logo
Përgatitur dhe përshtatur nga sprechzimmer.ch.
Kontribuesit (Dr. med. Fritz GrossenbacherDoris ZumbühlDr. Yllka Themeli)
Thyerja e qafës së femurit: për shembull për shkak të osteoporozës.
Thyerja e qafës së femurit: për shembull për shkak të osteoporozës.

Femuri është kocka e kofshës, koka e së cilës është e fiksuar në kyçin (artikulacionin) e legenit. Thyerja (fraktura) e qafës së femurit përfaqëson një çarje në afërsi të kyçit të legenit, ndërmjet kokës së femurit dhe pjesës kryesore të këtij të fundit.

Thyerja e qafës së femurit shfaqet shpesh tek personat e moshuar, pas një rrëzimi, gjatë të cilit pesha e trupit bie mbi legen. Këto tipe thyerjesh favorizohen nga prania e osteoporozës. Madje, kur osteoporoza është e theksuar, edhe një lëvizje e thjeshtë mund të mjaftojë për të shkaktuar krisje të kokës së femurit.

Tek pacientët më të rinj, thyerja e kokës së femurit ndodh më shpesh pas një goditjeje të fortë, si psh. gjatë një aksidenti me makinë ose gjatë ushtrimit të sportit të skive. Që të shkaktojë këtë lloj dëmtimi, shtypja mbi njërën këmbë duhet të jetë jashtëzakonisht e fortë.

Thyerja e qafës së femurit ka nevojë për ndërhyrje kirurgjikale në orët e para pas aksidentit, në mënyrë që të evitohet nekroza (dalja jashtë funksionit për shkak të mosfurnizimit me gjak) e një pjese ose të gjithë kokës së femurit.

 

Faktorët e rrezikut, që mund të favorizojnë rrëzimet tek personat e moshuar:

  • Ecja e pasigurt;
  • Çrregullimet e shikimit;
  • Çrregullimet e ekuilibrit (marrje mendsh);
  • Çrregullimet e vëmendjes (si psh. gjatë demencës senile);
  • Muskulatura e dobësuar, reflekset e ngadalshme;
  • Ulja e presionit të gjakut (siç ndodh p.sh., pas ngritjes së menjëhershme në këmbë)
  • Medikamente të ndryshme;
  • Rrethana të papërshtatshme (si p.sh. prania e pengesave, telave, pragut të derës, sipërfaqet e rrëshqitshme, lagështira, ndriçimi i dobët).

Shkaqet e thyerjes së qafës së femurit:

  • Rrëzimi mbi zonën e legenit tek personat e moshuar;
  • Osteoporoza
  • Shtypja me shumë forcë e zonës së legenit (gjatë një aksidenti me makinë ose gjatë ushtrimit të sportit të skive) tek personat e rinj.

Pacienti që ka pësuar thyerje të kokës së femurit (kockës së kofshës), paraqet këto simptoma:

  • Paaftësi për të kryer lëvizje të shpejta dhe të plota.
  • Dhimbje të forta në zonën e kofshës, aq sa nuk mund ta ngrejë dot këmbën e asaj ane.
  • Dhimbja shtohet në prekje.
  • Mund të konstatohet enjtje në anën e dëmtuar të legenit.
  • Sipas zonës së thyerjes, këmba mund të jetë shkurtuar dhe kthyer anash.
  • Në raste më të rralla, këmba nuk mund të kthehet anash dhe dhimbja mund të shfaqet në zonën e gjurit. Kjo situatë bën që, fillimisht, të mos dyshohet për thyerje të kokës së femurit.
  • Dëmtimet e enëve të gjakut dhe nervave konstatohen më tepër tek pacientët e rinj, zakonisht pas goditjeve të forta.

 

Thyerja e qafës së femurit: radiografia e legenit.
Thyerja e qafës së femurit: radiografia e legenit.

Për të diagnostikuar thyerjen e kokës së femurit (kockës së kofshës), mjeku specialist ortoped duhet:

  • Të informohet në mënyrë të detajuar rreth tipit të aksidentit, kohës dhe vendit të goditjes. Këto të dhëna, së bashku me moshën e pacientit e bëjnë mjekun të dyshojë për këtë diagnozë.
  • Për konfirmimin e diagnozës ndihmon kryerja e radiografive, skanerit (CT) dhe rezonancës magnetike të legenit. Kjo e fundit ndihmon për të përjashtuar dëmtime të tjera të kësaj zone.

 

Thyerja e qafës së femurit: fiksimi kirurgjikal është zakonisht i nevojshëm.
Thyerja e qafës së femurit: fiksimi kirurgjikal është zakonisht i nevojshëm.

Rrallë mund të ndodhë që një thyerje e qafës së femurit të stabilizohet plotësisht nëpërmjet trajtimit konservativ (pa operacion). Në pjesën më të madhe të rasteve është e nevojshme ndërhyrja kirurgjikale.

Trajtimi konservativ (pa operacion) konsiston në:

  • Qëndrimin në shtrat për 10-14 ditë;
  • Fiksimin e këmbës në pozicion të palëvizshëm;
  • Parandalimin e trombozave të mundshme;
  • Trajtimin për lehtësimin e frymëmarrjes (nëse është i nevojshëm);
  • Proçesin e riaftësimit (pas 2 ose 3 ditësh), fillimisht me kujdes, më pas me rritje progresive të ngarkesës mbi këmbën e dëmtuar për një periudhë 4 javore.

Medikamentet

Medikamentet e përdorura në këtë rast kanë për qëllim:

  • Parandalimin e trombozave të mundshme
  • Parandalimin e infeksioneve
  • Lehtësimin e dhimbjes (antialgjikët)

 

Operacionet

Tipet e ndërhyrjeve kirurgjikale

Zgjedhja e tipit të operacionit varet nga gjendja e përgjithshme shëndetsore e pacientit, nga dendësia kockore e tij dhe lokalizimi i thyerjes. Në të gjitha rastet, operacioni duhet të kryhet brenda 6 orëve të para pas aksidentit, pasi në të kundërt mund të ketë rrezik për nekrozë (dalje jashtë funksioni) të kokës së femurit.

  • Tipi I: Vendosja e një vide (osteosinteza), që mund të kryhet vetëm kur dendësia kockore është e mjaftueshme, pra kur pacienti nuk ka osteoporozë.
    Përparësitë e kësaj mënyre janë: operacioni është i shkurtër, dëmtimi i strukturave përreth është i vogël dhe koka e femurit (kyçi natyral i legenit) qëndron në vend.
    Mangësitë: egziston rreziku i një zhvendosjeje të thyerjes dhe formimi i një kyçi (artikulacioni) të rremë. Pas këtij operacioni, këmba nuk mund ta mbajë dot menjëherë peshën e trupit.
  • Tipi II: Vidhosja dinamike e legenit (me pllakë metalike dhe vidë), që konsiston në fiksimin e një pllake metalike në lartësinë e këmbës dhe vendosjen e një vide të trashë në kokën e femurit. Ky operacion mund të realizohet vetëm në personat me dendësi të mjaftueshme kockore, pra që nuk kanë osteoporozë.
    Përparësitë e kësaj mënyre janë: operacion është i shkurtër dhe koka e femurit (kyçi natyral i legenit) qëndron në vend.
    Mangësitë: mund të ndodhë zhvendosje e thyerjes. Mbajtja e peshës së plotë të trupit nuk është e mundur menjëherë. Egziston gjithashtu rreziku i nekrozës së kokës së femurit.
  • Tipi III: Kyçi artificial (proteza) e legenit, që kryhet tek pacientët e moshuar dhe që kanë dendësi kockore të ulur, pra kanë osteoporozë. Lidhur me këtë proçedurë, egzistojnë dy mundësi:
    Shtimi i një proteze të kokës së femurit mbi pjesën kryesore të tij, që rrëshqet në gropën natyrale të kyçit të legenit.
    Vendosja e një kyçi (artikulacioni) plotësisht artificial, të përbërë nga koka e femurit dhe gropa e legenit, pra një protezë totale.
    Përparësitë e kësaj mënyre janë: këmba mund ta përballojë peshën e trupit pak kohë pas operacionit. Rimëkëmbja e shpejtë e pacientit eviton qëndrimin e tij në shtrat për kohë të gjatë, duke pakësuar në këtë mënyrë rrezikun e ndërlikimeve, si pneumonia (inflamacioni i mushkërive), embolia pulmonare ose plagët në trup si pasojë e qëndrimit shtrirë.
    Mangësitë: operacioni është më i gjerë, me dëmtime të shprehura të strukturave përreth. Gjithashtu, me kalimin e kohës proteza e legenit mund të shfaqë probleme. Për pasojë, mund të bëhet i domosdoshëm një operacion i ri, për zëvendësimin e saj me një protezë të re.

Procedurat emergjente (ndihma e parë)

Në pothuajse të gjitha dëmtimet sportive, është e detyrueshme kryerja në mënyrë të menjëhershme e proçedurave të mëposhtme:

  • Pushimi - konsiston në ndalimin e menjëhershëm të aktivitetit sportiv përkatës
  • Akulli - vendosja e akullit në zonën e dëmtuar, gjithmonë nëse nuk ka plagë të hapur të dukshme.
  • Ngjeshja - realizohet nëpërmjet fashimit të zonës së dëmtuar, për të mos lejuar enjtjen lokale. Kujdes: zona e fashuar duhet kontrolluar rregullisht, për shkak të bllokimit të kalimit të gjakut në të!
  • Ngritja lart - Në rastin e dëmtimit të gjymtyrëve (krahët dhe këmbët), ngritja lart e tyre lehtëson kthimin e gjakut dhe eviton enjtjet e mundshme. Kujdes:Kjo proçedurë nuk duhet të kryhet tek personat që kanë humbur ndërgjegjen, as në rastet kur dyshohet për dëmtime në kokë, në shpatulla ose në shpinë. Në rast dyshimi, vendoset vetëm akull ose vendoset në gjendje qetësie gjymtyra e dëmtuar dhe njoftohet menjëherë mjeku ose shërbimi më i afërt i urgjencës.

 

Personat e moshuar pësojnë shpesh ndërlikime pas episodit të thyerjes së kokës së femurit (kockës së kofshës). Kjo vjen si pasojë e sëmundjeve të tjera të pranishme (p.sh. problemet kardio-vaskulare), të qëndrimit në shtrat për periudha të gjata kohore ose prej vetë traumës së legenit.

Ndërlikimet e mundshme gjatë ose pas operacionit:

  • Dëmtimet e enëve të gjakut, nervave ose tendineve;
  • Trombozat e venave të këmbës / Embolia e mushkërive;
  • Infeksionet;
  • Pneumonia (Inflamacioni i mushkërive);
  • Zhvendosja e thyerjes;
  • Përkeqësimi i pllakës metalike ose i protezës së legenit;
  • Formimi i një kyçi të rremë (pseudoartroza);
  • Dalja jashtë funksioni (nekroza) e kokës së femurit;
  • Probleme me shërimin e plagës;
  • Gjakderdhje.

Dr. med. Fritz Grossenbacher

Fritz Grossenbacher ka studiuar Mjekësi në Bern. Ai zotëron një master në Edukim Mjekësor (Medical Education) nga universitet e Bernës dhe Çikagos dhe një Çertifikatë në "Teaching Evidence based Medicine" nga Qendra e Mbretërisë së Bashkuar Cochrane në Oksford.

Doris Zumbühl

Doris Zumbühl është një asistente klinike e diplomuar në Mjekësi. Ajo ka kryer disa kurse trajnimi te avancuara në gazetari, IT dhe përpunim grafik.

Dr. Yllka Themeli

Yllka Themeli ka studiuar Mjekësi të përgjithshme në Tiranë. Është specializuar në Endokrinologji, fushë në të cilën ka kryer edhe studimet pasuniversitare, si Masterin dhe Doktoraturën. Prej 18 vitesh specialiste Endokrinologe dhe njëkohësisht Pedagoge në Universitetin e Mjekësisë së Tiranës.