Hiperventilimi (Hiperventilimi psikogjen, Përshpejtimi i frymëshkëmbimit, Sindromi i hiperventilimit)
Kontribuesit (Dr. med. Fritz Grossenbacher, Doris Zumbühl, Dr. Yllka Themeli)

Hiperventilimi është një respiracion (frymëshkëmbim) i përshpejtuar, më shpesh i shkaktuar nga çrregullime psiqike, të tilla si nervozizmi, frika, ankthi ose stresi. Në të tilla raste, mjeku flet për hiperventilim psikogjen ose për sindromën e hiperventilimit, e cila është më e shpeshtë tek femrat në moshë të re.
Gjatë një krize hiperventilimi, pacienti merr frymë shpejt por thellë, duke patur ndjesinë që nuk arrin të mbushet me frymë. Frika se po mbytet çon në një frymëshkëmbim të axhituar, që e rëndon situatën, duke e futur pacientin në një rreth të mbyllur, nga i cili është e vështirë të dalë vetë.
Hiperventilimi psikogjen perceptohet si një situatë kërcënuese për pacientin që e vuan, edhe nëse ajo është e rreme. Në rastet më të rralla dhe më të rënda mund të shkaktojë një gjendje sinkopale të shkurtër.
Ky frymëshkëmbim i shpejtë shkakton thithjen e një sasie më të madhe të oksigjenit (O2 ) dhe daljen e një sasie shumë të madhe të dioksidit të karbonit. Kështu, niveli i oksigjenit dhe dioksidit të karbonit në gjak është i pabalancuar. Nëse ky çekuilibër vazhdon, niveli i kalciumit në gjak po ashtu ulet, duke çuar në eksitim të lartë të neuroneve, që reflektohet me mpirje të gishtave dhe spazma të muskujve.
Gjatë sindromës së hiperventilimit mund të shfaqet një ose më shumë nga çrregullimet e mëposhtme:
- Frymëshkëmbimi i axhituar, i përshpejtuar dhe i thellë
- Ndjesia e mosmbushjes me frymë, e mbytjes
- Nervozizmi i shprehur, dridhjet, ankthi, frika
- Mpirja e gishtave dhe e zonës rreth gojës
- Spazma, veçanërisht të duarve ("dora e obstetrit")
- Palpitacione dhe takikardi
- Djersitje
- Marrje mendsh, errësim i pamjes, dobësi trupore, rrallë gjendje sinkopi.
Hiperventilimi i shoqëruar nga një dispne reale mund të shfaqet edhe në sëmundje fizike, të tilla si ato të zemrës dhe të mushkërive (shih "simptoma: dispnea"). Në këtë material trajtohet vetëm hiperventilimi psikogjen
Faktorët shpërthyes të një hiperventilimi psikogjen janë frika, nervozizmi, stresi, ankthi, agresiviteti ose situata të tjera të karakterizuara nga mbingarkesa emocionale, si:
- Çrregullimet e ankthit
- Krizat e panikut
- Fobitë
- Stresi
- Çrregullimet e personalitetit
Në të tilla situata mund të ndihmojnë masat e mëposhtme:
- Ruani qetësinë kur shfaqen shenjat e para të një hiperventilimi/kujdesuni për personin që shfaq shenjat e para të hiperventilimit
- Është e rëndësishme të normalizoni frymëshkëmbimin: merrni frymë ngadalë me hundë dhe nxirreni përsëri me hundë. Mos harroni që hiperventilimi nuk është i rëndë dhe që simptomat zhduken shpejt, sa më shpejt që ju të merrni frymë normalisht.
- Merrni frymë në një qese letre: frymëshkëmbimi kryhet për disa minuta në një qese letre jo shumë të madhe, të vendosur mbi gojën dhe hundën e pacientit. Në rastin më të keq, edhe pëllëmba e dorës e përkulur mund të mjaftojë për këtë proçes. Në këtë mënyrë, sasia e tepërt e dioksidit të karbonit që del mund të rithithet, duke lehtësuar simptomat.
Kujdes: kjo metodë është e autorizuar vetëm për rastet me hiperventilim psikogjen. Nëse dispnea ka një shkak fizik, (psh. krizë astme ose insufiçiencë kardiake), frymëshkëmbimi në një qese letre vetëm mund ta përkeqësojë situatën. - Nëse këto masa nuk rezultojnë efikase, duhet njoftuar patjetër një mjek për të aplikuar një qetësues.
- Aplikimi afatgjatë i teknikave të relaksimit ose të frymëshkëmbimit mund të ndihmojë në parandalimin e krizave të hiperventilimit
- Në rastet e krizave të përsëritura të hiperventilimit, të lidhura me krizat e panikut, mund të jetë e dobishme psikoterapia.
Me cilin mjek duhet të konsultoheni?
- Mjeku i familjes (i përgjithshëm)
- Mjeku i urgjencës
- Mjeku psikiatër / Psikoterapisti
Hiperventilimi psikogjen është përgjithësisht i lehtë për t’u menaxhuar, duke e siguruar pacientin për natyrën beninje të këtij çrregullimi. Në raste të rënda, mjeku mund të kryejë një ri-frymëmarrje përmes një maske në hundë ose në gojë (shih rubrikën "Si duhet të veproni?"). Në disa raste mund të administrohet një qetësues.
Gjatë krizave të përsëritura të hiperventilimit, rekomandohen ushtrimet e relaksimit dhe të kontrrollit të frymëshkëmbimit, që i ndihmojnë pacientët të qetësohen gjatë shenjave të para të një krize. Nëse në origjinën e krizave është një çrregullim psiqik (psh. çrregullimet e ankthit ose fobitë), mund të rezultojë e dobishme psikoterapia.