Sëmundja e Parkinsonit
Kontribuesit (Dr. med. Gerhard Emrich, Dr. med. Daniel Desalmand, Doris Zumbühl)

Sëmundja e Parkinsonit është një sëmundje degjenerative e sistemit nervor. Gjatë kësaj sëmundjeje, qelizat nervore të disa zonave të trurit nekrotizohen dhe vdesin. Ky proçes shkakton çrregullime të koordinimit të lëvizjeve, me shfaqjen e simptomave tipike të sëmundjes, që janë: ngadalësimi i lëvizjeve, ngurtësim muskular dhe dridhje të trupit.
Sëmundja e Parkinsonit përfaqëson një nga sëmundjet më të shpeshta neurologjike. Ajo prek kryesisht personat mbi 60 vjeç, por mund të haset gjithashtu edhe në grupmosha më të reja. Pas fillimit të përdorimit të medikamenteve efikase për trajtimin e kësaj sëmundjeje, jetëgjatësia e këtyre pacientëve është përmirësuar shumë, madje ajo është e njëjtë me personat e shëndetshëm.
Sëmundja e Parkinsonit është përshkruar për herë të parë në vitin 1817, nga mjeku anglez Xheims Parkinson, prej të cilit mori edhe emrin.
Për arsye pothuajse gjithnjë të panjohura, në një zonë të kufizuar të trurit, pikërisht në brendësi të substancës së zezë (quhet e tillë sepse qelizat e kësaj zone të trurit përmbajnë një pigment të zi), shfaqet defiçit i dopaminës. Në raste më të rralla, sëmundja mund të shpërthehet nga sëmundje të tjera shoqëruese. Dopamina është një neurotransmetues, pra lëndë që ndërmjetëson transmetimin e impulsit në qelizat nervore. E shprehur më konkretisht, ajo transmeton komandat e sistemit nervor në muskuj dhe kontrollon zbatimin e mëtejshëm të lëvizjeve.
Faktorët e rrezikut që mund të provokojnë sëmundjen e Parkinsonit
Sëmundja e Parkinsonit nuk është e trashëgueshme. Në shfaqjen e saj duket se janë të përfshirë faktorë të ndryshëm, si:
- Traumat e përsëritura në zonën e kokës dhe të trurit (një shembull i njohur është ai i boksierit Muhamed Ali)
- Aksidentet cerebrale (trombozat cerebrale dhe hemorragjitë në tru e rritin shkallën e rrezikut për Parkinson)
- Helmimet, psh. nga monoksidi i karbonit ose Mangani
- Disa droga mund të provokojnë simptoma të ngjashme me ato të Parkinsonit
- Tumoret, inflamacionet (psh. meningiti)
- Disa medikamente të sistemit nervor qëndror, si neuroleptikët.
Simptomat kryesore të sëmundjes Parkinson shfaqen gjatë ekzekutimit dhe kontrollit të lëvizjeve:
- Dridhje të rëndësishme në gjendjen e qetësisë, ndryshe nga dridhjet joparkinsoniane, që shfaqen kryesisht gjatë lëvizjeve.
- Ngadalësimi i të gjitha lëvizjeve (bradikinezia), reflektimi tipik i së cilës është palëvizshmëria e krahëve gjatë ecjes
- Rigiditet (ngurtësim) i muskujve
Në një stad më të avancuar shfaqen edhe çrregullimet e ekuilibrit, që provokojnë rrëzimet e këtyre pacientëve.
Simptoma të tjera:
- Depresioni: personat e prekur nga Parkinsoni janë shpesh të trishtuar, të mbyllur në vetvete dhe të pashpresë. Studime të kohëve të fundit kanë treguar se depresioni mund të jetë, gjithashtu, paraprirës i një Parkinsoni.
- Çrregullime të lidhura me mekanizmat rregullues të sistemit kardio-vaskular (të zemrës dhe enëve të gjakut), me marrje mendsh dhe luhatje të tensionit arterial.
- Çrregullime të lidhura me proçesin e tretjes, si kapsllëku, urinimi i detyrueshëm dhe mosmbajtja e urinës.
- Episode djersitjeje
- Impotencë seksuale
- Çrregullime të gjumit

Qëllimi i trajtimit është t’i lejojë pacientit me Parkinson të ruajë pavarësinë e tij në jetën profesionale dhe familjare, të ruajë cilësinë e jetës së tij, dhe të trajtojë sëmundjet dhe ndërlikimet shoqëruese.
Masat e përgjithshme
Personave të diagnostikuar me Parkinson u rekomandohet:
- Ushtrimi i sporteve, si noti,vallzimi, ecja, vrapi.
- Praktikimi i ushtrimeve të muskulaturës në kushte shtëpie (për tendosjen e muskujve)
- Teknikat e relaksimit, si meditimi dhe joga.
- Fizioterapia
- Logopedia (rehabilitimi i të folurit)
- Ergoterapia (rehabilitimi i lëvizjeve))
- Mbështetja psiko-sociale
- Ushqyerje e ekuilibruar, me shumë lëngje, dhe regjim ushqimor të rekomanduar nga specialist dietolog.
- Prania e pajisjeve ndihmëse në shtëpi, ose strehimi në ambiente të specializuara për këtë kontigjent pacientësh
Medikamentet
Nuk egziston ende ndonjë medikament që të shërojë sëmundjen e Parkinsonit. Megjithatë, trajtimet aktuale mundësojnë frenimin e përparimit të mëtejshëm të sëmundjes. Të gjitha proçedurat e përdorura gjatë trajtimit synojnë lehtësimin e simptomave të pacientit.
Trajtimi me medikamente konsiston në kompensimin e mangësisë së dopaminës në nivelin e trurit. Për këtë qëllim, mund të përdoren këto medikamente:
- Përdorimi direkt i L-Dopa -s, që është një pararendës i dopaminës.
- Frenuesit e MAO-s ose të COMT-it, që janë enzima që bllokojnë metabolizmin e dopaminës
- Agonistët e dopaminës, që imitojnë veprimin e saj.
Përveç këtyre medikamenteve specifike, mund të jetë i nevojshëm edhe përdorimi i medikamenteve të tjera, për trajtimin e sëmundjeve shoqëruese:
- Antidepresantët, që nxisin gjumin
- Miorelaksantët (lëshuesit e muskujve)
Operacionet
Edhe në ditët e sotme kirurgjia nuk mundëson shërimin e sëmundjes së Parkinsonit. Gjithsesi, ajo lehtëson simptomat, nëpërmjet vendosjes së një peismejkeri të trurit, që nxit disa zona të trurit nëpërmjet ngacmimeve elektrike, proçes që mund të ketë ndikim pozitiv në përmirësimin e dridhjeve.
Kjo ndërhyrje kërkon mjekë të specializuar dhe realizohet në pak qendra mjeksore në botë.