoma të ngjashme me AVC-në.  Njohja e simptomave të AVC-së mund të çojë në trajtim më të shpejtë, e si rrjedhim reagim më të mirë.

Faktorët thelbësorë për parandalimin e AVC-ve kanë të bëjnë me mënyrën e shëndetshme të jetesës.

Këtu përfshihen:

  • Monitorimi dhe trajtimi i HTA-së (hipertensionit arterial);
  • Evidentimi i prezencës së fibrilacionit atrial;
  • Ndërprerja e duhanit;
  • Kontrolli i niveleve të kolesterolit, natriumit dhe marrjes së yndyrave;
  • Dieta e shëndetshme dhe mesdhetare: psh. në disa studime është evidentuar se marrja e domates, e pasur me lycopene - antioksidant i fuqishëm, mund të reduktojë riskun për të ndodhur AVC (Neurology, October 2012).
  • Ndërprerja / reduktimi i alkoolit;
  • Trajtimi i saktë e i rregullt i diabetit të sheqerit;
  • Aktiviteti fizik i rregullt;
  • Menaxhimi dhe eleminimi i stresit;
  • Ndërprerja e drogave;
  • Përdorimi i medikamenteve antitrombocitare dhe antikoagulante për parandalimin e trombozës;
  • Përdorimi i medikamenteve hypolipemiante, që normalizojnë nivelin e yndyrnave në gjak.

Dr. med. Fritz Grossenbacher

Fritz Grossenbacher ka studiuar Mjekësi në Bern. Ai zotëron një master në Edukim Mjekësor (Medical Education) nga universitet e Bernës dhe Çikagos dhe një Çertifikatë në "Teaching Evidence based Medicine" nga Qendra e Mbretërisë së Bashkuar Cochrane në Oksford.

Doris Zumbühl

Doris Zumbühl është një asistente klinike e diplomuar në Mjekësi. Ajo ka kryer disa kurse trajnimi te avancuara në gazetari, IT dhe përpunim grafik.

Dr. Yllka Themeli

Yllka Themeli ka studiuar Mjekësi të përgjithshme në Tiranë. Është specializuar në Endokrinologji, fushë në të cilën ka kryer edhe studimet pasuniversitare, si Masterin dhe Doktoraturën. Prej 18 vitesh specialiste Endokrinologe dhe njëkohësisht Pedagoge në Universitetin e Mjekësisë së Tiranës.