logo
Përgatitur dhe përshtatur nga sprechzimmer.ch.
Kontribuesit (Dr. med. Fritz GrossenbacherDoris ZumbühlDr. Yllka Themeli)
Sindromi Tourette: tike motorike ose verbale për shkak të çrregullimit të pjekurisë së trurit.
Sindromi Tourette: tike motorike ose verbale për shkak të çrregullimit të pjekurisë së trurit.

Sindroma e tikut nervor karakterizohet nga shfaqja e tikeve zanore dhe motore. Tiket motore janë lëvizje të papritura, të menjëhershme dhe të pavullnetshme, të kryera gjithmonë në të njëjtën mënyrë. Për të vendosur diagnozën e tikut motor, pacienti duhet të paraqesë të paktën dy tike motore dhe një tik zanor.

Kjo sëmundje është njohur qysh në kohën e Greqisë së lashtë, ku shfaqja e tikeve nervore konsiderohej si shprehje e vullnetit të perëndive. Kjo sëmundje mori emrin e neurologut George Gilles de la Tourette, që e diferencoi këtë sëmundje nga epilepsia në vitin 1885. Sëmundja fillon përgjithësisht në moshën 7 vjeçare, dhe në të gjitha rastet, përpara moshës 21 vjeç. Për arsye që ende nuk dihen plotësisht, ky fenomen është 10 herë më i shpeshtë tek meshkujt sesa tek femrat.

Shkalla e zhvillimit të sëmundjes së tikut nervor përcaktohet duke u bazuar në një klasifikim standart, të emërtuar SRST (shkalla e rëndësisë së sindromit Turet) në të cilën vlerësohet sjellja e pacientit në shtëpi dhe në shkollë, shpeshtësia e tikeve dhe ndikimi i tyre mbi cilësinë e jetës së tij. Duke u bazuar në këto të dhëna, kjo sëmundje klasifikohet në disa forma, që janë:

  • Forma e lehtë: Tiku nuk ndikon në sjelljen e pacientit ndaj personave të tjerë. Ai nuk dallohet nga vetë pacienti, por nga personat përreth tij. Nuk është problematik dhe nuk ka nevojë për trajtim.
  • Forma mesatare: Tiku nervor dallohet nga personat përreth dhe është problematik. Ai pengon kryerjen e disa aktiviteteve dhe paraqet vështirësi në mbarëvajtjen e fëmijës në shkollë.
  • Forma e rëndë: Tiket janë të theksuara, aq sa ndikojnë në marrëdhëniet e pacientit me të tjerët dhe në rendimentin e tij në shkollë. Në pjesën më të madhe të rasteve, nevojitet fillimi i trajtimit.

Sëmundjet shoqëruese

Sëmundja e tikut nervor shoqërohet nga disa sëmundje të tjera, si:

  • sindroma e çrregullimit të hiperaktivitetit (aktivitet i shtuar) me ulje të përqëndrimit (SHAD) në 50-75% e pacientëve.
  • çrregullime obsessive (mani, ide fikse), në 30-65% të rasteve
  • vështirësi gjatë proçesit të të mësuarit, në 23-24% të rasteve
  • ankth, në 19% të rasteve
  • çrregullime të gjumit, në 14-26% të rasteve
  • tendenca për vetëgjymtim, në 14-26% të rasteve
  • depresion

Ndikimet e sëmundjes

Prindërit e fëmijëve të diagnostikuar me sëmundjen e tikut nervor ushtrojnë shpesh një presion psikologjik të pavullnetshëm mbi fëmijën e tyre. Ata shpesh vuajnë më shumë se fëmija dhe do të jepnin gjithçka që këto tike t’i largonin. Përgjithësisht ndodh e kundërta, kur gjithnjë e më shumë fëmija i tyre përballet me situata të vështira, që nxisin shfaqjen e tikut nervor. Pra, bëhet fjalë për një rreth të mbyllur.

Për fëmijët e sëmurë është shumë e rëndësishme ta dinë që janë të pranuar nga të tjerët, megjithëse shfaqin tike nervore. Në përgjithësi, me kalimin e viteve, pacientët mësojnë teknika që ua lehtësojnë jetën. Për këtë qëllim, krijimi i një ambienti relaksues për ta është mjaft i rëndësishëm.
 
Fëmijët që shfaqin tike nervore nuk kanë asnjë vonesë në zhvillimin mendor, por hasin vështirësi në proçesin e të mësuarit, të shkruarit dhe në marëdhëniet me shokët e klasës. Gjithashtu, shumë fëmijë me sëmundjen e tikut nervor vuajnë edhe nga sindroma e çrregullimit të hiperaktivitetit, me ulje të përqëndrimit.

 

 

Në pacientët me sëmundjen e tikut nervor, mendohet që kontrolli i trurit mbi lëvizjet është çrregulluar për shkak të një çrregullimi të pjekjes së tij. Studimet kanë treguar që tek pacientët me këtë sëmundje, formimi dhe furnizimi me gjak i zonave korresponduese të trurit ishte i ndryshëm nga ato të njerëzve të shëndetshëm. Dopamina, një neurotransmetues që përgjigjet për transmetimin e informacioneve, duket se luan rol të rëndësishëm në zhvillimin e sëmundjes së tikut nervor. Gjithsesi, mekanizmat e saktë që janë në origjinën e kësaj sëmundjeje ende nuk janë plotësisht të qarta.

Edhe defekti gjenetik përgjegjës për këtë sëmundje nuk është identifikuar ende. Gjithsesi, është e qartë që një person i rritur i diagnostikuar me sëmundjen e tikut nervor ka një mundësi 50% për të transmetuar sëmundjen tek fëmijët e tij, me një shkallë të ndryshme të saj, në varësi të gjinisë së fëmijës. Kështu, sëmundja është 4 herë më e shpeshtë tek fëmijët meshkuj të personave të prekur nga kjo sëmundje krahasuar me vajzat e tyre. Është interesant fakti që vetëm 10% e fëmijëve që janë të predispozuar gjenetikisht (që e kanë trashëguar) paraqesin simptoma klinike të rëndësishme, të mjaftueshme për t’u konsideruar si të sëmurë me tik nervor.

 

Në 90% të rasteve, shenjat e para të sëmundjes shfaqen përpara moshës 11 vjeç dhe më shpesh, ndërmjet moshës 4 dhe 7 vjeç. Tek pothuajse gjysma e e personave të prekur, tiket nervore shtohen progresivisht dhe arrijnë pikën e tyre kulmore ndërmjet pubertetit dhe moshës 26 vjeç. Tek disa persona, tiket nervore zhduken plotësisht. Në pjesën më të madhe të pacientëve (70%), ato shfaqen shumë rrallë në moshën e rritur.

Situatat stresuese mund të favorizojnë shfaqjen e tikut nervor, por edhe periudhat e relaksimit mund ta theksojnë atë. Tiket nervore mund të ndalojnë për një çast, pra të zhduken, dhe më pas të rishfaqen papritur. Prindërit ose të afërmit e pacientëve dyshojnë shpesh për shkaqe psikologjike.

Diagnoza e tikut nervor bazohet mbi simptomat dhe ecurinë e sëmundjes. Fillimisht ajo duhet të diferencohet nga çrregullime të tjera të lëvizjes.

Në ditët e sotme, nuk egziston asnjë test (analizë gjaku, test neurologjik ose psikologjik), që të mundësojë konfirmimin e kësaj sëmundjeje. Diagnoza e saj vendoset vetëm pasi përjashtohen sëmundjet e tjera, nëpërmejt kryerjes së EEG (elektroencefalogramës) që përjashton një epilepsi, dhe nga egzaminime të tjera mjekësore. Pyetësorët e shkallëve të vlerësimit u lejojnë mjekëve të përcaktojnë formën dhe shkallën e rëndësisë së sëmundjes.

Nuk egziston ende ndonjë trajtim specifik për sëmundjen e tikut nervor. Cilësia e jetës së pjesës më të madhe të pacientëve me këtë sëmundje nuk dëmtohet në mënyrë të rëndësishme. Në këto raste, nuk është i nevojshëm asnjë trajtim mjekësor medikamentoz.

Edukimi i relaksimit: teknikat relaksuese, si joga dhe terapitë e sjelljes, mund të ndihmojnë në uljen e reagimeve negative ndaj stresit dhe në kontrollin më të mirë të tikeve nervore. 

Toksina botulinike (botoksi), që shkakton paraliza muskulare, aktualisht është ende në studim. Ky medikament konsiderohet efikas për trajtimin e tikeve nervore të fytyrës dhe të kokës. Injeksionet e tij duhet të përsëriten rregullisht, pasi veprimi është i kufizuar për një periudhë kohore prej 3-4 muajsh..

 

Medikamentet

Nëse del nevoja e një trajtimi medikamentoz, mund të përdoren medikamente të ndryshme. Përzgjedhja e tyre varet nga veçoritë e pacientit dhe të simptomave që ai paraqet. Ky trajtim është tepër delikat, pasi fëmijët me këtë sëmundje reagojnë në mënyra të ndryshme ndaj medikamenteve. Për pasojë, edhe doza e tyre duhet të përshtatet për çdo pacient.

Në rastet e tikut të theksuar ose tendencës për vetëgjymtim, mund të jenë të nevojshëm kundërshtuesit e dopaminës (neuroleptikët). Këto medikamente bllokojnë sistemet e trajtimit të informacionit në nivelin e trurit, që kanë ndërmjetës dopaminën. Disa studime kanë treguar efikasitetin e neuroleptikëve atipikë. Edhe substanca të tjera kanë rezultuar efikase në trajtimin e sindromës së çrregullimit të hiperaktivitetit me ulje të përqëndrimit.

Gjithsesi, pjesa më e madhe e medikamenteve shkaktojnë efekte të padëshiruara si lodhja, shtimi i oreksit dhe shtimi i peshës trupore, marrje mendsh, ulje të përqëndrimit ose ngurtësim muskulor.

Operacionet

Ndërhyrjet kirurgjikale janë rrallë efikase: ndërhyrjet kirurgjikale specifike në nivelin e trurit rekomandohen vetëm në rastet ekstreme, kur pacienti nuk përgjigjet më ndaj trajtimit me medikamente. Gjithsesi, kirurgjia arrin t’i pakësojë simptomat vetëm në disa raste të izoluara.

Dr. med. Fritz Grossenbacher

Fritz Grossenbacher ka studiuar Mjekësi në Bern. Ai zotëron një master në Edukim Mjekësor (Medical Education) nga universitet e Bernës dhe Çikagos dhe një Çertifikatë në "Teaching Evidence based Medicine" nga Qendra e Mbretërisë së Bashkuar Cochrane në Oksford.

Doris Zumbühl

Doris Zumbühl është një asistente klinike e diplomuar në Mjekësi. Ajo ka kryer disa kurse trajnimi te avancuara në gazetari, IT dhe përpunim grafik.

Dr. Yllka Themeli

Yllka Themeli ka studiuar Mjekësi të përgjithshme në Tiranë. Është specializuar në Endokrinologji, fushë në të cilën ka kryer edhe studimet pasuniversitare, si Masterin dhe Doktoraturën. Prej 18 vitesh specialiste Endokrinologe dhe njëkohësisht Pedagoge në Universitetin e Mjekësisë së Tiranës.