Holter EKG (EKG e zgjatur, Holteri i ritmit)
Kontribuesit (Dr. med. Fritz Grossenbacher, Doris Zumbühl, Dr. Yllka Themeli)

Çfarë është Holter EKG?
Holter EKG shërben për të evidentuar çrregullimet e ritmit të zemrës, që janë të përkohshme dhe nuk mbeten të dukshme në EKG normale të qetësisë. Për këtë qëllim, ritmi i zemrës regjistrohet në vazhdimësi për 24 orë, me ndihmën e një aparati EKG (elektrokardiograme) të lëvizshëm, dhe më pas vlerësohet nga kompjuteri. Holter EKG mban emrin e shpikësit të tij, Norman J. Holter. Në rastet e çrregullimeve të ritmit që janë tepër të rralla, përdoret një «regjistrues ngjarjesh». Aparati i vogël vendoset në kraharor vetëm në rastet e simptomave korresponduese, dhe regjistrimi i ritmit të zemrës aktivizohet duke shtypur një buton.
Holter EKG është një ekzaminim i fushës së Kardiologjisë, që është degë e Mjekësisë së brendshme.
A kërkon ndonjë përgatitje të veçantë ky ekzaminim?
Holter EKG mund të realizohet pa përgatitje të veçanta.
Çfarë duhet të sqarohet përpara ekzaminimit?
Përveç përjashtimit të ndonjë alergjie të mundshme ndaj materialeve ngjitëse (që përdoren për elektrodat e EKG), asnjë sqarim tjetër nuk nevojitet.
Si realizohet Holter EKG?
Aparati regjistrues me madhësinë e një telefoni celular i vendoset pacientit për disa minuta në kabinetin e mjekut, për t’iu hequr përsëri të nesërmen. Ashtu si edhe në rastin e EKG së qetësisë, elektrodat ngjiten në kraharor. Aparati regjistrues mbahet për 24 orë në trup, me një rrip të varur rreth qafës ose të kapur tek rripi i pantallonave. Gjatë natës, ai mund të vendoset edhe nën jastëk. Gjatë periudhës së ekzaminimit, është e ndaluar larja e trupit në dush ose në vaskë. Përveç kësaj, pacienti mund të kryejë normalisht aktivitetet e përditshme. Pas heqjes së aparatit, të dhënat vlerësohen në kompjuter.
Kur përdoret Holter EKG?
Holter EKG përdoret për vlerësimin e natyrës dhe të shkallës së çrregullimeve të ritmit të zemrës, si dhe zbulimin e aritmive që shfaqen rrallë.
Arsyet e shpeshta për kryerjen e Holter EKG janë:
- Çrregullimet e ritmit të zemrës
- Takikardia, palpitacionet
- Marramendjet e përsëritura, humbjet e shkurtra të vetëdijes (sinkopet) ose krizat e dispnesë (vështirësisë në frymëmarrje) që mund të jenë të lidhura me probleme të zemrës.
- Kontrrolli i trajtimit pas vendosjes së një stimuluesi të zemrës (pejsmejker)
A paraqet Holter EKG rreziqe apo efekte të padëshiruara?
Ky ekzaminim është i padhimbshëm dhe i parrezikshëm. Në raste të rralla mund të shfaqet një skuqje në lëkurë, e shoqëruar me kruajtje, në zonën ku janë ngjitur elektrodat (alergji nga materialet ngjitëse).