logo
Përgatitur dhe përshtatur nga sprechzimmer.ch.
Kontribuesit (Dr. med. Fritz GrossenbacherDoris ZumbühlDr. Yllka Themeli)
Bronkoskopia shërben për ekzaminimin ose trajtimin e sëmundjeve të bronkeve.
Bronkoskopia shërben për ekzaminimin ose trajtimin e sëmundjeve të bronkeve.

Çfarë është bronkoskopia?

Bronkoskopia është një ekzaminim i rrugëve të frymëshkëmbimit, që realizohet me ndihmën e një endoskopi special, që quhet bronkoskop. Bronkoskopi është një pajisje fleksibël e pajisur me një llampë dhe një kamera të vogël, e cila i shfaq imazhet në monitor (videoendoskopi). Kjo lejon që të shihen nga brenda trakeja dhe degët e saj brenda mushkërive (bronket), mund të merren kampione të indeve në brendësi, dhe gjithashtu nëse është e nevojshme të kryhen trajtime lokale. Bronkoskopët e kohëve të fundit janë fleksibël, me diametër vetëm 2-3 mm. Ekzaminimi është totalisht pa dhimbje dhe zakonisht zgjat 10-20 minuta, ndërsa në rastet e trajtimeve është më i gjatë. Janë të rrallë bronkoskopët në formën e tubave metalikë të hollë e të fortë, të cilët kërkojnë që pacienti të jetë nën anestezi të përgjithshme.

Bronkoskopia është një ekzaminim i shërbimit të pneumologjisë apo mjekësisë interne.

A është e nevojshme ndonjë përgatitje paraprake specifike para ekzaminimit?

Për një ekzaminim të tillë nevojitet që pacienti të jetë esëll, pasi gjatë ekzaminimit lind ndjesia e të vjellit, dhe masa ushqimore mund të kalojë në rrugët e frymëmarrjes dhe të shkaktojë ndërlikime. Në shumicën e rasteve nuk ka nevojë për ndonjë masë tjetër paraprake.

Çfarë shpjegimi nevojitet para ekzaminimit?

Për kryerjen e bronkoskopisë duhet të vlerësohet niveli i koagulimit të gjakut. Para kryerjes së bronkospisë  nevojitet një ekzaminim tjetër imazherik paraprak i mushkërive (radiografi e mushkërive apo CT-skaner i mushkërive).

Si kryhet bronkoskopia?

Bronkoskopia mund të kryhet nga mjeku pneumolog në kushte ambulatore ose në spital.

  • Fillimisht bëhet anestezia lokale e fytit me një sprai dhe në shumicën e rasteve pacientit i jepet  edhe një qetësues gjumëndjellës.
  • Bronkoskopi fleksibël futet nëpërmjet gojës ose hundës për në trake, përgjatë traktit të frymëshkëmbimit drejt e në bronket e mushkërisë. Imazhi i rrugëve të frymëshkëmbimit në monitor jep mundësinë e vëzhgimit për probleme të mundshme të tyre.
  • Nëpërmjet tubit të bronkoskopit dhe të lavazhit të kryer prej tij mund të kryhen edhe veprime të tjera, si psh: pastrimi i bronkeve nga tapat e mukusit, thithja e sekrecioneve bronkiale ose marrja e kampioneve qelizore për biopsi.
  • Përpara ekzaminimit këshillohet që pacienti të jetë pa ngrënë apo pa pirë (esëll) disa orë më parë, për shkak të aplikimit në fyt të medikamentit anestezik lokal, deri në largimin e këtij efekti (që të shmanget rreziku i mbytjes).

Kur këshillohet të bëhet bronkoskopia?

Bronkoskopia nevojitet për diagnostikimin dhe trajtimin e sëmundjeve të rrugëve të frymëshkëmbimit (bronkiale)

Shkaqet më të shpeshta që kërkojnë kryerjen e bronkoskopisë janë:

  • Kollë pa shkak të qartë
  • Sputum (pështymë) me gjak
  • Depistimi (kontrolli) për tumore në rast të zbulimit të hijeve të dyshimta në radiografi.
  • Marrja e materialit indor për biopsi, për të zbuluar bakterin shkaktar të infeksioneve apo qelizat tumorale që shikohen me mikroskop.
  • Zbulimi i shkakut të ngushtimit të rrugëve të frymëmarrjes
  • Lavazh i bronkeve, thithje e tapave të mukusit bronkial
  • Hemostazë (ndalim i gjakderdhjes) e rrugëve të frymëmarrjes
  • Largimi i trupave të huaj nga bronket

A paraqet bronkoskopia rreziqe apo efekte të padëshiruara?

Në ditët e sotme, me përdorimin e tubit fleksibël, ky ekzaminim paraqitet në përgjithësi pa rreziqe. Si pasojë e ekzaminimit, mund të konstatohen gjurmë gjaku në gëlbazë apo ngjirje të zërit, si pasojë e acarimit të mukozës nga bronkoskopi. Në raste të shfaqjes së shqetësimeve serioze apo gjakderdhjes së rëndësishme, duhet të drejtoheni tek mjeku. Dëmtime të rënda të rrugëve të frymëshkëmbimit ose të mushkërive janë jashtëzakonisht të rralla.

Dr. med. Fritz Grossenbacher

Fritz Grossenbacher ka studiuar Mjekësi në Bern. Ai zotëron një master në Edukim Mjekësor (Medical Education) nga universitet e Bernës dhe Çikagos dhe një Çertifikatë në "Teaching Evidence based Medicine" nga Qendra e Mbretërisë së Bashkuar Cochrane në Oksford.

Doris Zumbühl

Doris Zumbühl është një asistente klinike e diplomuar në Mjekësi. Ajo ka kryer disa kurse trajnimi te avancuara në gazetari, IT dhe përpunim grafik.

Dr. Yllka Themeli

Yllka Themeli ka studiuar Mjekësi të përgjithshme në Tiranë. Është specializuar në Endokrinologji, fushë në të cilën ka kryer edhe studimet pasuniversitare, si Masterin dhe Doktoraturën. Prej 18 vitesh specialiste Endokrinologe dhe njëkohësisht Pedagoge në Universitetin e Mjekësisë së Tiranës.