logo
Përgatitur dhe përshtatur nga sprechzimmer.ch.
Kontribuesit (Dr. med. Fritz GrossenbacherDoris ZumbühlDr. Yllka Themeli)
Pneumotoraksi: kur ajri depërton në hapësirën midis mushkërive.
Pneumotoraksi: kur ajri depërton në hapësirën midis mushkërive.

Pleura është një strukturë e përbërë nga dy fletë: pleura parietale, që vesh nga brenda kafazin e kraharorit, dhe pleura viscerale, që mbulon faqen e jashtme të mushkërive. Këto dy fletë formojnë ndërmjet tyre hapësirën pleurale, në të cilën gjendet një sasi likidi.

Gjatë frymëmarrjes, vëllimi i kafazit të kraharorit rritet dhe ai shtyp në mënyrë pasive mushkërinë. Nëse ajri depërton në hapësirën ndërmjet pleurës viscerale dhe asaj parietale, pra në hapësirën pleurale, bëhet fjalë për pneumotoraks. Në këtë rast vëllimi i mushkërisë zvogëlohet dhe ajo nuk arrin të kryejë plotësisht shkëmbimin e gazeve
 
Pneumotoraksi prek një në çdo 10 000 persona. Më shpesh preken meshkujt, kryesisht personat e hollë dhe të gjatë. Episodi i parë i pneumotoraksit shfaqet përgjithësisht në moshën nga 10-30 vjeç.

Njihet forma parësore dhe ajo dytësore e pneumotoraksit.

Në formën parësore të tij, indi i mushkërive është i shëndetshëm. Në pjesën më të madhe të rasteve konstatohen fllucka të vogla në sipërfaqen e mushkërisë. Këto fllucka shpërthejnë, duke shërbyer si një urë kalimi për ajrin, nga sistemi i rrugëve të frymëshkëmbimit drejt hapësirës pleurale. Dihet që duhanpirësit preken më shpesh nga pneumotoraksi parësor sesa pjesa tjetër e popullatës.

Pneumotoraksi konsiderohet dytësor kur ai është favorizuar nga një dëmtim tjetër paraegzistues i mushkërive, që mund të jetë një sëmundje obstuktive kronike (BPOK), tumor i mushkërive, emfizemë e mushkërisë, si dhe mukoviscidoza. Pneumotoraksi mund të shkaktohet edhe nga sforcimi fizik, nga kollitja ose teshtitja, por ai mund të shfaqet edhe në mënyrë spontane.

Gjithashtu, ajri mund të depërtojë në hapësirën pleurale edhe në rastet e dëmtimeve. Kështu, në vendin e dëmtimit ajri depërton në këtë hapësirë, dhe burgoset aty, duke mos patur mundësi që të dalë. Presioni vazhdon të rritet, duke shtypur mushkërinë dhe duke penguar gjakun që të shkojë drejt zemrës. Në këto raste bëhet fjalë për pneumotoraksin nën presion, ku jeta e pacientit është në rrezik (urgjencë mjekësore!). Për këtë arsye është mjaft e rëndësishme t’i jepet ndihma mjekësore sa më shpejt që të jetë e mundur.

Pneumotoraksi mund të shkaktohet edhe gjatë kryerjes së proçedurës së marrjes së materialit në mushkëri për egzaminim mikroskopik (kryerja e punksionit dhe biopsisë).

Personi me pneumotoraks (ajër në kraharor) paraqet këto simptoma:

  • Dhimbje të menjëhershme në kraharor, të lidhura me frymëshkëmbimin.
  • Vështirësi në frymëmarrje
  • Kollë munduese
  • Një ndjesi të çuditshme dhe të pakëndshme në nivelin e kraharorit.
  • Ndonjëherë, nxjerrjen e sasive të vogla të gjakut gjatë kollitjes.
  • Rëndim i simptomave të sëmundjes kryesore, në rastin e pneumotoraksit dytësor.
  • Në rastin e pneumotoraksit nën presion, mund të shfaqen edhe simptomat e mëposhtme: rrahje të shpejta të zemrës (mbi 120 rrahje/minutë), Vështirësi në frymëmarrje që rëndohet me kalimin e kohës, ulje e tensionit arterial që shoqërohet me marrje mendsh dhe humbje të vetëdijes (urgjencë absolute mjekësore!).

 

Pneumotoraksi: radiografia e kraharorit.
Pneumotoraksi: radiografia e kraharorit.

Diagnoza e pneumotoraksit (ajrit të futur në kraharor) vendoset nga mjeku specialist pneumolog, duke u bazuar në:

  • Historinë mjekësore personale të pacientit, pasi episode të tilla mund të kenë ndodhur edhe më parë (pneumotoraksi i përsëritur).
  • Egzaminimin fizik të pacientit, kryesisht nëpërmjet perkusionit (trokitjes me gisht) dhe dëgjimit me stetoskop në kraharor (auskultacioni).
  • Radiografinë e kafazit të kraharorit (toraksit), që bën edhe konfirmimin e diagnozës së pneumotoraksit.

 

Pneumotoraksi: trajtimi zhvillohet në spital.
Pneumotoraksi: trajtimi zhvillohet në spital.

Qëllimi i trajtimit të pneumotoraksit (futjes së ajrit në kraharor) është të nxjerrë ajrin nga hapësira pleurale, por veçanërisht të evitojë një përsëritje të fenomenit. Në rastet me pneumotoraks nën presion, veprimi i parë është shpëtimi i jetës së pacientit, nëpërmjet futjes së një kanjule.

Pneumotoraksi i lehtë shkakton pak ose aspak simptoma

Nëse në hapësirën pleurale është futur shumë pak ajër, pneumotoraksi mund të përthithet (shërohet) spontanisht, pa patur nevojë për trajtim specifik. Gjithsesi, edhe në këto raste rekomandohen kontrolle të rregullta tek mjeku specialist pneumolog, në poliklinikë ose në spital. Në kushte spitalore, proçesi i përthithjes mund të përshpejtohet nëpërmjet terapisë me oksigjen. Pneumotoraksi dytësor duhet të trajtohet gjithmonë në kushte spitalore.

Pneumotoraksi më i rëndë, që shkakton simptoma

Në këtë rast, është e domosdoshme vendosja me urgjencë e një tubi plastik në hapësirën pleurale, nën efektin e anestezisë lokale. Futja e tij provokon një diferencë (gradient) presionesh, që ndihmon në tërheqjen dhe nxjerrjen e ajrit. Tubi mund të hiqet kur prej tij nuk del më ajër, ndërkohë që radiografia tregon që pleura është ngjitur me murin e kafazit të kraharorit. Ky trajtim duhet të kryhet gjithmonë në kushte spitalore.

Pneumotoraksi i dytë ose i tretë

Nëse një pneumotoraks shfaqet në mënyrë të përsëritur, rekomandohet fillimisht kryerja e një skaneri të kafazit të kraharorit, me qëllim që të përcaktohet nëse mund të aplikohet proçedura e parandalimit të përsëritjeve të tij. Bëhet fjalë për një ndërhyrje të hapur ose një torakoskopi (e ngjashme me gastroskopinë ose skopinë e gjurit), që konsiston në ngjitjen e pleurës viscerale me atë parietale. Për të realizuar këtë, kirurgu hedh pudër në hapësirën ndërmjet tyre, ose i gërvisht sipërfaqet, duke provokuar fillimisht inflamacion të tyre dhe më pas ngjitje. Gjatë kësaj ndërhyrjeje hiqen edhe flluckat e vogla që mund të gjenden në sipërfaqen e mushkërive dhe që mund të përbëjnë shkak për një episod të ri të pneumotoraksit.

Pas kësaj proçedure, pacienti duhet të evitojë çdo sforcim fizik në tre javët e para pas shërimit.

Tek zhytësit, kujdesi pas një pneumotoraksi duhet të jetë më i madh se tek personat e tjerë, pasi rreziku për t’u përsëritur është tepër i lartë në këtë kontigjent. Shfaqja e një pneumotoraksi gjatë një zhytjeje mund të rrezikojë jetën e pacientit.

 

Pas kalimit të episodit të parë të një pneumotoraksi (futjes së ajrit në kraharor), rreziku i përsëritjes së tij arrin nga 16-50%. Pas një episodi të dytë, rreziku për një episod të tretë i kalon 50%. Pneumotoraksi mund të shkaktojë këto ndërlikime:

  • Grumbullimi i ujit në nivelin e mushkërisë (edema pulmonare), pas një kolapsi të zgjatur të tyre.
  • Në rastin e vendosjes së tubit për nxjerrjen e ajrit, janë të mundshme: dhimbjet, infeksionet, gjakrrjedhjet ose ulja e tensionit, e shoqëruar me marrje mendsh.

 

Dr. med. Fritz Grossenbacher

Fritz Grossenbacher ka studiuar Mjekësi në Bern. Ai zotëron një master në Edukim Mjekësor (Medical Education) nga universitet e Bernës dhe Çikagos dhe një Çertifikatë në "Teaching Evidence based Medicine" nga Qendra e Mbretërisë së Bashkuar Cochrane në Oksford.

Doris Zumbühl

Doris Zumbühl është një asistente klinike e diplomuar në Mjekësi. Ajo ka kryer disa kurse trajnimi te avancuara në gazetari, IT dhe përpunim grafik.

Dr. Yllka Themeli

Yllka Themeli ka studiuar Mjekësi të përgjithshme në Tiranë. Është specializuar në Endokrinologji, fushë në të cilën ka kryer edhe studimet pasuniversitare, si Masterin dhe Doktoraturën. Prej 18 vitesh specialiste Endokrinologe dhe njëkohësisht Pedagoge në Universitetin e Mjekësisë së Tiranës.