Kanceri i vaginës (Karcinoma vaginale)
Kontribuesit (Dr. med. Fritz Grossenbacher, Doris Zumbühl, Dr. Yllka Themeli)

Kanceri i vaginës bën pjesë tek sëmundjet gjenitale malinje. Ai nuk është shumë i shpeshtë dhe, zakonisht, shoqërohet nga kancere të organeve të tjera të legenit. Kjo sëmundje prek më shpesh femrat mbi 60 vjeç. Mbijetesa e pacienteve varet nga stadi i sëmundjes, mosha e tyre, gjendja e përgjithshme shëndetsore në momentin e diagnostikimit të kancerit, si dhe nga shkalla e përhapjes së tij në organet e tjera (prania ose jo e metastazave).
Njihen dy forma të shfaqjes së kancerit të vaginës: forma parësore dhe ajo dytësore. Flitet për formë parësore kur ai shfaqet në mënyrë të kufizuar vetëm në vaginë, ndërsa forma dytësore nënkupton shfaqjen e tij në vaginë pasi është shfaqur fillimisht në organe të tjera.
Shkaqet reale të zhvillimit të kancerit parësor të vaginës nuk janë ende të njohura.
Faktorët e rrezikut:
- Irritimi i vazhdueshëm i vaginës, i shkaktuar për shembull nga mbajtja për periudha të gjata kohore të një diafragme në mitër (për evitimin e shtatzanisë), e cila ul mitrën dhe vaginën.
- Terapia nëpërmjet rrezatimit për një kancer tjetër (radioterapia)
- Infeksionat virale nga Papiloma virus me rrezikshmëri të lartë (tipi 16), i cili është përgjegjës për fazat pararendëse të kancerit të qafës së mitrës.
Shkaqet e kancerit vaginal dytësor
Si të tilla konsiderohen metastazat vaginale të një kanceri tjetër, të përhapura në organizëm nëpërmjet rrugëve limfatike dhe më rrallë, nëpërmjet qarkullimit të gjakut. Më të shpeshtë në këtë drejtim janë kanceri i qafës së mitrës dhe kanceri i veshkës.

Në fazat e para, kanceri i vaginës nuk shkakton shqetësime. Me përparimin e sëmundjes, mund të fillojnë të shfaqen dhimbje gjatë urinimit, dhimbje gjatë defekimit ose dhimbje gjatë marrëdhënieve seksuale. Mund të shpeshtohen edhe gjakrrjedhjet e çrregullta vaginale.
Nëse mjeku specialist gjinekolog dyshon për praninë e kancerit të vaginës, ai duhet domosdoshmërisht të kryejë egzaminimin gjinekologjik nëpërmjet kolposkopisë (që mundëson eksplorimin e vaginës), të shoqëruar me marrjen e indit vaginal si material për kryerjen e biopsisë.
Në rast se mjeku dyshon për përhapje të kancerit vaginal në organe të tjera, janë të nevojshme egzaminime shtesë, si:
- Cistoskopia (eksplorimi i fshikëzës së urinës) dhe rektoskopia (eksplorimi i rektumit)
- Tomodensitometria (Skaneri), mundësisht edhe Rezonanca Magnetike (MRI)
- Ekografia

Trajtimi varet nga stadi i kancerit, gjendja e përgjithshme shëndetsore dhe mosha e pacientes, si dhe prania ose jo e metastazave në organet e tjera në momentin e diagnostikimit.
Mënyrat e trajtimit janë:
- Radioterapia (futja e dozave të vogla radioaktive në indet e tumorit)
- Kimioterapia e shoqëruar me radioterapinë
- Ndërhyrje kirurgjikale: shkalla e ndërhyrjes varet nga lokalizimi i kancerit. Kështu, ajo mund të konsistojë në heqjen e plotë të mitrës dhe mundësisht, edhe të disa nyjeve limfatike.
- Vetëm në rastet kur në mukozë konstatohen vatra prekanceroze (pararendëse të kancerit), ato mund të hiqen në mënyrë të kufizuar, gjithmonë nëse nuk janë të përhapura në zonë të gjerë.
Pas ndërhyrjes kirurgjikale, vagina mund të tkurret, duke shkaktuar dhimbje gjatë marrëdhënieve seksuale, deri edhe pamundësi për kryerjen e tyre. Në këto raste kryhet një korrigjim kirurgjikal i problemit (riqepje e vaginës). Radioterapia mund të shkaktojë probleme të vonshme në nivelin e zorrëve dhe të fshikëzës së urinës, tharje dhe ngjitje të vaginës si dhe formimin e fistulave (mjaft rrallë).
Sa më herët të diagnostikohet kanceri vaginal, aq më të mëdha janë mundësitë e shërimit të plotë të tij. Në rastin e kancerit vaginal dytësor, ecuria varet nga tipi i kancerit parësor (që ka lëshuar metastaza në vaginë) dhe nga shkalla e përhapjes së tij në nyjet limfatike. Në rastet me metastaza të pranishme në organizëm, shkalla e mbijetesës së pacienteve nuk i kalon 5 vjet.
Pas çdo trajtimi, është e domosdoshme ndjekja e rregullt nga mjeku specialist, për të vlerësuar mundësinë e shfaqjes së metastazave të reja.