Këputja e ligamentit të gjurit
Kontribuesit (Dr. med. Fritz Grossenbacher, Doris Zumbühl, Dr. Yllka Themeli)

Për stabilitet më të mirë, gjuri ka nevojë për muskulaturën, tendinet dhe ligamentet (ligamentet anësore dhe ligamentet e kryqëzuara). Ligamentet anësore janë thelbësore për qëndrueshmërinë anësore.
Dëmtimet e ligamenteve ndodhin zakonisht gjatë praktikimit të një sporti, si skitë dhe futbolli: ligamentet dëmtohen kur artikulacioni (kyçi) rrotullohet.
Shpesh nga dëmtimet preken ligamentet e brendshme ose ligamentet e kryqëzuara, ndërkohë që ky fenomen është i rrallë në ligamentin e jashtëm. Meqenëse ligamenti i brendshëm është i lidhur me meniskun, edhe ky i fundit këputet në të njëjtën kohë.
Në këtë material do të përshkruajmë dëmtimet e ligamenteve anësore, ndërsa dëmtimet e ligamentit të kryqëzuar dhe dëmtimet e meniskut do të përshkruhen veçmas.
Ne shpesh flasim për një këputje të ligamentit - kur dëgjojmë një kërcitje. Pothuajse të gjitha dëmtimet e lidhura me sportin në sistemin muskulo-skeletor shoqërohen me gjakderdhje në inde, që manifestohen me shfaqjen e hematomave (shenjave të zeza në lëkurë).
Simptoma të tjera:
- dhimbje të menjëhershme dhe zakonisht shumë të rënda pas aksidentit
- gjatë tërheqjes dhe këputjes së ligamentit, dhimbja mund të zhduket dhe të rishfaqet gjatë lëvizjeve të caktuara ose gjatë lëvizjes normale.
- humbja e forcës, kufizimi i lëvizshmërisë, paqëndrueshmëria e artikulacionit, që mund të shkojë deri në paaftësi për të lëvizur (sidomos në rastet me dëmtime të kombinuara të ligamenteve)
- ënjtje, ndjenja e shtypjes
- shumicën e kohës ka gjakderdhje në inde, gjë që rezulton me hematoma. Nëse hematoma është shumë e dukshme, mund të kuptohet që ligamenti është këputur dhe për këtë arsye është prekur edhe struktura e kapsulës së kyçit dhe ligamentet.
Ka teste të ndryshme që e ndihmojnë mjekun të kuptojë se cili ligament është prekur. Në rastin e këputjes së ligamenteve të brendshme anësore, gjuri zakonisht është i orientuar nga jashtë.
Radiografitë tregojnë nëse ka dëmtime të mundshme të kockave.
Rezonanca magnetike ose skaneri janë të nevojshme vetëm nëse ka prova të tërheqjes ose të dëmtimit të kockave ose të meniskut.

- P: pushim - ndërprerja e menjëhershme e aktivitetit sportiv
- F: ftohja e plagës me akull, nëse është një plagë e mbyllur (jo e hapur); Kini kujdes: mos e vendosni akullin direkt në lëkurë, sepse rrezikon për dëmtime nga i ftohti.
- Sh: shtypja, nëpërmjet lidhjes së shtrënguar me fashë, për të parandaluar ënjtjen, duke e mbajtur nën kontroll të vazhdueshëm.
- N: ngritja lart: Në rast të një dëmtimi që përfshin gjymtyrët (krahët, këmbët), rrjedhja e gjakut dhe enjtja lehtësohen nga pozicioni i ngritur i gjymtyrës së dëmtuar.
- qetësuesit e dhimbjeve (analgjezikët)