logo
Përgatitur dhe përshtatur nga sprechzimmer.ch.
Kontribuesit (Dr. med. Fritz GrossenbacherDoris ZumbühlDr. Yllka Themeli)
Shintigrafia e tiroides: ekzaminim imazherik i gjëndrës tiroide, që vlerëson funksionin e saj.
Shintigrafia e tiroides: ekzaminim imazherik i gjëndrës tiroide, që vlerëson funksionin e saj.

Çfarë është shintigrafia e tiroides?

Shintigrafia e tiroides është një ekzaminim që shërben për evidentimin imazherik të funksionit të indit të gjendrës tiroide, më saktësisht të metabolizmit të jodit në të. Për realizimin e këtij ekzaminimi, në një venë të krahut injektohet një substancë lehtësisht radioaktive, e cila grumbullohet në tiroide. Më pas, me ndihmën e një kamere të posaçme, rregjistrohen pamjet e tiroides me lëndën radioaktive të grumbulluar në të. Shintigrafia e tiroides shërben kryesisht për vlerësimin dhe ndjekjen e planit të trajtimit të hipertireozës dhe të nodujve të tiroides. Ajo plotëson ekzaminimin ekografik dhe citopunksionin e gjendrës tiroide, për dy situatat e lartpërmendura.

Shintigrafia e tiroides është një ekzaminim i Mjekësisë bërthamore.

A nevojitet ndonjë përgatitje paraprake specifike përpara shintigrafisë së tiroides?

Shintigrafia e tiroides mund të kryhet pa përgatitje të veçantë. Pacientët me të ashtuquajturit «noduj të nxehtë» të tiroides mund të kenë nevojë të marrin tableta të hormoneve të tiroides për disa ditë ose javë përpara ekzaminimit të dytë. Kjo siguron informacion të mëtejshëm mbi funksionin e tiroides.

Çfarë duhet të sqarohet përpara këtij ekzaminimi?

Përpara se të kryhet një shintigrafi e gjendrës tiroide, së pari duhet të përjashtohet prania e një shtatzënie. Gjithashtu, pacienti duhet të informojë mjekun lidhur me çdo medikament që përdor në momentin që do kryejë shintigrafinë, dhe/ose që ka përdorur gjatë periudhës së fundit. Kjo është tepër e rëndësishme për rezultatin e ekzaminimit, pasi disa medikamente, kryesisht ato që lidhen me trajtimin e tiroides, ose që përmbajnë jod (si Amiodaroni), mund të ndikojnë në rezultatin e shintigrafisë. Po kështu, edhe një ekzaminim i mëparshëm me lëndë kontrasti me përmbajtje të jodit mund të ndikojë në rezultatin e shintigrafisë së tiroides, madje edhe nëse është kryer disa muaj më përpara.

Si realizohet shintigrafia e tiroides?

Gjatë ekzaminimit, në venën e krahut injektohet një sasi e vogël e substancës lehtësisht radioaktive, me përmbajtje të jodit, e cila grumbullohet ngadalë në indet e tiroides. Rreth 3-4 orë më vonë, nëpërmjet përdorimit të një aparati të veçantë, përftohen imazhet e tiroides. Regjistrimi i pamjeve zgjat rreth 15 minuta, dhe realizohet me pacientin në pozicionin ulur ose të shtrirë.

Kur duhet të kryhet shintigrafia e tiroides?

Ky ekzaminim bën të mundur kontrrollin e funksionit të gjendrës tiroide (metabolizmit të jodit në të). Arsyet më të shpeshta që kërkojnë kryerjen e shintigrafisë së tiroides janë:

  • Hipertireoza
  • Dallimi i nodujve të tiroides: noduj «të nxehtë» ose «të ftohtë»
  • Kanceri i tiroides

A paraqet shintigrafia e tiroides rreziqe apo efekte të dëmshme?

Në parim, edhe pse shumë rrallë, është i mundshëm një reaksion alergjik ndaj substancës radioaktive me përmbajtje të jodit. Ky ekzaminim nuk kryhet gjatë shtatzënisë. Sipas udhëzimeve të specialistit të Mjekësisë bërthamore, gjatë periudhës së ushqyerjes së fëmijë me gji, nënat mund të duhet ta ndërpresin përkohësisht dhënien e gjirit pas kryerjes së këtij ekzaminimi.

Dr. med. Fritz Grossenbacher

Fritz Grossenbacher ka studiuar Mjekësi në Bern. Ai zotëron një master në Edukim Mjekësor (Medical Education) nga universitet e Bernës dhe Çikagos dhe një Çertifikatë në "Teaching Evidence based Medicine" nga Qendra e Mbretërisë së Bashkuar Cochrane në Oksford.

Doris Zumbühl

Doris Zumbühl është një asistente klinike e diplomuar në Mjekësi. Ajo ka kryer disa kurse trajnimi te avancuara në gazetari, IT dhe përpunim grafik.

Dr. Yllka Themeli

Yllka Themeli ka studiuar Mjekësi të përgjithshme në Tiranë. Është specializuar në Endokrinologji, fushë në të cilën ka kryer edhe studimet pasuniversitare, si Masterin dhe Doktoraturën. Prej 18 vitesh specialiste Endokrinologe dhe njëkohësisht Pedagoge në Universitetin e Mjekësisë së Tiranës.