logo
Përgatitur dhe përshtatur nga sprechzimmer.ch.
Kontribuesit (Dr. med. Fritz GrossenbacherDoris ZumbühlDr. Yllka Themeli)
Lumbago: dhimbje akute në zonën e mesit pas stërvitjes.
Lumbago: dhimbje akute në zonën e mesit pas stërvitjes.

Lumbago konsiderohet dhimbja në pjesën e poshtme të shpinës, në zonën e mesit. Përgjithësisht  përshkruhet si dhimbje e papritur dhe e fortë në zonën e veshkave. Pacienti shpesh thotë se ndjen dhimbje të mprehta, në formën e rëndesës ose të shpimit.

Kjo dhimbje e papritur shpesh fillon me një lëvizje të parëndësishme, si ngritja me shpinën të kthyer, kthimi i menjëhershëm i pjesës së sipërme të trupit, kryerja e një lëvizjeje të papritur ose të vështirë, ose gjatë ngritjes së objekteve të rënda. Me raste, dhimbja mund të përhapet në kofshë, madje edhe deri në këmbë.

Nëse dhimbja përhapet në kofshë përmes të ndenjurave - domethënë përgjatë nervit shiatik- atëherë bëhet fjalë për shiatikun.

Shkaqe të dhimbjes së mesit mund të jenë probleme të ndryshme që ndikojnë në shtyllën kurrizore, si një zgjatim (dalje përpara) i diskut ndërvertebror, hernia diskale, një bllokim i nyjeve vertebrale, dëmtimi i kapsulës së artikulacioneve ose ligamenteve të shtyllës kurrizore. Gjithashtu, shkak i dhimbjes së mesit mund të jenë edhe problemet psikologjike, si stresi ose ngarkesat emocionale.

Detyra kryesore e mjekut është zbulimi i shkakut të dhimbjes së mesit dhe trajtimi i saj. Në rastin e dhimbjes së papritur, problem kryesor është qetësimi i dhimbjes si me anë të medikamenteve, ashtu edhe nëpërmjet masazhit dhe aplikimit lokal të mxehtësisë për lëshimin e muskujve. Eshtë e domosdoshme që pacienti, sapo të jetë lehtësuar dhimbja, të drejtojë shpinën: ai duhet të mësojë sesi të lëvizë për të mbrojtur shpinën dhe të kryejë ushtrime të posaçme për të forcuar muskulaturën.

Shkaqet e dhimbjeve akute në pjesën e poshtme të shpinës dhe në zonën e veshkave janë të shumta. Ato mund të jenë fizike ose psikologjike.

Një lumbago zakonisht shfaqet pas një lëvizjeje të pakontrolluar të shpinës si drejtimi, kthimi ose ngritja, ose nga mbajtja e një objekti të rëndë në mënyrë të papërshtatshme.

Ajo është pasojë e tkurrjes së menjëhershme të muskujve në pjesën e poshtme të shpinës. Tkurrja e muskujve mund të jetë gjithashtu edhe pasojë e stresit, punës së tepërt, ftohjes ose gripit, muskujve të dobët ose të paushtruar, mbipeshës trupore dhe faktorëve të tjerë të dëmshëm.

Shkaqet kryesore të dhimbjes së shpinës janë:

  • Zgjatimi i një disku ndërvertebral, hernia diskale
  • Bllokimi i nyjeve vertebrale
  • Dëmtimi i capsules së artikulacioneve ose të ligamenteve të shtyllës kurrizore

Lumbago: dhimbje e fortë e papritur në zonën e mesit.
Lumbago: dhimbje e fortë e papritur në zonën e mesit.

Gjatë një lumbalgjie, një dhimbje e fortë shfaqet papritur pas një lëvizje rrotulluese të pjesës së sipërme të trupit, pas ngritjes ose drejtimit të trupit, ose gjatë ngritjes së një peshe.

Muskujt në pjesën e poshtme të shpinës mbesin tepër të kontraktuar dhe të fortë. Dhimbjet ndonjëherë mund të përhapen në këmbë. Lëvizshmëria reduktohet në masë të madhe nga dhimbja. Në disa raste, dhimbja është aq e fortë sa që drejtimi i pjesës së sipërme të trupit është i pamundur.

Në shumicën e rasteve, një lumbago, edhe pse e dhimbshme, është e padëmshme. Sidoqoftë, nëse pacienti ndjen mpirje në këmbë ose vështirësi në proçesin e urinimit ose defekimit, është e domosdoshme të konsultoheni me mjekun.

Nëse dhimbja përhapet në zonën e kofshëve përmes  të ndenjurave - përgjatë nervit shiatik- atëherë është shiatiku. Kjo është një sëmundje tjetër që nuk ka të bëjë fare me lumbagon - edhe nëse pacienti e ndjen si të tillë në fillim.

Shfaqja e papritur e dhimbjes, si dhe shkaqet që e provokuan atë (për shembull, një lëvizje e vështirë) janë tashmë tregues që lejojnë mjekun të vendosë diagnozën e lumbagos.

Për të përjashtuar sëmundjet e tjera, mjeku mund të kërkojë një radiografi të shtyllës kurrizore. Nëse dyshohet përfshirja e disqeve ndërvertebrore, rekomandohet MRI (rezonanca magnetike) ose CT (skaner).

Për vendosjen e diagnozës së lumbagos ndihmojnë:

  • Historia mjekësore e referuar nga pacienti, duke përfshirë çrregullimet dhe ngjarjet ose lëvizjet para shfaqjes së dhimbjes.
  • Ekzaminimi fizik: qëndrimi i papërshtatshëm i trupit, dëmtime të jashtme trupore, çrregullime të ndjeshmërisë, të tilla si ndjesia e shpimit ose e mpirjes (teste neurologjike)
  • Radiografi e shtyllës kurrizore
  • Në rastet kur dyshohet dëmtim i disqeve ndërvertebrore, ndihmon rezultati i rezonancës magnetike (MRI) ose skanerit (CT).

Lumbago: terapia me medikamente për dhimbjet dhe fizioterapia.
Lumbago: terapia me medikamente për dhimbjet dhe fizioterapia.

Gjatë një lumbalgjie, është e nevojshme që së pari të lehtësohet dhimbja. Më shpesh, medikamentet e qetësimit të dhimbjes jepen nga goja ose me rrugë intravenoze. Përveç kësaj, edhe metodat fizike si aplikimi i nxehtësisë, trajtimi elektrik, masazhet dhe fizioterapia ndihmojnë në lëshimin e muskujve.

Është e rëndësishme të ndiqni një program ushtrimor edhe pas lehtësimit të dhimbjes. Ai do të ndihmojë në rifitimin e pozicionimit normal të shpinës dhe lëvizjeve të saj. Pacienti mëson, ndër të tjera, se si të ngrejë ose të mbajë objekte të rënda pa dëmtuar shpinën, si dhe si të kryejë lëvizjet që e mbrojnë atë dhe forcojnë muskulaturën e tij.

Në përgjithësi, problemi kalon relativisht shpejt. Sapo të pakësohet dhimbja, është e rëndësishme të praktikoni sporte që mbrojnë shpinën, në mënyrë që të shmanget përsëritja e lumbagos.

Nëse dhimbjet nuk zhduken pas disa ditësh, është e nevojshme të konsultoheni me një mjek. Nëse problemi vjen nga një disk ndërvertebral, mund të jetë e nevojshme një ndërhyrje kirurgjikale.

Për të parandaluar një lumbago këshillohen:

  • Mësimi i lëvizjeve: si të ngrini objekte të rënda
  • Aktivitete të rregullta sportive duke mbrojtur, shtrirë dhe forcuar shpinën
  • Reduktimi i mbipeshës trupore
  • Shmangia e një qëndrimi të lodhshëm
  • Njohja dhe trajtimi i tensioneve emocionale. Shpesh ato manifestohen me kontraktimet e muskujve të qafës dhe/ose shpinës, ose me dhimbje në qafë.
  • Zvogëloni stresin, mundësisht me ushtrime relaksuese si joga, trajnimi autogjen etj.

Dr. med. Fritz Grossenbacher

Fritz Grossenbacher ka studiuar Mjekësi në Bern. Ai zotëron një master në Edukim Mjekësor (Medical Education) nga universitet e Bernës dhe Çikagos dhe një Çertifikatë në "Teaching Evidence based Medicine" nga Qendra e Mbretërisë së Bashkuar Cochrane në Oksford.

Doris Zumbühl

Doris Zumbühl është një asistente klinike e diplomuar në Mjekësi. Ajo ka kryer disa kurse trajnimi te avancuara në gazetari, IT dhe përpunim grafik.

Dr. Yllka Themeli

Yllka Themeli ka studiuar Mjekësi të përgjithshme në Tiranë. Është specializuar në Endokrinologji, fushë në të cilën ka kryer edhe studimet pasuniversitare, si Masterin dhe Doktoraturën. Prej 18 vitesh specialiste Endokrinologe dhe njëkohësisht Pedagoge në Universitetin e Mjekësisë së Tiranës.