Neurinoma akustike (Schwannoma, Schwannoma vestibulare, Tumori i këndit ponto-cerebelar)
Kontribuesit (Dr. med. Fritz Grossenbacher, Doris Zumbühl, Dr. Yllka Themeli)

Neurinoma akustike është një tumor beninj i trurit, që shkaktohet nga shtimi i qelizave të shtresës së mielinës të nervit vestibular, të quajtura qelizat Schwann. Nervi vestibular (nervi i ekuilibrit) formon së bashku me nervin koklear (nervi i dëgjimit) çiftin e tetë të nervave të kokës, që transmeton mesazhe nga sistemi vestibulo-koklear i veshit të brendshëm për në tru. Dikur mendohej se tumori kishte si pikënisje nervin e dëgjimit, nga ku edhe u emërtua "neurinoma akustike". Ky term është ruajtur për arsye historike, por emri i saktë mjekësor është "schwannoma vestibulare" (shkurt "schwannoma").
Në shumicën e rasteve, neurinoma akustike është e njëanshme. Në rastin e një sëmundjeje të rrallë gjenetike (defekt gjenetik në kromozomin 22) të quajtur "neurofibromatoza e tipit 2" ose "sëmundja Recklinghausen", neurinoma akustike është e dyanshme dhe shoqërohet nga tumore të tjera beninje të trurit (të quajtura "meningioma").
Neurinoma akustike është një nga tumoret më të zakonshme të trurit, por përgjithësisht rrallë shkakton shqetësime tek pacienti. Për këtë arsye, shpesh zbulohet rastësisht. Shumica e të sëmurëve diagnostikohen në moshën e mesme.
Kur shfaqen shenjat e sëmundjes, ato zakonisht vijnë në formën e një rënieje të ngadaltë të dëgjimit në anën e prekur. Pas kësaj, mund të shfaqet zhurma në veshë dhe çrregullimet e ekuilibrit. Si trajtim, praktikohet heqja kirurgjikale e tumorit, terapia me rrezatim (radioterapia), ose monitorimi pa kryer ndërhyrjen për shkak të rritjes së ngadaltë të tumorit.
Neurinoma akustike rritet shumë ngadalë dhe prandaj nuk shkakton probleme për shumë vite, ose shkakton vetëm çrregullime të lehta. Tumori quhet "i mirë" (beninj), sepse evolucioni i tij nuk është shkatërrues për indet që e rrethojnë, dhe sepse nuk lëshon metastaza, pra nuk përhapet në organe të tjera. Megjithatë, në raste të rritjes së rëndësishme të vëllimit të tij, mund të ketë pasoja që paraqesin rrezik për jetën.
Simptoma e parë më e zakonshme e neurinomës akustike është rënia progresive e aftësisë së dëgjimit (humbja e dëgjimit) në anën e prekur. Shurdhimi i menjëhershëm është i rrallë.
Simptoma të tjera të mundshme
- Zhurma në vesh
- Marramendja, çrregullime të ekuilibrit
- Më rrallë: ndjenja e mpirjes, paralizës ose dhimbjes në gjysmën e fytyrës së anës së prekur, për shkak të dëmtimit të dy nervave të mëdhenj të fytyrës (nervi facial dhe nervi trigeminal).
- Çrregullime të qarkullimit të lëngut truno-shpinor, në rastet e një neurinome akustike shumë të madhe. Mbajtja e lëngjeve mund të shkaktojë hipertension brenda kafkës, që mund të rrezikojë jetën e pacientit.
Diagnoza e një neurinome akustike vendoset nga mjeku specialist ORL (otorinolaringolog), duke u bazuar tek:
- Intervista e detajuar me pacientin, me përshkrim të saktë të çrregullimeve të tij.
- Ekzaminimi i veshit: duke përdorur një spekulum për veshin dhe otoskop, pjesët e dukshme të veshit inspektohen për një shkak të mundshëm të humbjes së dëgjimit (p.sh. trup i huaj në vesh, dyll i tepërt, inflamacion)
- Testi i dëgjimit (audiometria)
- Testi i ekuilibrit
- Audiometria e trungut të trurit: një test i aftësisë së dëgjimit, që realizohet duke matur rrymat elektrike (sinjalet akustike) të drejtuara në koren dëgjimore të trurit nëpërmjet nervit të dëgjimit. Kështu, mund të përcaktohet saktësisht zona e humbjes së aftësisë së dëgjimit. Sinjalet maten duke përdorur elektroda matëse, që vendosen në lëkurën e kokës.
- Ekzaminimet imazherike: Rezonanca Magnetike (MRI) e kokës.
Trajtimi i një neurinome akustike varet nga vëllimi i tumorit dhe shkalla e çrregullimeve të shkaktuara prej tij. Trajtimi i hershëm ofron mundësi shumë të mira shërimi të plotë.
Monitorimi pa ndërhyrje kirurgjikale
Nëse neurinoma akustike është e vogël dhe nuk shkakton asnjë problem, në të shumtën e rasteve është e mundur, fillimisht, të pritet. Madhësia dhe shkalla e rritjes së tumorit monitorohen çdo 6 muaj me rezonancë magnetike. Në shumë raste, rritja e tumorit ndalet. Gjithashtu i mundshëm është edhe zvogëlimi spontan i tumorit.
Ndërhyrja kirurgjikale
Kur është e mundur, një neurinomë akustike që rritet në madhësi, hiqet nëpërmjet ndërhyrjes kirurgjikale. Tumoret e pranishme në kanalin e veshit hiqen nga specialisti ORL (otorinolaringolog), ndërsa tumoret më të mëdha dhe ato më afër trurit operohen nga neurokirurgu.
Radioterapia
Në rastet kur operacioni është i pamundur, një alternativë e mundshme konsiderohet radioterapia, e cila mund ta ndalojë rritjen e tumorit. Gjithsesi, meqenëse tumori nuk është hequr, ekziston gjithmonë mundësia e një zmadhimi të tij pas disa vitesh.