logo
Përgatitur dhe përshtatur nga sprechzimmer.ch.
Kontribuesit (Dr. med. Fritz GrossenbacherDoris ZumbühlDr. Yllka Themeli)
Çrregullimet e nuhatjes janë më të zakonshme se çrregullimet e shijes.
Çrregullimet e nuhatjes janë më të zakonshme se çrregullimet e shijes.

Nuhatja dhe të shijuarit bëjnë pjesë tek shqisat që, falë aktivitetit analizues të tyre kimik dhe ndjesor, na lejojnë të dallojmë lëndët kimike nga njëra-tjetra.

Nuhatja dhe shijimi janë ndjesi jetike. Ato ndikojnë jo vetëm në cilësinë e jetës, por ndihmojnë edhe në mbrojtjen e shëndetit, sepse nëpërmjet tyre nuhatet gazi, tymi i zjarrit, apo dallohet një ushqim i prishur. Gjithashtu, humbja e nuhatjes shkakton vështirësi të rëndësishme sociale, pasi në këtë stad individi nuk ndjen as aromën e trupit të vet.

Nuhatja dhe shijimi bazohen në molekulat që çlirohen nga objekte që janë pjesë e ambientit të jashtëm. Këto molekula nxisin disa qeliza specifike nervore të vendosura në gojë ose në hundë. Këto qeliza nervore në kthim transmetojnë sinjale në tru, ku tejçohet aroma ose shija e caktuar, duke u identifikuar në këtë nivel.

Çrregullimet e shijes janë të rralla. Vetëm 5% e pacientëve shfaqin realisht probleme të tilla. Pjesa më e madhe e rasteve shfaqin çrregullime të lidhura me nuhatjen.

Humbja e plotë e nuhatjes emërtohet anozmi. Nëse humbja e nuhatjes nuk është e plotë, bëhet fjalë përkatësisht për hipozminë.

Forma të tjera:

  • Dizozmia: çrregullim i perceptimit të aromave (erërave)
  • Parozmia: perceptimi i aromës kur ajo nuk egziston vërtet
  • Fantozmia: perceptimi i gabuar i aromave, iluzione të lidhura me aromat (haluçinacione olfaktore), si psh. aroma e trëndafilit perceptohet si aroma e një luleje tjetër, etj.

Tre shkaqet më të shpeshta të çrregullimit të nuhatjes janë:

  • Aksidentet (gjuajtjet në kokë ose rëniet me kokë)
  • Infeksionet virale (gripi)
  • Shkaqe të lidhura me hundën (inflamacionet e ndarëses së hundës ose prania e polipeve në hundë)

Shkaqe të tjera:

  • Çrregullimet hormonale
  • Sëmundjet e dhëmbëve
  • Lëndët kimike, medikamentet
  • Radioterapia (rrezatimi) në rastin e tumoreve të kokës dhe të qafës
  • Sëmundjet nervore si skleroza e shumëfishtë (multiple), sëmundja e Parkinsonit apo Alzheimerit.
  • Sëmundjet metabolike, si diabeti i sheqerit.
  • Sëmundjet e tiroides, mungesa në vitaminën B12, vitaminën A dhe Zink.
  • Kanceret e fushës së ORL (veshi-goja-fyti)
  • Sëmundjet psiqike, si depresioni dhe skizofrenia

Shkaqet e lindura

  • Në disa raste nuk identifikohet asnjë shkak përgjegjës për çrregullimet e nuhatjes.
Çrregullimet e nuhatjes: ekzaminimi i hundës.
Çrregullimet e nuhatjes: ekzaminimi i hundës.

Egzaminimet varen nga shkalla e simptomave dhe gjendja e pacientit. Kështu, mund të kryhen:

  • Konsultim me mjekun, duke e informuar atë për simptomat, historinë e fillimit të tyre, mënyrën e ushqyerjes, konsumin e alkoolit dhe duhanit, aksidente ose operacione të kyera në të kaluarën, sëmundje të tjera në momentin e konsultimit dhe medikamentet e përdorurura për to.
  • Teste vlerësuese të funksionit të tiroides (dozimi në gjak i nivelit të hormoneve të tiroides)
  • Verifikim i kalueshmërisë së ajrit nga hunda
  • Vlerësim lidhur me mundësinë e pranisë së një alergjie specifike

Egzaminimi fizik:

  • Egzaminimi ORL tek një mjek specialist oto-rino-laringolog (otojatër)
  • Egzaminimi endoskopik (i pjesës së brendshme) i hundës
  • Egzaminimi neurologjik
  • Skaneri (Tomodensitometria) i kokës
  • Rezonanca magnetike (MRI) e kokës, për të përjashtuar mundësinë e një tumori ose të çrregullimeve të lindura të nuhatjes.

Testet:

  • Shkalla e zhvillimit të sëmundjes mund të përcaktohet duke matur nivelin e përqëndrimit të aromave apo ushqimeve, në të cilin ndjesia e nuhatjes apo shijimit funksionon. Këto proçeduara janë të standartizuara.
  • Teste të tjera vlerësuese konsistojnë në gjykimin e pacientit mbi intensitetin e një monstre për aroma ose shije të caktuara, duke i kërkuar atij të përcaktojë llojin e aromës ose shijes, pa i parë paraprakisht ato (me sy të mbyllur). Këto mënyra realizohen me përdorimin e substancave të ndryshme. Për të realizuar një verifikim objektiv (real), pra të pandikuar nga personi përgjegjës që interpreton testin përkatës, përdoret edhe metoda e regjistrimit të impulsive elektrike që shkojnë në tru, pas një ngacmimi specifik të lidhur me aroma apo shije të ndryshme.

Në rastin e çrregullimeve të nuhatjes, mundësitë e trajtimit janë të kufizuara. Përgjithësisht, trajtimi varet direkt nga sëmundja kryesore që ka shkaktuar këtë çrregullim.

E vetmja mënyrë efikase e trajtimit është ajo që përdoret për çrregullimet e nuhatjes të shkaktuara nga problemet e hundës. Në këtë rast, rekomandohet ndërhyrja kirurgjikale për heqjen e polipeve, dhe përdorimi i kortizonit (ka efekt lirues për hundën dhe lufton inflamacionin) në formën e sprait ose të tabletave.

Disa pacientë me të tilla çrregullime (me origjinë nga problemet e hundës) reagojnë mjaft mirë ndaj terapisë me preparate që përmbajnë vitaminën A.

Studimet mbi efektet mjekuese të zinkut në këtë drejtim janë ende kontradiktore.

Në rastet kur çrregullimet e nuhatjes janë pasojë e përdorimit të ndonjë medikamenti të caktuar, rekomandohet ulja e dozës ose ndërprerja e tij dhe zëvendësimi me një medikament tjetër me efekt të njëjtë ose të ngjashëm me të.

Në rastet ku si shkak i çrregullimeve të nuhatjes ka shërbyer një dëmtim në kokë ose një sëmundje neurologjike (si psh. skleroza multiple), këto çrregullime janë mjaft rezistente ndaj çdo mënyre trajtimi.

Dr. med. Fritz Grossenbacher

Fritz Grossenbacher ka studiuar Mjekësi në Bern. Ai zotëron një master në Edukim Mjekësor (Medical Education) nga universitet e Bernës dhe Çikagos dhe një Çertifikatë në "Teaching Evidence based Medicine" nga Qendra e Mbretërisë së Bashkuar Cochrane në Oksford.

Doris Zumbühl

Doris Zumbühl është një asistente klinike e diplomuar në Mjekësi. Ajo ka kryer disa kurse trajnimi te avancuara në gazetari, IT dhe përpunim grafik.

Dr. Yllka Themeli

Yllka Themeli ka studiuar Mjekësi të përgjithshme në Tiranë. Është specializuar në Endokrinologji, fushë në të cilën ka kryer edhe studimet pasuniversitare, si Masterin dhe Doktoraturën. Prej 18 vitesh specialiste Endokrinologe dhe njëkohësisht Pedagoge në Universitetin e Mjekësisë së Tiranës.